Gjatë ditës së djeshme, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, bëri të ditur se ka pranuar një letër zyrtare nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, përmes së cilës njoftohet se Komisioni Evropian ka vendosur të heqë shumicën e masave ndaj Kosovës.
Sipas Bislimit, vendimi lidhet me projekte në kuadër të programeve IPA, me një vlerë totale prej 34.6 milionë euro. Ai theksoi se institucionet e Kosovës kanë insistuar vazhdimisht për heqjen e këtyre masave dhe e mirëpriti këtë hap të radhës nga ana e Bashkimit Evropian.
Megjithatë, Bislimi nënvizoi se procesi duhet të vazhdojë sa më shpejt me heqjen e plotë të të gjitha masave të mbetura.
E në lidhje me këtë vendim të BE-së për sanksionet ndaj Kosovës, për “Bota sot” foli njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani.
Si fillim, ai tha se ky është një lajm i mirë për Kosovën dhe synimeve të saj për integrimin në BE.
“Bashkimi Evropian ka filluar heqjen e disa masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023, duke liruar fondet për disa projekte, por shumë të tilla mbesin akoma të bllokuara. Padyshim se ky është një lajm i mirë për Kosovën në marrëdhëniet e saja me BE-në dhe vazhdimin e rrugës eurointegruese, ndonëse akoma ka punë për t'u bërë”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Shabani potencoi faktin se Kosova në vazhdimësi ka bërë kërkesë për heqje të këtyre masave, derisa përmendi edhe qëndrimet e shteteve anëtare të KE-së.
“Edhe pse Kosova vazhdimisht bën kërkesën për heqjen e gjitha masave ndëshkuese nga BE, kjo e fundit ka deklaruar se edhe gjatë vitit që do pasojë nuk do të ndodh menjëherë një gjë e tillë. Komisioni Evropian ka kërkuar nga Kosova t'i paraqesë projektet edhe për përdorimin e fondeve të IPA-s, pra të para-anëtarësimit për periudhën 2026–2027, të cilat gjithsesi duhet të miratohen edhe nga Komisioni Evropian e të mbështeten nga vendet anëtare. Ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian diskutuan të martën në Bruksel për procesin e zgjerimit, duke miratuar konkluzionet për këtë proces. Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian, në pjesën për Kosovën bën thirrje që vendi të përshpejtojë hapin në rrugën drejt reformave”.
Ndër të tjera, Shabani foli edhe për kërkesat në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Po ashtu, theksoi edhe kërkesën ndaj Beogradit për të ndaluar kundërshtimet ndaj Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Ndër kërkesat e tjera është zbatimi i marrëveshjeve të arritura me Serbinë, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, përfshirë nevojën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërsa nga Serbia kërkohet që të nisë me njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës dhe të ndërpresë kundërshtimin ndaj anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, përmbylli Amir Shabani për “Bota sot”.