Diskriminimi vazhdon, Hasani pyet: Pse heshtin ndërkombëtarët për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc?

Politika

Diskriminimi vazhdon, Hasani pyet: Pse heshtin ndërkombëtarët për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc?

Nga: A.M. Më: 10 dhjetor 2025 Në ora: 21:40
Veprimtari nga Bujanovci, Refik Hasani

Sot, më 10 dhjetor, shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, një përkujtim i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e miratuar më 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Megjithatë, për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, kjo ditë nuk përfaqëson respekt për të drejtat e tyre, por përkujton diskriminimin dhe injorimin sistematik.

Në një prononcim për “Bota sot”, veprimtari nga Bujanovci, Refik Hasani, ka kritikuar mungesën e respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore, duke theksuar se në këtë rajon ka diskriminim të hapur dhe probleme politike të pazgjidhura.

“Në këtë rajon nuk kemi vetëm mosrespektim të të drejtave të njeriut, por diskriminim të hapur të tyre. Problemet politike mbeten të pazgjidhura, pavarësisht mbajtjes dhe organizimit të Referendumit të 1 dhe 2 mars 1992, kryengritjes së armatosur dhe luftës së UÇPMB-ës për mbrojtjen e pragut, dinjitetit dhe identitetit, si dhe Marrëveshjes së Konçulit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se heshtja institucioneve ndërkombëtare si OSBE, BE dhe OKB është një dëshmi e qartë e diskriminimit të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve në këtë trevë.

“Askush nga Prishtina dhe Tirana zyrtare, duke mos harruar OSBE-n, por edhe instanca të BE-së dhe OKB-së, nuk reagojnë së paku në këtë ditë ndërkombëtare të shënuar. Ky heshtje është një tjetër dëshmi e diskriminimit të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve në këtë rajon”, është shprehur ai.

Në fund, Hasani ka theksuar se mungesa e vëmendjes institucionale dhe ndërkombëtare tregon qartë se shqiptarët mbeten të lënë pas dore dhe pa mbrojtje, edhe pas dekadash përpjekjesh dhe sakrificash.

“Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut nuk mund të jetë thjesht një simbolikë. Është momenti për reagim të fuqishëm institucional dhe ndërkombëtar. Diskriminimi i shqiptarëve në këtë rajon duhet të marrë fund tani”, ka përfunduar Hasani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat