Një “nokaut” për LDK-në: Edhe pas humbjes fatale, Abdixhiku sikur Mustafa, bën kalkulime?

Politika

Një “nokaut” për LDK-në: Edhe pas humbjes fatale, Abdixhiku sikur Mustafa, bën kalkulime?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 29 dhjetor 2025 Në ora: 14:08
Lumir Abdixhiku

Nga zgjedhjet e së dielës, Lëvizja Vetëvendosje doli bindshëm fituese. Nga gjithë matjet, deklarimet e anketat e ndryshme e në fund rezultati zgjedhor, dëshmuan fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, duke ia siguruar edhe një mandat të tretë.

Partia e dytë në këto zgjedhje sërish doli Partia Demokratike e Kosovës. Me ndryshime në kryesinë e saj, ku para pak kohësh u largua Memli Krasniqi dhe në krye të saj erdhi Bedri Hamza, kjo parti doli me një rezultat më të mirë.

Habia e këtyre zgjedhjeve ishte rezultati i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sapo u shpallen rezultatet, filluan kritikat për LDK-në dhe udhëheqësit e saj, madje edhe nga vetë njerëzit e saj. Lideri Lumir Abdixhiku doli me një sqarim. 

“Duke marrë përgjegjësinë, ditëve në vijim do ta thërras Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shpalosim e shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësit që mbaj si kryetar. Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur kanë humbje të tilla”, ka deklaruar Abdixhiku të dielën.

Salihaj: Në krye të organeve duhet të zgjedhen njerëzit e merituar, njerëzit rugovistë e me vizion, jo profiterët

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj në një prononcim për ‘Bota sot’, ka folur për rezultatin e LDK-së në këto zgjedhje.

 I pyetur se a ka të ardhme LDK-ja dhe si mund të ringrihet, si mund të shmanget përsëritja e humbjeve në zgjedhjet e ardhshme, Salihaj thotë se, ngjashëm sikur Isa Mustafa edhe Lumir Abdixhiku bën kalkulime edhe pas humbjes fatale.

Image
Adem Salihaj

“Mendoj se Lumir Abdixhiku, bashkë me strukturën e kryesisë, e kanë sjellë LDK-në aty ku e la Isa Mustafa në vitin 2021. Edhe Isa ende thoshte do të bëjmë analiza dhe do ta pyesim kuvendin e partisë. Pra, ende kalkulonte, edhe pas humbjes fatale. Edhe biri i tij politik, Lumir Abdixhiku, po thotë të njëjtën gjë”, thotë Salihaj.

Sipas tij, për t'u rikëndellë LDK-ja, Lumir Abdixhiku dhe gjithë kryesia menjëherë duhet të japin dorëheqje, pastaj të mbahen zgjedhje në të gjitha nivelet, duke filluar nga nëndegët, degët, deri te Kuvendi zgjedhor i LDK-së.

“Duhet të bëhet një proces zgjedhor pa manipulime dhe gjithëpërfshirës. Në krye të organeve duhet të zgjedhen njerëzit e merituar, njerëzit rugovistë e me vizion, jo profiterët e ata që nuk kanë asnjë lidhje me vlerat dhe parimet e LDK-së. Ringritja do të jetë proces i gjatë dhe i vështirë, por nuk është e pamundur”, thotë Salihaj për ‘Bota sot’.

Për të ardhmen dhe ringritjen e LDK-së ka folur edhe njohësi i ҫështjeve politike, Dashnim Hebibi. Ai kujton LDK-në si partinë e Presidentit dhe arkitektit të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova.

Hebibi: Ka ardhur koha që LDK-ja t’u japë hapësirë reale të rinjve, të hapë dyert për energji të reja dhe të rikthejë meritokracinë

“Më lejoni që fillimisht, nga mërgata, t’i përgëzoj qytetarët e Kosovës për zgjedhjet e lira dhe demokratike. Në këto zgjedhje fitoi Kosova. Nuk humbi askush, sepse kur fiton demokracia, fiton shteti. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është thjesht një parti politike. LDK është vetë shteti i Kosovës. Ajo mban vulën historike të presidentit themeltar dhe arkitektit të shtetësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Emblema rugoviane nuk do ta humbasë kurrë peshën e saj. Ajo është si dielli: mund ta mbulojë mjegulla përkohësisht, por nuk mund të shuhet. Me petkun politik dhe moral të Presidentit Rugova nuk mund të shkohet lehtë dhe as të abuzohet”, vlerëson ai.

Image
Dashnim Hebibi

Sipas tij, LDK-ja filloi të dobësohej seriozisht pas largimit të akademikut Nexhat Daci dhe shumë personaliteteve të rëndësishme të asaj kohe. Ajo ishte një goditje e madhe për LDK-në, jo domosdoshmërisht sepse Daci dëshironte të largohej, por sepse u krijua një situatë e brendshme që e theu strukturën dhe frymën e saj themeluese. E njëjta gjë ndodhi më vonë me zonjën Donika Gërvalla, me zonjën Vjosa Osmani dhe me shumë figura të tjera rugoviste.

“Sot, rugovistët janë të shpërndarë në disa parti politike. Megjithatë, besoj fuqishëm se zemra e tyre vazhdon të rrahë për tri shkronjat e arta të asaj elite akademike dhe atdhetare që e krijoi LDK-në. Është e pamohueshme se haku i mundit të rugovistëve i ka zënë disa që sot janë brenda “kështjellës” së LDK-së – dhe kjo ndoshta është edhe pak të thuhet.

LDK-ja në këto zgjedhje mori një nokaut politik. Por pikërisht ky nokaut duhet të shërbejë si alarm për reflektim të thellë dhe të sinqertë. Nëse LDK-ja dëshiron të shmangë përsëritjen e humbjeve në zgjedhjet e ardhshme, ajo duhet të mendojë seriozisht për rikthimin e figurave si Donika Gërvalla, Vjosa Osmani dhe shumë rugovistë të tjerë që janë larguar, por që përfaqësojnë vlerat autentike të saj”, thekson ai.

Hebibi thotë se LDK është emblema e paqes, e politikës së urtë dhe e qytetarisë. Këtë trashëgimi nuk mund ta njollosë askush. Këto fjalë i them me përgjegjësi të plotë, jo si pjesë e asnjë strukture politike, por si profesionist i politikës dhe si qytetar që e njeh peshën historike të LDK-së.

“Ka ardhur koha që LDK-ja t’u japë hapësirë reale të rinjve, të hapë dyert për energji të reja dhe të rikthejë meritokracinë. LDK-ja dikur ishte parti e akademikëve, e intelektualëve dhe e atdhetarëve. Ky identitet duhet të rikthehet. Pa meritokraci dhe pa respekt për dijen, LDK-ja nuk mund të ringrihet. Themelet e LDK-së duhet të ruhen me fanatizëm, sepse ato janë vetë historia e Kosovës. Ringritja nuk ndodh brenda natës. I duhet kohë, studim i thellë i çdo gabimi, analizë e ndershme dhe guxim për ndryshim. Vetëm kështu LDK-ja mund ta gjejë sërish rrugën e saj dhe ta rikthejë besimin e qytetarëve.

LDK ka të ardhme – por vetëm nëse guxon ta mbaj fjalëkalimin Rugovist, Durim  të mos e nënçmojë te kaluarën dhe ta rindërtojë veten mbi vlerat që e bënë themel të shtetit të Kosovës. LDK-ja nuk është një kapitull i mbyllur, por një histori që kërkon reflektim dhe guxim për t’u ringritur. Humbjet elektorale nuk janë fundi, por pasojë e largimit nga vlerat rugoviane, nga meritokracia dhe nga fryma akademike që e themeloi këtë parti. Ringritja e LDK-së është e mundur vetëm përmes bashkimit të rugovistëve, hapjes ndaj brezit të ri, rikthimit të figurave që përfaqësojnë integritet dhe vizion, si dhe përmes një reformimi të thellë të brendshëm”, vlerëson ai.

Tutje, analisti thotë se nëse LDK-ja e ruan trashëgiminë e Presidentit Ibrahim Rugova jo si simbol formal, por si filozofi politike, ajo do ta gjejë sërish rrugën e saj.

“Koha nuk punon kundër LDK-së, por kundër hezitimit për ndryshim. E ardhmja e saj varet nga gatishmëria për t’u kthyer te vetvetja”, thotë Hebibi për ‘Bota sot’.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat