Ditë më parë, Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan që emisarit evropian për dialog, Peter Sorensen, t’i vazhdohet mandati, në përputhje me rekomandimin e shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas.
Këtë e konfirmuan edhe burime diplomatike në Bruksel, duke bërë të ditur se kësaj radhe diplomatit danez Sorensen do t’i zgjatet mandati për dy vjet shtesë.
Mandati i tij i parë ishte 13-mujor dhe skadon në fund të muajit shkurt. Në këtë rast, dihet nga ajo çka është parë deri më tani se nuk ka pasur shumë lëvizje në proces, përveç disa takimeve në nivel të kryenegociatorëve.
Megjithatë, mungesa e përparimit në kuadër të dialogut për normalizimin të marrëdhënieve u atribuohet kryesisht zhvillimeve të brendshme politike, të cilat ishin të shumta dhe dinamike, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
Bashkimi Evropian vazhdon të insistojë se progresi në rrugën evropiane, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, varet drejtpërdrejt nga avancimi në procesin e dialogut.
Pavarësisht mungesës së takimeve në nivelin më të lartë politik, Bashkimi Evropian vazhdon t’u kërkojë Kosovës dhe Serbisë përmbushjen e të gjitha detyrimeve të dala nga dialogu dhe zbatimin e marrëveshjes së vitit 2023, të arritur mes liderëve në Ohër.
Por, çka mund të ofrojë më shumë Sorensen për dialogun Kosovë-Serbi folën njohësit e çështjeve politike e diplomatike.
Bosch: E kam të vështirë të gjykoj nëse Sorensen mund të kishte bërë më shumë në këtë situatë
E për këtë temë, për “Bota sot” foli ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.
Fillimisht, ai mirëpriti vazhdimin e mandatit të Sorensen, ndonëse kishte disa rezerva në këtë pikë.
Sipas tij, zhvillimet politike në dy shtetet, nuk japin sinjal se mund të ketë normalizim të raporteve.
“Së pari, është mirë që mandati është zgjatur, por nga ana tjetër, për shkak të situatës politike në Kosovë dhe në Serbi, nuk ka ndodhur shumë në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve”.
Në këtë pikë, diplomati holandez konsideroi se Sorensen vështirë se mund të bëj diçka më shumë.
“E kam të vështirë të gjykoj nëse Sorensen mund të kishte bërë më shumë në këtë situatë (thjesht të çuditshme)”, përfundoi Robert Bosch për “Bota sot”.
Halili: Suksesi i dialogut Kosovë-Serbi nuk varet vetëm nga mandati i Peter Sorensenit
Ndërsa, për këtë çështje, për “Bota sot” foli edhe profesori Njazi Halili, i cili tha se vazhdimi i mandatit të Sorensen nuk garanton progres.
Sipas tij, mbarëvajtja dhe suksesi i dialogut varet edhe nga gatishmëria e palëve për të biseduar dhe për të arritur marrëveshje.
“Vazhdimi i mandatit të Peter Sorensen garanton stabilitet procedural, por jo progres automatik. Pesha vendimtare është te: vullneti i palëve, presioni i BE-së dhe SHBA-së, zhvillimet e brendshme politike në Beograd dhe Prishtinë.Skenari më i mundshëm, rigjallërim i kontrolluar dhe progres i ngadaltë, me rrezik gjithmonë të stagnimit.
Suksesi i dialogut Kosovë-Serbi nuk varet vetëm nga mandati i Peter Sorensenit si ndërmjetës i BE-së, por kryesisht nga gatishmëria e Serbisë dhe Kosovës për kompromis, implementimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe angazhimin e vazhdueshëm me komunitetin ndërkombëtar”, shtjelloi ai.
Krahas kësaj, Halili e sheh si pozitiv mandatin e Sorensen, pasi vlerëson se në këtë mënyrë po mbahet gjallë dialogue.
Megjithatë, ai përmendi edhe disa pika që ndikojnë në arritjen e rezultateve të prekshme.
“Mandati i ri i Sorensenit siguron një mundësi të vlefshme për të mbajtur dialogun të gjallë dhe për të ruajtur kanalet diplomatike, por ai nuk mund të zëvendësojë vullnetin politik të palëve. Pa angazhim konkret, çdo takim ose negociatë mund të mbetet formal dhe pa rezultat, duke e kthyer dialogun në një proces të zvarritur që prodhon vetëm retorikë politike dhe tensione sporadike.
Për të arritur rezultate të prekshme, është e nevojshme që qeveritë e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë gatishmëri për të zbatuar marrëveshjet e mëparshme, për të adresuar çështjet e pazgjidhura thelbësore dhe për të ndërtuar besim të ndërsjellë”, tha profesori.
Në fund, ai shtoi se, mandati i ri është një mundësi e rëndësishme, por theksoi edhe punët që duhen bërë nga të tjerët që procesi i dialogut të ketë sukses dhe të jap rezultate.
“Në këtë kontekst, roli i Sorensenit mbetet strategjik, ai mund të lehtësojë komunikimin, të propozojë kompromiset e mundshme dhe të sinjalizojë përkushtimin e BE-së ndaj procesit. Megjithatë, pa një angazhim politik real dhe të qëndrueshëm, edhe mandati më i zgjeruar dhe ndërmjetësit më të aftë nuk mund të prodhojnë një normalizim të qëndrueshëm.
Suksesi afatgjatë kërkon kombinimin e disa faktorëve, presion të koordinuar ndërkombëtar, transparencë dhe përfshirje të qytetarëve, dhe mbi të gjitha, një vendosmëri të palëve për të lëvizur nga fjalët në veprime konkrete. Pra, mandati i ri është një mundësi e rëndësishme, por vullneti politik dhe implementimi efektiv i marrëveshjeve mbeten faktorët përcaktues për të kthyer dialogun në një proces real të normalizimit dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm”, përmbylli Njazi Halili për “Bota sot”.