Me slogane të reja dhe lista të vjetra, partitë politike janë duke kërkuar votën e qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Të dielën e 28 dhjetorit së bashku me numrat e partive që do të garojnë, partitë politike kanë informuar qytetarët edhe për listat e kandidatëve që mësyjnë karrigen e kuvendit.
Në lista nuk ka ndonjë risi, por gara sfiduese vazhdon të jetë për deputetët që nuk kishin arritur të fitojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit si dhe për deputetët e rinj që arritën të hyjnë për herë të parë në kuvend.
Lëvizja Vetëvendosje në listën e plotë të kandidatëve e cila përbëhet nga 110, ka vendosur edhe ish- deputetë të cilët nuk kanë arritur të fitojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit, përmendim këtu Adrian Golën e Enver Halitin, por në të përfshihen edhe persona e rinj që arritën të fitojnë ulësen për herë të parë në 9 shkurt si: Nezir Kraki, Agim Bahtiri, Edona Llalloshi, Bylbyl Sokoli, Ilir Kërçeli.
Partia Demokratike e Kosovës tashmë do të garojë pa ish- kryetarin e saj, Memli Krasniqin, Andin Hotin e Ardian Kastratin, por emrat e vjetër që nuk kishin arritur të fitojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit vazhdojnë të jenë, sikur Xhavit Haliti dhe emrat e rinj që fituan për herë të parë sikur: Sala Jashari, Përparim Gruda, Artan Behrami, Xhevahir Geci, Arbnore Salihu, Kosovare Murseli.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka në listën e saj edhe emrat që kishin arritur të fitojnë për herë të parë më 9 shkurt, si Hysen Çekaj, Fadil Hadërgjonaj, Krenar Xhaferi, Alban Zogaj, Serbeze Muçaj, Arjeta Abazi, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka në listën e saj edhe emrat që nuk fituan në zgjedhjet e 9 shkurtit si: Besnik Tahirin e Pal Lekajn.
“Historia politike nuk shpërblen këmbënguljen për pushtet”
Opinionisti Lirim Gashi thotë se rikthimi në lista emrat që tashmë qytetari i ka refuzuar një herë nuk është shenjë force politike, por dëshmi e varfërisë kadrovike.
Sipas tij, mesazhi që i dërgohet votuesit është që vota jote nuk na obligon, harresa jonë po.
“Rikthimi në lista i emrave që qytetari tashmë i ka refuzuar një herë nuk është shenjë force politike, por dëshmi e varfërisë kadrovike dhe e arrogancës strukturore brenda partive. Kur Xhavit Haliti, Pal Lekaj, Besnik Tahiri apo Enver Haliti rishfaqen si “shpresë elektorale”, mesazhi që i dërgohet votuesit është i thjeshtë: vota jote nuk na obligon, harresa jonë po. Vetëm nëse elektorati bie në apati ose voton mekanikisht për stemën partiake. Por në një shoqëri ku zhgënjimi po shndërrohet në vetëdije politike, rikthimet e tilla më tepër prodhojnë lodhje morale sesa mobilizim elektoral. Historia politike nuk shpërblen këmbënguljen për pushtet, por legjitimitetin moral për ta ushtruar atë”, deklaron Gashi për “Bota sot”.
Sipas tij, deputetët që fituan për herë të parë më 9 shkurt kanë avantazh, por edhe rrezik.
Sipas tij, ulëset e tyre rrezikohen jo për shkak të mungesës së performancës, por për shkak të luftërave të brendshme për kontroll.
“Deputetët që fituan për herë të parë më 9 shkurt hyjnë në këtë garë me një avantazh dhe një rrezik njëkohësisht. Avantazhi është freskia dhe kredibiliteti elektoral; rreziku është se partitë tona ende funksionojnë si feude ku e vjetra tenton ta mbysë të renë sapo kjo fillon të marrë frymë. Ulëset e tyre rrezikohen jo për shkak të mungesës së performancës, por për shkak të luftërave të brendshme për kontroll, ku peshoren nuk e vendos puna parlamentare, por rrjeti klientelist dhe zhurma e brendshme. Nëse qytetari zgjedh sërish të votojë me mendje e jo me nostalgji, atëherë të rinjtë do të mbijetojnë. Nëse jo, partitë do të vazhdojnë të bëjnë vetë-sabotim politik”, pohon opinionisti.
