Qeveria Kurti dhe presidentja Osmani përballë opozitës: Kush i hoqi masat e BE-së?

Politika

Qeveria Kurti dhe presidentja Osmani përballë opozitës: Kush i hoqi masat e BE-së?

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 24 dhjetor 2025 Në ora: 10:00
Vjosa Osmani

Kosovës do t’i hiqen të gjitha masat e BE-së në fund të muajit janar. Kështu ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndërkohë, Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thënë se BE-ja ka qenë e padrejtë ndaj Kosovës dhe se meritat për heqjen e sanksioneve nuk i takojnë qeverisë, por opozitës dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.

“Bashkimi Evropian ka qenë i padrejtë në mënyrën se si e ka trajtu Kosovën. Më së pakti ka qenë meritë e qeverisë dhe zotit Kurti, nëse ai bën përpjekje që të merrë meritë unë them që Kurti e ka parë vetëm në media lajmin se nuk ka pas lidhje për atë se çka po ndodh në Bruksel. Meritor më shumë e shoh opozitën, letren e zotit Hamza dërguar në Paris e në Bruksel, por letrën edhe të kryetarit të LDK-së, dërguar qendrave evropiane sesa ndonjë kontribut të zotit Kurti. Por kontributi konkret ka qenë i Edi Ramës, i cili në darkën e Samitit, Ballkan – Bashkim Evropian, ka qenë Edi Rama i cili e ka bind Macronin dhe Melonin që këta të marrin vendim për heqjen e sanksioneve”, ka thënë Hoxhaj mes tjerash në një intervistë.

Dugolli: Kush qëndron edhe fiton, Qeveria Kurti ka qëndruar prandaj edhe kemi fituar

Kandidati për deputet, Enver Dugolli, ka thënë se masat e BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta, gjë që sipas tij e kanë ditur edhe vetë shtetet anëtare.

Ai theksoi se heqja e tyre tani është e rëndësishme dhe se opozita nuk ka pasur asnjë rol në këtë proces, madje me qëndrimet e saj ka ndikuar në hezitimin e disa shteteve.

Sipas Dugollit, Qeveria Kurti ka punuar vazhdimisht për t’i bindur këto shtete se masat duhet të hiqen, dhe kjo këmbëngulje ka sjellë fitoren.

Image
Enver Dugolli

“Masat kanë qenë të padrejta dhe këtë gjë e kanë ditur edhe vet shtetet anëtare të BE-së. Është më rëndësi qe tani këto masa po hiqen. Fatkeqësisht opozita nuk ka ndikuar aspak në heqjen e tyre. Përkundrazi, me qëndrimet e tyre kundër qeverisë, në vazhdimësi kanë ndikuar edhe tek disa shtete qe të shfaqin hezitimin e tyre për ti hequr ato.

Qeveri Kurti ka punuar në vazhdimësi që t’i bindë këto shtete qe masat duhen hekur sepse kanë qenë të padrejta.

Kush qëndron edhe fiton. Qeveria Kurti ka qëndruar prandaj edhe kemi fituar”, ka thënë ai.

Hajdaj: Enver Hoxhës së PDK-së i them se dihet kush ashtë angazhuar për heqjen "sanksioneve " të padrejta të vëna ndaj Kosovës

Anëtari i kryesisë së Guxo, Kujtim Hajdaj, shprehet për “Bota sot”, se deklaratat e PDK-së ndaj Albin Kurtit janë narrativë e rrejshme dhe elektorale.

Ai tha se PDK dhe opozita kanë qenë ato që kanë shtyrë për vendosjen e masave të padrejta ndaj Kosovës, ndërsa tani po sillen në mënyrë hipokrite.

Sipas Hajdajt, heqja e masave është rezultat i përmirësimit të gjendjes politike në veri pas zgjedhjeve lokale dhe krijimit të një realiteti të ri falë politikave të Qeverisë Kurti, e cila ka vendosur rend, institucione shtetërore dhe lëvizje të lirë, të vlerësuara edhe nga BE-ja.

“Ne i njohim qysh më parë se çka nënkuptojnë  deklaratat e PDK, si kjo e Enver Hoxhës, kur është në pyetje Albin Kurti. Kjo është një narrativë e rrejshme të cilën Enver Hoxha po mundohet t'ia shes elektoratit të PDK-es përpara zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Kur ky po thotë "BE ishte e padrejtë ndaj Kosovës" kësaj i thonë hipokrizi, sepse ashtë vet PDK dhe partitë tjera opozitare që e kanë shty përpara vënien e masave të padrejta ndaj Kosovës, si kundërshtim ndaj politikës qeverisëse të Albin Kurtit në Veri të Mitrovicës.

Image
Kujtim Hajdaj

Tanimë, të kuptojmë drejtë se kush në të vërtet ka ndikuar në heqjen e masave. Unë mendoj se është vet përmirësimi i gjendjes politike dhe realiteti i ri i krijuar pas zgjedhjeve lokale në Veri të Mitrovicës që i ka shty shtetet e BE që të heqin dorë nga vazhdimi i mëtejmë i masave të padrejta kundër Kosovës. Pra, pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit të këtij viti u bë e mundur - për herë të parë - bartja e pushtetit lokal në mënyrë paqësore dhe demokratike tek partitë serbe minoritare, gjë që ka ndiku në heqjen e këtyre masave kundër Kosovës.

Dhe kjo është kryekëput meritë e Qeverisë Kurti, pasi që me politikën e vet të guximshme e krijoi realitetin e ri në veri të Mitrovicës, ku tashmë atje e kemi të shtrirë dorën e shtetit dhe ku i kemi të instaluar simbolet dhe institucionet tona shtetërore të sigurisë, por edhe kur tashmë janë krijuar kushtet e lëvizjes së lirë në njerëz dhe mallra, gjë të cilën UE e ka vlerësuar shumë”, shprehet ai.

Tutje, Hajdaj tha se në samitin e BE-së u vlerësua lartë angazhimi i Presidentes Vjosa Osmani për heqjen e masave ndaj Kosovës, përmes lobimit të saj në BE dhe SHBA, duke theksuar se ajo mbetet figurë kyçe për stabilitetin e vendit te aleatët evro-atlantikë.

Ai akuzoi PDK-në se ka lobuar për vendosjen e masave për t’i bërë presion Qeverisë Kurti dhe se nuk është gëzuar për heqjen e tyre.

Në fund, thotë se merita kryesore për heqjen e masave i takon Presidentes Osmani dhe Qeverisë Kurti, ndërsa opozita do të mbetet jashtë pushtetit.

“Në samitin e BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor, u vlerësua lartë angazhimi i Presidentes Vjosa Osmani, që më muaj të tërë ka lobuar tek vendet e BE por edhe tek SHBA, duke u thënë se tanimë s'kishte asnjë arsye që të vazhdoheshin masat kundër Kosovës. Edhe vizita tjetër me radhë e Presidentes në SHBA në takim me zëvendëssekretarin e shtetit, Chirstopher Landau, tregon qartë se Presidentja Vjosa Osmani ka qenë dhe mbetet në epiqendër të aleatëve tanë Euro-Atlantik, sa i përket stabilitetit politik të Kosovës. Dhe çka mendoj unë për këtë deklaratë të Enver Hoxhës? Në të vërtet Enver Hoxha i nuk i është gëzuar heqjes së "sanksioneve" të Kosovës, sepse PDK ka lobu pa ndërprerë për ato masa - le të themi shumë qartë - kundër qeverisë së Kosovës, duke menduar se ashtu mund t'i bëhej presion politik Albin Kurtit për të heq dorë nga Veriu i Mitrovicës.

Dhe në fund, unë do i kisha ba pyetje Enver Hoxhës së PDK-së, se a ishte meritë e Edi Ramës që donte me ba veriun e Mitrovicës "tokë të askujt "

Apo, a ishte edhe meritë e Edi Ramës që donte me fut Kosovën në "Open" Serbia

Pra, Enver Hoxhës së PDK-së i them se dihet kush ashtë angazhuar për heqjen "sanksioneve " të padrejta të vëna ndaj Kosovës. Dhe sigurisht, Enver Hoxhës nuk ia qet goja se merita kryesore e heqjes së masave ndaj Kosovës i takon zonjës së hekurt, Presidentes Vjosa Osmani.

Dhe krejt në fund.., ne i themi Enver Hoxhës së PDK-es dhe Edi Ramës se kanë me këqyr prej televizioni Qeverinë Kurti 3”, përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat