Rreziku i bllokadës së re: Zgjedhjet që vendosin të ardhmen e Kosovës

Politika

Rreziku i bllokadës së re: Zgjedhjet që vendosin të ardhmen e Kosovës

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 20 dhjetor 2025 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Dita e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë po afrohet, ndërsa partitë politike tashmë kanë nisur fushatat e tyre zgjedhore, duke shpalosur programet dhe premtimet e tyre para qytetarëve.

Këto zgjedhje vijnë në një moment të rëndësishëm për vendin, kur Kosova përballet me sfida të shumta politike, ekonomike dhe ndërkombëtare, duke e bërë procesin zgjedhor vendimtar për drejtimin e ardhshëm të shtetit.

Megjithatë, përvojat nga proceset e kaluara zgjedhore në Kosovë ngrenë shqetësime serioze lidhur me mundësinë e një bllokade institucionale edhe pas këtyre zgjedhjeve.

Fragmentimi i skenës politike, mungesa e konsensusit ndërmjet partive dhe vështirësitë në krijimin e shumicave parlamentare kanë qenë shpesh burim krizash politike dhe vonesash në funksionalizimin e institucioneve. Në këtë kontekst, shtrohet pyetja nëse zgjedhjet e reja do të sjellin stabilitet dhe qeverisje efektive, apo nëse Kosova rrezikon të hyjë sërish në një periudhë pasigurie dhe bllokade politike.

E për këtë temë, për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve politike.

Ndoj: Të gjitha gjasat janë që kriza të vijojë edhe pas këtyre zgjedhjeve

Së pari, opinionisti Llesh Ndoj, tha se kriza mund të vijojë, duke marrë parasysh faktin se mandati i presidentes thuajse është në përfundim.

“Nga ndjekja e situatës së vitit të fundit, mendoj se janë të gjitha gjasat që kriza të vijojë edhe pas këtyre zgjedhjeve dhe të ndërlikohet edhe më tej me mbarimin e manadtit të Presidentit”.

Image
Llesh Ndoj

Kraha kësaj, ai në prononcimin për “Bota sot”, krizën e ndërlidhi edhe me përçarjet mes partive dhe refuzimin për bashkëpunim.

Po ashtu, vlerëson se LVV është padyshim forcë e parë, por që nuk beson se do arrijë të marrë shumicën e votave, dhe kësisoj duhet të ketë koalicion qeverisës.

“Ky konkluzion i imi lidhet me ndasitë e thella mes VV dhe spektrit tjetër politik. VV ka gjasa të rikonfirmohet forcë e parë, por me numra të pamjaftueshëm për ngritjen e instutucioneve, ndërsa partitë opozitare as janë të afta të bëjnë koalicion mes tyre, as me VV. Kuptohet pakicat kanë edhe ato peshën e tyre që e ndihmon krizën të zhvillohet në shtratin e saj”, përfundoi Llesh Ndoj për “Bota sot”.

Vuniqi: Një bllokadë e re institucionale do të kishte pasoja të rënda për stabilitetin e vendit

Ndërsa, edhe publicisit Agim Vuniqi, vlerëson se ka rrezik real për krizë dhe bllokadë të re institucionale pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” paralajmëroi se një bllokadë e re do sjellte pasojë të rënda për vendin.

“Bazuar në analizat e mia të deritanishme, rreziku është real dhe nuk duhet nënvlerësuar. Sistemi ynë politik, i fragmentuar dhe i polarizuar thellë, ka prodhuar shpesh parlamente pa shumicë funksionale, ku interesat partiake kanë dominuar mbi përgjegjësinë shtetërore. Historia e pasluftës na ka mësuar se fitorja zgjedhore nuk është domosdoshmërisht fitore qeverisëse, ndërsa mungesa e kulturës së kompromisit e ka kthyer Kuvendin në arenë bllokadash, jo vendimmarrjeje.

Një bllokadë e re institucionale do të kishte pasoja të rënda për stabilitetin e vendit: do të dobësonte besimin e qytetarëve në demokraci, do të dërgonte sinjale negative te partnerët ndërkombëtarë dhe do ta linte Kosovën të ekspozuar përballë sfidave të brendshme dhe presioneve të jashtme, sidomos në një moment kur rajoni është politikisht i brishtë dhe gjeopolitikisht i tensionuar”, shtjelloi opinionisti.

Image
Agim Vuniqi

Krahas kësaj, Vuniqi komentoi edhe mundësinë që partitë të arrijnë ndonjë marrëceshje për bashkëpunim, ku me këtë rast dhe se kjo gjë varet nga disa gjëra.

Ai tha se vetëm nëse nuk bëhen kalkulime partiak, do kishte sukses një marrëveshje politike.

“A do të arrijnë partitë politike ndonjë marrëveshje? Kjo varet më pak nga matematika parlamentare dhe më shumë nga pjekuria politike. Marrëveshjet janë të mundshme vetëm nëse interesat shtetërore vendosen mbi kalkulimet afatshkurtra partiake. Pa një kontratë politike minimale për funksionalitet institucional, çdo qeveri e ardhshme rrezikon të jetë e përkohshme dhe e paralizuar”.

Në fund, ai dha një mesazh për zgjedhjet dhe formimin e institucioneve funksionale.

“Zgjedhjet nuk janë qëllim në vetvete, por mjet për ndërtimin e institucioneve funksionale. Nëse klasa politike nuk e kupton këtë, atëherë kriza pas zgjedhjeve nuk do të jetë aksident, por produkt i drejtpërdrejtë i papërgjegjësisë politike”, përmbylli Agim Vuniqi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat