Analisti Agron Hoti vlerëson se zhvendosja e fokusit strategjik amerikan nga Evropa drejt Indo-Paqësorit është shenjë e uljes së rrezikut rus për kontinentin evropian dhe jo braktisje e aleatëve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten superfuqia më e madhe që ka njohur ndonjëherë njerëzimi, me kapacitete ushtarake dhe teknologjike të pakrahasueshme në tokë, det dhe ajër.
Kështu vlerëson analisti i sigurisë, Agron Hoti, duke theksuar se SHBA-ja është e vetmja fuqi globale që mund të projektojë forcë ushtarake brenda minutash në çdo cep të botës.
“SHBA-ja kontrollon hapësirën ajrore, detet dhe tokën në mënyrë të koordinuar, përmes nëndetëseve, aeroplanmbajtëseve, raketave ndërkontinentale, forcave tokësore dhe një rrjeti të avancuar satelitor. Një ‘harmonikë’ sigurie të tillë nuk e ka pasur askush tjetër në histori”, shprehet Hoti.
Sipas tij, shekulli XXI nuk fitohet më nga kontrolli i territorit, por nga dominimi i hapësirës ajrore dhe orbitale.
“Nuk është thënë rastësisht se kush kontrollon lartësitë, fiton betejat. Sot, këtë garë e ka fituar SHBA-ja”, vlerëson ai.
Hoti thekson se SHBA-ja historikisht e ka parë botën përmes prizmit të sigurisë dhe ka qenë e përqendruar njëkohësisht në tri fronte strategjike: Atlantikun, Oqeanin Indian dhe Paqësorin. Në lindje, përmes NATO-s, SHBA-ja ka garantuar sigurinë e Evropës dhe të Oqeanit Atlantik; në jug të Euroazisë ka mbrojtur Oqeanin Indian për të garantuar qarkullimin e lirë të energjisë dhe tregtisë; ndërsa në perëndim ka ndërtuar një zinxhir aleatësh në Paqësor për të frenuar fuqitë rivale.
“Me zhvendosjen e garës globale nga binomi Evropë–SHBA në binomin SHBA–Kinë, përqendrimi kryesor amerikan do të jetë Indo-Paqësori, pa e humbur nga vëmendja Atlantikun dhe Oqeanin Indian”, shpjegon ai.
Duke folur për luftën në Ukrainë, Hoti vlerëson se fuqia e Rusisë është dëshmuar e mbivlerësuar.
“Fakti që Rusia nuk ka arritur të pushtojë më shumë se rreth 15 për qind të territorit ukrainas për katër vite tregon qartë rënien e saj si kërcënim strategjik për Evropën”, thotë analisti.
Sipas tij, SHBA-ja ka arritur fitore të qarta në Ukrainë: Evropa ka ndërprerë varësinë energjetike nga Rusia dhe Moska ka dështuar të realizojë objektivat e saj ushtarake.
“Rusia sot po kërkon një strategji dalëse nga Ukraina, sepse ndodhet në një pat-pozicion ushtarak dhe politik”, thekson Hoti.
Ai vlerëson se objektivi madhor amerikan – parandalimi i dominimit të Euroazisë nga një hegjemon i vetëm – është realizuar.
“Kanë dështuar Napoleoni, Hitleri, Stalini dhe së fundmi Putini. Kjo është fitore e padiskutueshme e SHBA-së”, shprehet ai.
Në këtë kontekst, Hoti argumenton se ulja e angazhimit amerikan në Evropë nuk duhet parë si braktisje, por si shenjë se rreziku rus është zbehur.
“Evropa tashmë ka kapacitete për ta frenuar Rusinë, ndërsa SHBA-ja do të kujdeset që Moska të mos rrëshqasë nën ndikimin e Kinës”, vlerëson ai.
Në përfundim, analisti thotë se evropianët duhet ta mirëpresin përqendrimin amerikan në Indo-Paqësor.
“Kjo është dëshmi se Rusia nuk përbën më kërcënim ekzistencial për Evropën. Paqja që po afrohet mes Evropës dhe Rusisë është sukses para së gjithash i SHBA-së – sukses nga i cili përfitojnë edhe shqiptarët”, përfundon Hoti.