2025-ta, viti i rikthimit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës

Politika

2025-ta, viti i rikthimit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 1 janar 2026 Në ora: 16:04
Flamuri i Republikës së Kosovës

Viti 2025 mund të konsiderohet viti i rikthimit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Më 26 mars 2025, Kosova është njohur nga vendi afrikan Kenia.

Meritat për njohjen e Kenias i mori fillimisht ish- presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili edhe njoftoi për njohjen.

Pacolli, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, shkroi në Facebook se njohja u bë “në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme” më 26 mars.

Pacolli e publikoi një fotografi nga ajo që tha se ishte ceremonia e nënshkrimit të njohjes. Në fotografi, Pacolli shihet duke qëndruar pranë presidentit të Kenias, William Ruto, teksa ai nënshkruan në një dokument.

Ai shtoi se  “që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet”.

Pacolli shtonte se presidenti i Kenias, William Ruto, i kishte premtuar njohjen e Kosovës qysh në vitin 2026.

“Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia”, shtoi ai.

Në anën tjetër, presidentja Vjosa Osmani, falënderoi Kenian për njohjen, por edhe ish- presidentin Behgjet Pacollin.

Ajo gjithashtu njoftoi atëherë që me presidentin e Kenias, William Ruto, ishte takuar tri herë gjatë vitit 2024 dhe se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Kenisë do të thellohen në fusha të ndryshme, "ndaj presim që shumë shpejt të vendosim marrëdhënie diplomatike, duke ndërtuar një partneritet të fortë dhe afatgjatë në mes dy shteteve dhe popujve tanë".

"Përgjatë këtyre viteve, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me të dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve. Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do të merret shpejt, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në sakrificën e gjatë të popullit tonë", deklaroi Osmani.

Dy javë pasi Kosova siguroi njohjen e Kenias, më 13 prill 2025, Kosova u njoh edhe nga Sudani.

Sudani, vend në verilindje të Afrikës u bë vend i 119 që njohu Kosovën dhe për këtë njoftoi presidentja Vjosa Osmani.

Në një video përkrah ministrit të Jashtëm të Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, në Forumin e Diplomacisë në Antalia të Turqisë, Osmani tha se u njoftua nga ai për vendimin e presidentit të Sudanit për ta njohur Kosovën dhe për të lidhur marrëdhënie mes dy vendeve.

Ndërsa, në tetor Kosova siguroi njohjen e 120.

Siria, vend në Lindjen e Mesme, e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 29 tetor 2025.

Në një njoftim në Facebook, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Siria u arrit me mbështetjen e princit të kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, të mërkurën, në Riad.

Ajo e falënderoi presidentin e Sirisë, Ahmed al-Sharaa, për vendimin për njohjen e Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin e saj.

“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë”, shkroi Osmani.

Kurse, në dhjetor Kosova siguroi edhe njohjen e 121.

Bahamas vend në Karaibe, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës më 19 dhjetor, duke shënuar kështu njohjen e katër për vitin 2025.

Osmani tha se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Bahamet u arrit në kryeqytetin e këtij vendi, Nasau.

Në një deklaratë të përbashkët, Kosova dhe Bahamet thanë se janë të përkushtuara ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.

Ato u pajtuan për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.

“Bahamet dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv”, thuhej në komunikatë.

Lobim të vazhdueshëm dhe njohje të reja në 2026

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani, thotë është vështir të thuhet që viti 2025 ishte vit i njohjeve.

Sipas tij, është me rëndësi të thuhet se duhet lobuar vazhdimisht rreth këtij procesi.

Image
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani

“Ndonëse procesi i njohjes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës është një mision kyç diplomatik, megjithatë e kam të vështirë të them se viti 2025 ishte vit i njohjeve, pasi që edhe në të kaluarën Kosova ka pasur disa njohje brenda një viti. E rëndësishmja se duhet lobuar vazhdimisht mbi këtë proces”, deklaron Shabani.

Sipas tij, momentalisht nuk ka shpresë për njohje nga pesëshja evropiane.

Ai kërkon që fokusi diplomatik të mos zhvendoset tërësisht nga procesi i njohjes, por të ec edhe me nisma tjera.

“Viti 2026 pritet të ketë jo vetëm njohje të reja por edhe zhvillime të brendshme politike të reja. Fokusi diplomatik nuk zhvendoset tërësisht nga procesi i njohjes por njëkohësisht do ec edhe me nismat tjera rajonale dhe ndërkombëtare. Momentalisht nuk ka shpresë për njohje nga pesëshja evropiane deri në ndonjë zhvillim të caktuar gjeopolitik. Këto janë vende që me marrëveshje politike nuk e njohin Kosovën dhe sipas tyre presin që të arrihet një marrëveshje mes dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që pŕocesi i njohjes nga këto pesë vende anëtare të BE-së të vazhdojë”, shton njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vitin 2025 e quan vitin e njohjeve të reja pas një kohe të gjatë.

Pasi Bahmas njohu Kosovën, Kurti uroi duke shtuar se Kosovës po i shtohen miqësitë e reja dhe bashkë me to edhe mundësitë e bashkëpunimit

“Viti 2024 ishte viti i pasaportës sonë. Viti 2025 është viti i njohjeve të reja, pas një kohe të gjatë. Bahamas bëhet shteti i katërt sivjet dhe i 121-ti që e njeh Republikën tonë si shtet të pavarur dhe sovran. Urime të gjithë qytetarëve dhe një mirënjohje e veçantë për presidenten tonë, Vjosa Osmani, zyrtarët shtetërorë dhe partnerët tanë për një tjetër arritje në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar. Kosovës po i shtohen miqësitë e reja dhe, bashkë me to, edhe mundësitë e bashkëpunimit. Mezi presim që njohjen e ndërsjellë ta kthejmë në partneritet të sinqertë me shtetin dhe popullin e Bahamas”, kishte shkruar Kurti.

Bashkëpunim me Kinën dhe mundësia për njohje nga pesëshja e Bashkimit Evropian

Ndërsa, profesor, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, konsideron se njohjet shërbejnë si presion ndaj Serbisë që ajo të hedhë hapin përfundimtar në pranimin e Kosovës si shtet.

“Çështja e njohjeve të Republikës së Kosovës nga ana e shteteve që atë nuk e kanë njohur është kthyer deri diku në një mit. Duket sikur njohjet do ta formësojnë plotësisht shtetësinë e saj. Por nuk është kështu. Njohjet shërbejnë si presion ndaj Serbisë që ajo të hedhë hapin përfundimtar në pranimin e Kosovës si shtet. Shtojnë gjithashtu presionin ndaj Rusisë që Moska ta pranojë gjithashtu shtetësinë e Kosovës. Por nuk e detyrojnë Serbinë dhe as Rusinë ta bëjnë këtë. Çfarë kam parasysh kur them se Kosovës i duhet njohja e Serbisë dhe sidomos e Rusisë. Sepse, edhe sikur ta njohin 90 përqind e shteteve, ato kanë të drejtën ta shtrojnë në OKB, në asamble pranimin e Kosovës ndërkombëtarisht, por sërishmi do të kishte një ngërç, i cili do të shfrytëzohej, nëse këtë vendim nuk e merr Këshilli I Sigurimit. Prandaj Kosovës i duhet vota e Rusisë në këtë këshill. Kjo I jep fund çdo dileme dhe miti për njohjet”, deklaron Bytyçi.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Meritat për njohjet e vitit 2025, ai ia jep presidentes Vjosa Osmani, gjersa thotë se performanca e shtetit dhe sidomos e presidentes ka bindur shumë shtete që ta ridiskutojnë dhe rimendojnë qëndrimin e tyre kundër njohjeve të Kosovës.

“Gjatë vitit 2025 Kosova siguroi katër njohje shumë të rëndësishme. Këto njohje ishin rrjedhojë e rritjes së integritetit dhe dinjitetit të shtetit, por edhe kontributit personal të presidentes Vjosa Osmani si dhe disa aleatëve të Kosovës. Performanca e shtetit dhe sidomos e presidentes së vendit ka bindur shumë shtete që ta ridiskutojnë dhe rimendojnë qëndrimin e tyre kundër njohjeve të Kosovës. Ndërkaq kanë ndikuar edhe ngjarjet e protestave në Serbi, pasi që bota kuptoi se Serbia nuk është ajo çfarë ajo e perceptonte. Por është një shtet autoritar dhe arrogant me fqinjët dhe qytetarët e saj. Njohjet janë gjithashtu rezultat I qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë së shtetit e të qeverisë së Kosovës për të shtrirë sovranitetin në të gjithë territorin e vendit. Përballimi me aq profesionalizëm i aktit terrorist të mirë organizuar të Banjskës nga ana e Serbisë ka krijuar përceptimin se Kosova është shtet funksional dhe i qëndrueshëm. Prandaj dhe pas Banjskës Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës vendosi pranimin e Kosovës në këtë Këshill, vendim I cili I bllokua nga Franca dhe disa shtete të tjerë, si çokë për Serbinë”, shprehet profesori.

Bytyçi është i bindur se viti 2026 do të ketë njohje të reja.

“Viti 2025 në një farë kuptimi ishte viti i njohjeve të reja, po të kemi parasysh se këto njohje u bllokuan që në momentin kur nisi diskutimi dhe lobimi nga Serbia dhe nga presidenti i Kosovës e kryeministri I Shqipërisë për ndarjen e vendit. Në momentin kur ky diskutim filloi të përhapej, atëherë Serbia u tha shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, se “Ju nuk duhet ta njihni një shtet, i cili do të ndahet midis Serbisë dhe Shqipërisë”! Dhe natyrshëm nuk erdhi asnjë njohje gjatë asaj kohe, përveç asaj të Izraelit, e imponuar nga presidenti Trump në mandatin e parë të tij. Ndërkohë që diplomatët e Shqipërisë, Serbisë dhe disa të Kosovës kishin marrë udhëzime që të lobonin në kulisat diplomatike perëndimore për opsionin e ndryshimit të kufijve”.

“Pas zgjedhjeve të së dielës së kaluar dhe pas rezultatit spektakolar të mazhorancës në këto zgjedhje jam i bindur se në vitin 2026 do të ketë njohje të reja. Nëse do ta zgjasë lufta në Ukrainë. Por nëse kjo luftë mbyllet përfundimisht me një marrëveshje, atëherë do të ketë një vendimmarrje nga ana e Fuqive të Mëdha për pranimin e Kosovës në OKB dhe automatikisht ajo bëhet e njohur nga të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate. Megjithatë diplomacia e Kosovës duhet të punojë sikur lufta në Ukrainë do të zgjasë pa fund. Pra duhet të bëjë të gjitha përpjekjet për shtimin e njohjeve të shtetit më të ri në Europë. Pikësëpari duhet përzgjedh një ministër dhe një staf diplomatik i kualifikuar për të punuar në këtë drejtim. Besoj gjithashtu se ligji i SHBA-ve për strategjinë amerikane ndihmon shumë në këtë drejtim, sepse në atë ligj thuhet se SHBA-të duhet të ndihmojnë për njohjen e Kosovës si shtet. Në këtë aspekt besoj shumë se edhe roli i aleatëve të tjerë të Kosovës, përkatësisht Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Turqisë dhe vende të tjera do të rritet”, deklaron Bytyçi.

Ajo se çfarë duhet bërë ndryshe gjatë vitit 2026 lidhet me një qasje të re në marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës, thotë Bytyçi, gjersa shton është shumë e mundshme të punohet me pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian ndër to katër edhe anëtare të NATO-s.

“Ajo çfarë duhet bërë ndryshe gjatë vitit 2026 lidhet me një qasje të re në marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës. Kam biseduar me diplomatë kinezë dhe kam përshtypjen se ata janë të painformuar për Kosovën. Kanë krijuar steriotipe të caktuara dhe askush nuk bën përpjekje për t’i sqaruar ata. Së paku është e mundshme që në një afat kohor të shkurtër si fillim të binden për të njohur pasaportat dhe dokumentet e Kosovës. Ndërkohë është shumë e mundshme të punohet me pesë vendet anëtare të Bashkimit Europian ndër to katër edhe anëtare të NATO-s, sepse integrimi euroatlantik varet nga njohja e këtyre vendeve. Ka ardhur koha që këto vende ta njohin Kosovën. Diplomacia duhet të punojë në këtë drejtim.

Përfundimisht besoj se njohjet varen nga standardet demokratike që manifeston Kosova, nga diplomacia e shkathët, nga mesazhet që Kosova jep. Nëse binden vendet mos-njohëse se Kosova e dëshiron seriozisht shtetin dhe ekzistencën e tij, atëherë ato binden për njohjen e saj. Nëse jepen mesazhe të gabuara, siç u dhanë në fushatën naive të ndarjes së saj, atëherë njohjet nuk do të vinin. Por jo e fundit nuk do të ndodhë më”, përfundon Bytyçi.

Njohjet në vitin 2025 erdhën pas një ritmi rënie të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu ishte Izraeli në vitin 2021.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat