Kosova ndodhet aktualisht në një udhëkryq politik dhe diplomatik. Konfirmimi i mbështetjes amerikane është një sinjal jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe pozitiv për të ardhmen e saj, pasi SHBA-ja mbetet aleati kryesor i shtetësisë së Kosovës.
Megjithatë, kjo mbështetje erdhi edhe me kërkesën për vazhdimin e dialogut me Serbinë, çka e vendos Prishtinën përballë vendimeve të vështira.
Gjasat që Kosova ta vazhdojë dialogun janë të larta, por jo pa kushte dhe jo në formën e deritanishme, ashtu siҫ deklarojnë vazhdimisht njohësit politik. Mirëpo, nëse Kosova refuzon dialogun, me një veprim të tillë ado të rrezikonte raportet me SHBA-në dhe BE-në?
Megjithatë, dialogu ka hyrë në një fazë ku më nuk mund të jetë formal dhe pa rezultate konkrete.
Burjani: Dialogu përballë vështirësive në rrethanat aktuale
Profesori i së drejtës, Blerim Burjani, vlerëson se në rrethanat aktuale dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është praktikisht i pamundur. Sipas tij, procesi ka humbur drejtimin dhe nuk ekziston gatishmëri reale nga asnjëra palë për një dialog efektiv që do të prodhonte rezultate konkrete, përfshirë njohjen reciproke.
“Në këto rrethana dialogu vështirë se mund të vazhdojë, sepse ka humbur rruga në oborr”, shprehet Burjani, duke theksuar se mungon vullneti politik për një proces serioz dhe të qëndrueshëm.
Ai thekson se themelimi i Asociacionit, ashtu siç është paraparë, nuk mund të pranohet nga Kosova, veçanërisht nëse ai merr karakter monoetnik. Sipas Burjanit, drafti aktual i Bashkimit Evropian për Asociacionin është i papranueshëm.
“Nuk do të ketë asociacion monoetnik dhe me draftin e BE-së për asociacionin, që është gjysmë Republika Srpska në miniaturë, mbyllet plotësisht rruga e dialogut”, deklaron ai.
Në këtë kontekst, Burjani vlerëson se dialogu politik si proces i ri nuk do të vazhdojë më, por fokusi do të zhvendoset në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.
“Pra, nuk do të ketë më dialog, por vetëm zbatim të marrëveshjeve të Brukselit. Marrëveshjet duhet të zbatohen pa kushte, ashtu siç kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundon Burjani.
Hoti: Hapat institucionalë vendimtarë për raportet e Kosovës me BE-në
Analisti politik Agron Hoti; vlerëson se rikthimi i Listës Serbe në institucionet komunale në veri është interpretuar nga Bashkimi Evropian si një sinjal pozitiv drejt shtensionimit të situatës, çka ka ndikuar edhe në heqjen e pjesshme të sanksioneve ndaj Kosovës.
“Rikthimi i Listës Serbe në komunat veriore u konsiderua nga BE-ja si një hap drejt shtensionimit të situatës. Mbi këtë bazë, u hoq një pjesë e sanksioneve të BE-së”, thekson Hoti.
Megjithatë, sipas tij, këto zhvillime nuk janë të mjaftueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me BE-në. Ai nënvizon se qeveria e re e Kosovës, sapo të formohet, do të ketë obligime të qarta dhe urgjente në raport me dialogun.
“Qeveria e re e Kosovës, kurdo që të formohet, e ka për obligim që, së pari, ta dërgojë Draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese dhe, menjëherë pas kësaj, t’i kthehet dialogut”, shprehet Hoti, duke paralajmëruar se pa këto hapa, heqja e plotë e sanksioneve mbetet e pamundur.
“Pa këto dy veprime, gjasat që sanksionet e BE-së të hiqen plotësisht janë të vogla”, shton ai.
Hoti vlerëson se Kosova po humb një nga resurset më të rëndësishme strategjike – kohën – ndërsa mungesa e institucioneve funksionale në veri po thellon pasigurinë.
“Kosova po humb atë që nuk kthehet kurrë: kohën”, thotë ai, duke theksuar se përveç pranisë policore, institucionet shtetërore janë pothuajse inekzistente në atë pjesë të vendit. “Sa më gjatë që vazhdon kjo gjendje, aq më e pasigurt bëhet e ardhmja atje”, paralajmëron Hoti.
Sipas analistit, rruga e Kosovës deri më tani ka qenë e suksesshme falë bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, ndërsa çdo largim nga ky orientim do të kishte pasoja serioze.
“Kosova ka arritur deri këtu vetëm falë bashkëpunimit me SHBA-në dhe BE-në. Çdo devijim nga ky kurs do të na çojë drejt një izolimi të mëtejmë, izolim të cilin tashmë po e përjetojmë të gjithë”, thekson ai.
Në fund, Hoti bën thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe miratimin e buxhetit për vitin 2026, duke paralajmëruar rreziqe serioze për funksionimin e shtetit.
“Formimi i Qeverisë së re duhet të ndodhë sa më shpejt dhe buxheti për vitin 2026 duhet të miratohet”, thotë Hoti, duke shtuar se “pa buxhet dhe pa institucione funksionale, Kosova rrezikon seriozisht të shndërrohet në një shtet të dështuar”.
“Uroj që klasa politike ta kuptojë drejtimin e rrezikshëm në të cilin mund të rrëshqasë vendi”, përfundon ai.