Edhe pak ditë kanë mbetur që nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit dhe kandidatët vazhdojnë me premtime e deklarime që ta bindin qytetarin për votë.
Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin Albin Kurtin, ka premtuar vazhdimisht rritje të pagave dhe të shtesave prej 100 eurosh.
Kurti në një tubim elektorial në Ferizaj, ka numëruar projektet që qeveria e tij i ka realizuar deri më tani
Para mbështetësve të mbledhur në palestrën “Bill Clinton”, Kurti të shtunën ka listuar si të arritur të qeverisjes së tij rritjen e pensioneve për të moshuarit nga 90 në 150 euro teksa është zotuar se gjyshërit që kujdesen për nipat dhe mbesat do të marrin edhe nga 100 euro shtesë.
“Pensioni është rritur nga 90 euro sa e kemi gjetur në 150 euro për moshën mbi 65 vjeç, pra pensioni bazik, e për dy pensionistë kjo i bie një rritje prej 144 euro në atë familje. Kur kësaj ia shtojmë edhe nga 100 euro gjatë këtij mandati 4-vjeçar, pra pensioni i 13-të është marrë pesë herë për katër vjet…Kur punojnë të dy prindërit ata në vijim do të marrin edhe 100 euro shtesë secili mbi pensionin e tyre bazik. Kësisoj gjyshërit nuk janë më të detyruar të shpenzojnë pensionin për t’i gëzuar nipërit e mbesat, sepse tash edhe fëmijët i kanë mjetet e tyre përmes shtesave”, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur edhe shtesat për fëmijë.
“Shtesat për fëmijë i kemi gjetur 0 euro që do të thotë nuk i kemi gjetur fare. Ia filluam me 10 euro, pastaj 20 euro, 30 euro, së fundmi 45 euro e në mandatin e ardhshëm për ata që i kanë tre fëmijë shtesat do të jenë nga 90 euro”, është zotuar kandidati i LVV-së për kryeministër.
Kurti i ka përmendur edhe çerdhet për fëmijë të ndërtuara gjatë mandatit të tij qeverisës ndërsa për qeverisjet e mëparshme ka pasur kritika në këtë aspekt.
“I kemi përfunduar 74 çerdhe si projekte, renovim, ndërtim, rindërtim e kështu me radhë. Me ç’rast kjo duhet krahasuar me vetëm 4 çerdhe të atyre për 17 vjet para se të vijmë ne në qeveri. Merreni me mend 74 çerdhe ne për 4 vjet e 9 muaj, vetëm 4 çerdhe ata për 17 vjet”, është shprehur ai.
Kurti ka premtuar gjithashtu se, nëse e merr mandatin e tretë, qeveria e tij do të vazhdojë rritjen ekonomike dhe rritjen e pagave.
“Në vitin e ardhshëm, jo vetëm që vazhdojmë t’i rrisim pagat me rritjen ekonomike dhe produktivitetin në rritje por njëkohësisht në vitin e ardhshëm me ligjin e ri për buxhetin 2026 do ta kemi edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik”, është zotuar ai.
Kryetari i Vetëvendosjes ka premtuar mbështetje për nënat lehona, të cilave është zotuar se do t’ua sigurojë nga 500 euro për gjashtë muajt e parë pas lindjes së foshnjave.
Para ferizajasve, ai ka bërë zotim që gjatë qeverisjes së ardhshme do të ketë vazhdim të mbështetjes në bujqësi, në ekonomi si dhe në avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Sa i përket ushtrisë, e kemi gjetur me më pak së 2 mijë e 300 ushtarë, tashmë i ka më shumë se 5.000 ushtarë dhe njëkohësisht e kemi hequr tavanin për 5.000 ushtarë. Mund të bëhen edhe më shumë. Mosha e ushtarëve ka qenë 23-vjeçe, e kemi ngritur në 25. I kemi rreth 300 gra e vajza në ushtri, jemi të interesuar që të bëhen 1.000 gra e vajza në Ushtrinë e Kosovës. Por gjithashtu katërfish kemi pasur në trajnimet jashtë vendit trefishim të buxhetit dhe më shumë se 100-fishim të shpenzimeve për armatim dhe municion… Ne nuk e konsiderojmë që për ushtrinë tonë të blejmë tanke, neve nuk ka duhen tanket, por a e dini çka, nuk i duhen as Serbisë më, sepse me sistemin tonë antitank i bëhen të padobishme e të papërdorshme”, ka thënë Kurti.
Rritje të pagave dhe pensioneve ka premtuar edhe kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza.
Ai thotë se me ardhjen e tij në pushtet do të rriten pagat dhe pensionet, rritje të cilën e ka quajtur kualitative.
“Qytetarët duan parashikueshmëri, çdo përkrahje e qytetarëve është e mirëseardhur, është e mirë por ata duan parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri. Kjo nënkupton t’i duhet t’i rrisësh pagat, dhe pagat të jenë në kontinuitet, pensionet të jenë në kontinuitet, jo me iu dhënë një ndihmë të njëhershme dhe qytetari të mos e di kur i vjen tjetra dhe a ndodh tjetra. Përtej kësaj, kjo duhet të bëhet në kohë dhe me ligj, në procedurë ligjore, në kohë dhe me qenë të përhershme”, ka thënë Hamza.
Ai ka treguar se për cilët kategori të pensioneve do të ketë rritje.
“Prandaj, prej vendimeve të para ka me qenë rritja e pagave, rritja e pensioneve të të gjitha kategorive, edhe pensioneve bazike edhe atyre kontributdhënëse, edhe kategoritë e dala nga lufta, personat paraplegjikë, tetraplegjikë, viktimat e dhunës seksuale”, ka thënë Hamza.
Planin 3 vjeçar e ka prezantuar edhe kandidati i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai ka bërë të ditur se pensioni bazik do të jetë 200 euro në vitin e parë të qeverisjes, tdo të rritet në 250 euro në vitin e dytë dhe do të arrijë në 300 euro në vitin e tretë.
Sipas tij, kjo rritje synon t’u sigurojë pensionistëve kushte dinjitoze jetese.
“Pensionistët nuk janë në harresë. Ky nuk është një premtim elektoral, por një akt drejtësie për ata që e ndërtuan këtë shtet”, ka deklaruar Abdixhiku, duke theksuar se gjeneratat që kanë kontribuar në ndërtimin e Kosovës meritojnë respekt dhe siguri sociale.
Premtime për rritje të pagës, pensione e mirëqenie të qytetarëve nuk ngurojnë të bëjnë as kandidatët e AAK-së (Rumush Haradinaj), e Nis ma-s (Fatmir Limaj).
Analistët politikë thonë qytetarët duhet t’i shikojnë programet politike, sepse ka premtime paushallë, të pompuara. Sipas tyre, ka atmosferë që qytetari ka vështirë të orientohet.
Fushata në Kosovë dhe kandidatët akademikë
Analisti Skënder Zogaj, thotë se në Kosovë mbahen tubime të porositura.
Sipas tij, në fushata ka fraza akademike me përmbajtje të cekta, me tone fyese dhe akuza të rënda.
“Fushatat elektorale janë rast i mirë për t’u shprehur mundësitë zhvillimore të vendit dhe mënyrat e realizimit të projekteve zhvillimore të vendit. Ky është qëllimi i fushatave elektorale, dhe partitë politike dhe kandidatët e tyre do të duhej ta shfrytëzonin për të njoftuar elektoratin konkretisht kush hanë dhe çka do të bëjnë? Kjo është mënyra e organizimit të fushatave zgjedhore në vendet e civilizuara, që pa zhurmë e rrëmujë, pa militaritete të gufta, urtësisht dhe thjeshtë tregohen me ca fjalime të thjeshta, por përmbajtësore! Në Kosovë ndodh e kundërta; mbahen tubime të porositura, në to mbahen fjalime po pompoze që nuk thonë asgjë (për kuptimin e shumicës elektorale), fjalime me fraza akademike më përmbajtje të cekta, e edhe më e keqja, ka edhe tone fyese dhe akuza të rënda!”, deklaron Zogaj.
Ai kandidatët për kryeministër i konsideron të njohur për opinionin dhe sipas tij ata kanë dëshirë për pushtet.
“Në kësi atmosfere votuesi e ka vështirë të orientohet, aq më pak të mund të kontribuojë në zgjedhjen e kandidatëve cilësor e të denjë për Kosovën që ndodhet në udhëkryq! Kandidatët për kryeministër janë kryesisht të njohur për opinionin dhe sa është thënë këto ditë, të gjithë mbeten konseguent të pikëpamjeve tanimë të njohura partiake, që e tregojnë fuqishëm dëshirën për pushtet, e më pak atë për shtet! Por listat për deputet janë me numër më të madh kandidatësh me vlera intelektuale e profesionale, prandaj uroj që, të tillët të fitojnë në të gjitha subjektet partiake!”, shton analisti.
Premtime marramendëse, paushallë, të pompuara e gënjeshtra
Ndërsa, analisti Gani Qarri, kritikon kandidatët nga ish- opozita.
Ai sheh çmenduri dhe hipokrizi të llojit të politikanëve të degjeneruar.
“Të presësh rritje 50 % të pagave nga ata të cilët, vetëm pak javë më parë kanë bllokuar edhe buxhetin e vendit dhe ndihmat ndërkombëtare, duke rrezikuar funksionalitetin e shtetit, përkeqësuar gjendjen sociale të qytetarëve dhe quar në humbjen e qindra miliona eurove ndihma nga Plani për Rritje i BE-së dhe Banka Ndërkombëtare, është vërtetë çmenduri dhe hipokrizi e llojit të politikanëve të degjeneruar jo vetëm politikisht por edhe moralisht, të cilët dëmin e rëndë që ia kanë shkaktuar Republikës së Kosovës me mosvotimin e buxhetit dhe mosmiratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, me mashtrime të tilla po përpiqen tu qesin hi syve qytetarëve, me shpresën e heshtur, se kjo është mënyra e vetme, që u ka mbetur, për të marrë ndonjë votë më tepër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, deklaron Qarri.
Ai thotë se qytetarët para se t’iu besojnë sloganeve të partive politike, duhet t’i shikojnë programet.
“Premtimet e tilla marramendëse, që të bëhen të besueshme edhe për qytetarët, duhet të shoqërohen me projekte të mirë-studiuara dhe transparencë të plotë nga ekspertët e fushave përkatëse për realizimin e tyre, të shpjegohet se nga do ti marrin mjetet dhe kush- e si do të përfitojë nga këto rritje, të shpalosen treguesit bindës se në bazë të cilave kritere është e mundshme të realizohet kjo rritje tre-dimensionale, të shpjegohet se a do të bëhet luftimi i korrupsionit, përshpejtimi i zhvillimit ekonomik, përmirësimi i cilësisë së arsimit, sanimi i shëndetësisë etj dhe për të gjitha këto, të ofrohet plani me afatet konkrete të realizimit të tyre, për të fituar besimin dhe votën e qytetarëve. Unë mendojë se qytetarët e Kosovës, para se tu besojnë sloganeve të partive politike, për rritje 50% të pagave, në vend se kandidatët për kryeministër të zotohen për luftimin e korrupsionit, nepotizmit, evazionit financiar, reformimin e sistemit gjyqësor e prokurorial dhe krijimin e kushteve jetësore për punësim dhe mbështetje të të rinjve, që ata të mos largohen nga vendi, por të punojnë e kontribuojnë për vendin e tyre, fillimisht duhet ti shikojnë programet zgjedhore të kandidatëve, ndërsa ata kandidatë që bëjnë premtime pa mbulesë, duhet të zotohen para qytetarëve se do të mbajnë edhe përgjegjësi nëse, premtimet e tyre nuk arrijnë ti realizojnë, ndryshe nëse premtimet e kandidatëve për kryeministër edhe në këtë fushatë zgjedhore, nuk bazohen në treguesit realë të jetësimit, sipas gjendjes ekonomike të vendit dhe mundësitë financiare të shtetit, çdo premtim jashtë këtyre parametrave është bosh dhe mashtrim publik i qytetarëve”, pohon analisti.
Qarri shton se ka premtime paushallëdhe premtime pa mbulesë, të pompuara me frymë të gënjeshtërt.
“Premtimet paushallë që nuk përputhen me mundësitë financiare të shtetit as gjendjen ekonomike të vendit, nga figura të padëshmuara se i kanë realizuar ndonjëherë premtimet e dhëna, derisa edhe nga përvoja me ta- në të kaluarën, njohim rritje pagash vetëm deri 4-5 %, propagandimet për rritje pagash 50% , të kandidatëve të tillë për kryeministër, janë thjeshtë premtime pa mbulesë, e pse jo edhe sajime tullumbacesh, të pompuara me frymë të gënjeshtërt njëpërdorimshme, vetëm sa për këtë fushatë elektorale, andaj qytetarët përveç njohjes me programet duhet ta përcjellin me kujdes edhe performancën e kandidatëve, para se tu besojnë premtimeve paushallë të tyre për realizimin e të cilave Kosova nuk ka potenciale ekonomike as mundësi reale financiare, përmasa të pabesueshme, që edhe ata vet e dinë mirë, se nuk mund të realizohen”, përfundon Qarri.