Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se është finalizuar dhe nënshkruar kontrata kornizë me kompaninë amerikane “AM General”.
Me këtë marrëveshje, FSK-ja do të furnizohet me sistemet e avancuara HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer, duke rritur ndjeshëm kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Analisti Driton Tali, thekson se armatosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës duhet përshëndetur, pasi i shërben sigurisë së Kosovës dhe paqes në rajon.
Sipas tij, sa më e fuqishme të jetë Kosova ushtarakisht, aq më shumë dekurajohet Serbia nga sulmi.
Ai vlerëson se blerjet e armatimit duhet të jenë transparente, në mënyrë që edhe qytetarët e Serbisë të kuptojnë pasojat e një agresioni, duke shtuar se pa fuqizim ushtarak, dialogu Kosovë–Serbi do të mbetet i gjatë dhe pa rezultate të qëndrueshme.
“Çdo tentim për armatosjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës duhet përshëndetur sepse parasegjithash armatimi i Kosovës i shërben sigurisë së Republikës tonë por njëherësh edhe paqes dhe stabilititetit të rajonit.
Sa më e armatosur Kosova aq më shumë do të dekurajohet Serbia për të sulmuar. Për faktin se "kjo Serbi" e njeh vetëm forcën. Dhe, unë them, se blerja e armatimit duhet të jetë transparente, ashtu që të informohen qytetarët e Serbisë për këto zhvillime. Që ta kuptojnë se nëse Qeveria tyre vendos ta sulmojë Kosovën, ta dinë se çka ju pret.
Unë ka disa vite që në vazhdimësi e potencoj këtë argument ngase bisedimet Kosovë - Serbi, pa fuqizim të Kosovës në aspektin militar, do të zgjasin edhe shumë vite pa ndonjë epilog domethënës, dhe natyrisht marrëdhëniet dhe siguria rajonale do të jenë të brishta” – deklaron ai.
Si përfundim Tali, vlerëson se kjo blerje armësh duhet parë si forcim i sigurisë dhe si hap strategjik që thellon partneritetin me SHBA-të.
Sipas tij, kontrata është “win-win”, sjell përfitime të ndërsjella dhe meriton vlerësim për veprimin e ministrit.
“Pra, këtë blerje të këtyre armëve duhet t'i shikojmë nga ky pikëvështrim fillimisht, dhe pastaj nga këndëvështrimi i asaj se kjo kontratë çfarë mund të prodhojë, në relacionin e partneritetit me ShBA'të, e që natyrisht se do i përforcojë edhe më shum marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor, ShBA'në.
Pra thënë shkurt kjo kontratë është "win-win" e cila sjell përfitime të dyanshme dhe duhet të duartrokasësh minstrin për këtë veprim” – përfundon ai.