Mungesa e figurave si Memli Krasniqi, Ardian Kastrati e Andin Hoti, sipas Gashit, mund ta dobësojë PDK-në në aspektin e disiplinës elektoriale dhe të artikulimit publik.
“Mungesa e figurave si Memli Krasniqi dhe Ardian Kastrati është simptomë e një dileme më të thellë të PDK-së: a po kërkon ajo rigjenerim real, apo thjesht po zëvendëson emra pa ndryshuar mendësi? Në afat të shkurtër, kjo mungesë mund ta dobësojë partinë në aspektin e disiplinës elektorale dhe të artikulimit publik. Por në afat të gjatë, ajo hap një derë të rrallë: mundësinë për t’u çliruar nga hijet e së kaluarës dhe për të testuar figura që nuk mbajnë barrë morale nga pushteti i djeshëm. PDK-ja nuk dobësohet nga mungesa e individëve; ajo dobësohet kur nuk arrin të prodhojë ide, moral politik dhe besueshmëri publike. Nëse kjo hapësirë shfrytëzohet për rifreskim substancial e jo kozmetik, atëherë mungesa e emrave të njohur mund të shndërrohet në shans. Nëse jo, do të mbetet thjesht një boshllëk tjetër në një parti që ende po e kërkon veten mes së kaluarës mafioze dhe realitetit ndëshkues”, thekson Gashi.
Ai parashikon që zgjedhjet nuk do t’i fitojnë ata që rikthehen me inat, por me ide.
Sipas tij, populli mund të harrojë emra, por jo zhgënjimin.
“ Zgjedhjet e ardhshme nuk do t’i fitojnë ata që rikthehen me inat, por ata që kthehen me ide, etikë dhe përgjegjësi morale. Populli mund të harrojë emra, por nuk e harron zhgënjimin. Dhe aty, në atë kujtesë kolektive, është duke u rishkruar fati i këtyre kandidatëve të çoroditur. Karakteri i këtyre kandidatëve i ngjan më së shumti insekteve më neveritëse që njeh natyra: jo për madhësinë, por për mënyrën si mbijetojnë. Si parazitë të errët që ushqehen në qetësi nga trupi i një organizmi të lodhur, ata nuk krijojnë, nuk ndërtojnë dhe nuk prodhojnë asgjë — vetëm thithin. Të heshtur kur duhet folur, aktivë vetëm kur ndjejnë erën e pushtetit, ata lulëzojnë në lagështi morale, në mjegull pa përgjegjësi dhe në errësirën ku mungon drita e llogaridhënies. Ashtu si insektet që ikin sapo ndizet llampa, edhe këta kandidatë zhduken përballë transparencës, duke dëshmuar se paniku i tyre më i madh nuk është humbja e zgjedhjeve, por ekspozimi”, përfundon Gashi.
Pasojat e të rikthyerve dhe rreziku i të rinjve
Ndërsa, analisti Eduard Gashi, thotë se emrat që u rikthyen në garë mund të jenë me dy pasoja të kundërta.
“Publikimi i listave të reja të kandidatëve për deputetë ka rikthyer disa figura të njohura të politikës kosovare, të cilat nuk arritën të sigurojnë ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit. Emra si Xhavit Haliti nga PDK-ja, Pal Lekaj dhe Besnik Tahiri nga AAK-ja, apo Enver Haliti nga VV-ja, rikthehen sërish në garë. Pyetja thelbësore është: a do të arrijnë këtë herë të rikuperojnë vota apo jo?
Rikthimi i tyre mund të ketë dy pasoja të kundërta. Nga njëra anë, këta emra kanë potencialin të mobilizojnë bazat tradicionale të partive, strukturat që kanë funksionuar për vite dhe që vazhdojnë të kenë ndikim real në komunitet. Në disa zona, vota vazhdon të jetë e personalizuar dhe e lidhur më shumë me individin sesa me partinë, gjë që u jep një avantazh kandidatëve me histori të gjatë politike. Kjo u krijon atyre një mundësi reale për t’u rikthyer në Kuvend, sidomos nëse realizojnë fushatë aktive dhe riorganizojnë rrjetet e tyre lokale”, deklaron Gashi.
Sipas tij, ulëset e deputetëve të rinj nuk janë të sigurta dhe ata rrezikojnë të humbasin pozicionin nëse nuk arrijnë të ndërtojnë bazë komunikimi të fuqishëm me elektoriatin.
“Nga ana tjetër, rikthimi i figurave të forta brenda partive rrit konkurrencën e brendshme dhe krijon presion për deputetët e rinj që fituan për herë të parë më 9 shkurt. Ulëset e tyre nuk janë të sigurta. Çdo votë brenda listës bëhet më e çmuar dhe më e kushtueshme, duke e bërë garën të tensionuar. Deputetët e rinj, që deri tani janë parë si frymë e re, rrezikojnë të humbasin pozicionin nëse nuk arrijnë të ndërtojnë bazë të vetën dhe të komunikojnë fuqishëm me elektoratin”, shprehet analisti.
Mungesën e Memli Krasniqit e të tjerëve, Gashi e konsideron si dobësim, por sipas tij, edhe ofrim hapësire për rifreskim.
“Situata brenda PDK-së paraqet një rast interesant analizimi. Mungesa e figurave si Memli Krasniqi dhe Ardian Kastrati në këto lista mund të shihet si dobësim, pasi humbet një pjesë e votës së personalizuar dhe e motivimit të strukturave të vjetra. Në disa rrethe, emrat e njohur kanë qenë faktor sigurie për mobilizimin elektoral. Megjithatë, kjo situatë mund të ofrojë edhe hapësirë për rifreskim: partia ka potencialin të sjellë në pah fytyra të reja, të reduktojë klientelizmin politik dhe të ofrojë një qasje më të orientuar drejt programit dhe ideve. Rezultati final varet nga mënyra si menaxhohet brenda partisë: një qasje pasive do t’i kushtojë PDK-së, ndërsa një strategji aktive mund ta shndërrojë mungesën e figurave të njohura në impuls për rinovim”, thekson Gashi.
Nëse partitë arrijnë të balancojnë veteranët dhe të rinj, atëherë ata mund të fitojnë më shumë se humbin.
“Në nivel politik më të gjerë, rikthimi i figurave të vjetra nuk garanton fitore. Ai shndërrohet në vlerë vetëm kur shoqërohet me fushatë të strukturuar, narrativë të qartë dhe kontakt të drejtpërdrejtë me bazën. Deputetët e rinj nga zgjedhjet e 9 shkurtit duhet të luftojnë për të ruajtur pozitat e tyre, sepse konkurrenca brenda listave është reale dhe e fortë.
Nëse partitë arrijnë të balancojnë veteranët dhe të rinjtë, duke ruajtur kohezionin, mund të fitojnë më shumë se humbin. Por nëse rikthimi i figurave të vjetra çon në fragmentim të brendshëm, pakënaqësi dhe shpërndarje të votave, humbësit do të jenë të gjithë: partitë, kandidatët e rinj dhe elektorati.
Prandaj, zgjedhjet e ardhshme nuk do të testojnë vetëm fuqinë e individëve, por edhe kapacitetin e partive për të menaxhuar tranzicionin midis brezave politikë. Rikthimi i disa figurave të njohura është shans, por jo siguri. Fitorja do t’i takojë atij që arrin të artikulojë qartë nevojën e elektoratit, të mbajë baza të mobilizuara dhe të projektojë qeverisje të besueshme – jo thjesht rikthim nostalgjik politik”, përfundon Gashi.