Viti 2026 do të jetë viti ku Kosova do të zgjedh presidentin e ri apo rizgjedhje të presidentes aktuale.
Vjosa Osmani, e cila u zgjodh presidente më 4 prill 2021, ka mbajtur këtë post për 5 vjet, post këtë që e kërkon ende.
Osmani ka shprehur gatishmëri edhe për një mandat tjetër, duke thënë se synon t’i vazhdojë punët e mira për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Sipas saj, punët e mira po presin dhe janë te dera për t’u vazhduar.
“Vjosa Osmani: Synoj që t’i vazhdoj punët e mira për qytetarët e Republikës së Kosovës, për vendin tonë. Mendoj që të arriturat e shumta dhe punët e mira që po na presin dhe janë te dera duhet të vazhdohen, sepse është interesi më i mirë i Republikës sonë. Megjithatë, unë, po ashtu, jam plotësisht e vetëdijshme që kjo nuk varet vetëm nga ky vlerësim, por varet nga dy të drejtat e deputetëve të Republikës së Kosovës, të cilët duhet të vendosin, do të thosha, në dy pika themelore. E para është nëse duan ta mbrojnë interesin më të mirë të Republikës, dhe e dyta është nëse duan ta dëgjojnë vullnetin qytetar…”, ka deklaruar Osmani në një intervistë për median vendore.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti zgjidhet nga Kuvendi me dy të tretat e votave të 120 deputetëve në dy raundet e para të votimit. Në rast se kjo shumicë nuk sigurohet, raundi i tretë parashikon uljen e pragut në 61 vota, por vetëm nëse në sallë janë të pranishëm së paku 80 deputetë, duke e bërë kuorumin kusht të domosdoshëm për procesin.
Në bazë të përllogaritjeve me rezultatet aktuale zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 56 ulëse në Kuvend. Së bashku me 11 deputetë nga komunitetet jo-shumicë, të cilët LVV-ja i llogarit edhe për formimin e Qeverisë – përfshirë edhe Nenad Rashiqin nga komuniteti serb – ky bllok arrin në 67 deputetë.
Kjo nënkupton se, nëse dështojnë dy raundet e para për mungesë konsensusi, në raundin e tretë mjafton që 13 deputetë të opozitës të jenë të pranishëm në sallë, vetëm për të siguruar kuorumin prej 80 deputetësh. Në këtë skenar, shumica aktuale do ta kishte të mundur rizgjedhjen e presidentes me votat e veta.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 23 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) gjashtë. Deri më tani, këto subjekte nuk kanë shprehur gatishmëri për ta mbështetur rizgjedhjen e Vjosa Osmanit, bazuar në deklarimet publike.
Megjithatë, kjo përbërje parlamentare mund të pësojë lëvizje minimale prej një ose dy ulësesh, pas certifikimit përfundimtar të rezultateve të zgjedhjeve. Ndërkohë, Lista Serbe ka siguruar deri tani nëntë deputetë, duke mbetur një faktor i rëndësishëm në dinamikat e ardhshme parlamentare.
"Zgjedhja e presidentit nuk është vetëm çështje numrash"
Avokati Gazmend Halilaj, thotë se në aspekt kushtetues është e qartë se presidentja ka të drejtë të kandidojë edhe për një mandat të dytë.
Por, sipas tij, vendimet e tilla nuk varen vetëm nga dispozitat ligjore.
“2026 dhe dilema presidenciale: vazhdimësi apo ndryshim? Me fillimin e vitit 2026, kur përfundon mandati i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në skenën politike kanë nisur të shtrohen natyrshëm dilemat për të ardhmen e këtij institucioni. Vetë Osmani ka shprehur gatishmërinë për një mandat të dytë, duke hapur debatin nëse Kosova do të shkojë drejt vazhdimësisë apo drejt një emri të ri në krye të shtetit. Nga aspekti kushtetues, çështja është e qartë: presidentja ka të drejtë të kandidojë edhe për një mandat të dytë. Por në Kosovë, vendimet e tilla nuk varen vetëm nga dispozitat ligjore – ato përcaktohen kryesisht nga realiteti politik dhe raportet e forcave në Kuvend. Në këtë kuadër, faktori përcaktues do të jetë përbërja e ardhshme parlamentare dhe roli i Lëvizjes Vetëvendosje si forca kryesore politike në vend. Mbështetja që Osmani gëzon në elektoratin qytetar dhe raportet e qëndrueshme institucionale me Qeverinë aktuale e vendosin atë në një pozitë reale për rizgjedhje, nëse krijohet konsensusi i nevojshëm parlamentar”, deklaron Halilaj.
Osmani ka pasur një qasje të kujdesshme ndaj kushtetutës, thotë Halilaj, ndërsa në planin e brendshëm ajo është perceptuar si një zë që mbron funksionimin demokratik të institucioneve dhe respektimin e rendit kushtetues.
“Megjithatë, zgjedhja e presidentit nuk është vetëm çështje numrash. Ajo lidhet ngushtë edhe me perceptimin publik dhe vlerësimin e mandatit aktual. Në këtë aspekt, Vjosa Osmani ka arritur të ndërtojë një profil institucional që dallon nga praktikat e së kaluarës. Gjatë mandatit të saj, ajo ka mbajtur një qasje të kujdesshme ndaj Kushtetutës, duke shmangur përfshirjen në konflikte partiake dhe duke e ruajtur rolin e presidentes si faktor stabiliteti. Në planin e brendshëm, Osmani është perceptuar si një zë që mbron funksionimin demokratik të institucioneve dhe respektimin e rendit kushtetues. Qëndrimet e saj në çështje të ndjeshme politike kanë qenë të matura, por të qarta, duke reflektuar një përpjekje për ta forcuar besimin e qytetarëve në institucionin e Presidentes. Ndërsa në arenën ndërkombëtare, ajo ka qenë një nga përfaqësueset më aktive të Kosovës. Paraqitjet e saj në forume të rëndësishme, takimet me liderë botërorë dhe artikulimi i qartë i interesave shtetërore kanë kontribuar në rritjen e dukshmërisë së Kosovës dhe në konsolidimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Në një kohë sfidash për politikën e jashtme të vendit, kjo përfaqësim ka qenë i rëndësishëm”, shprehet avokati.
Në fund ai shton se gjithçka varet nga zhvillimet politike në vijim.
“Prandaj, pyetja nëse Kosova do të shkojë drejt një emri të ri apo drejt rizgjedhjes së Vjosa Osmanit nuk ka ende një përgjigje përfundimtare. Ajo do të varet nga zhvillimet politike në vijim, nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare dhe nga vullneti për të ndërtuar konsensus rreth një figure që ka dëshmuar stabilitet institucional. Në një realitet politik shpesh të tensionuar, vazhdimësia nuk duhet parë domosdoshmërisht si mungesë ndryshimi, por si mundësi për konsolidim. Nëse Vjosa Osmani do të marrë një mandat të dytë, kjo do të jetë më shumë reflektim i një vlerësimi politik për punën e saj sesa thjesht një vendim formal i Kuvendit”, përfundon Halilaj.
Vjosa Osmani u zgjodh presidente me 71 vota, ajo fitoi në raundin e tretë të votimit ku morën pjesë 82 deputetë. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë.
Në atë seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe. Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia mundësoi ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, që ishte në opozitë.
Osmani ishte kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit, parti kjo që udhëhoqi edhe me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.
“Presidenti apo presidentja konsesuale duhet të jetë mbi palët”
Analisti Nexhat Haziri, thotë se do të ishte mirë që vendi të kishte një president apo presidente konsesuale që do të ishte mbi palët.
“Rezultati që prodhuan zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ku LVV -ja doli fituese me një fuqi të madhe politike që do ta ketë në institucionet e vendit, duke pasur mundësinë e formimit të qeverisë e vetme, por edhe udhëheqjen e Kuvendit të republikës, do të ishte mirë që vendi të ketë një president apo presidente konsensuale që do të ishte mbi palët dhe do ta bënte një lloj balansimi të pushteteve përballë një partie me aq fuqi të madhe politike siç është LVV. Kjo do të bënte mire demokracisë dhe ky president apo presidente , do të garantonte funksionimin demokratik të institucioneve dhe do të paraqiste vërtet një unitet politik e qytetar të vendit”, deklaron Haziri.
Ai Osmanin e konsideron të njëanshme, gjersa shton se duhet vlerësuar puna dhe angazhimi i saj në përfaqësimin e shtetit në arenën ndërkombëtare.
“Këtë nuk mund ta bëjë presidentja aktuale Vjosa Osmani, pasi jemi dëshmitar se përgjatë mandatit të saj 5 vjeçar nuk përfaqësoi unitetin qytetar, nuk ishte garant i kushtetutës së vendit e as funksionimit demokratik të institucioneve thjeshtë ishte e një anshme, duke qenë një zgjatim i kryeministrit Kurti, përkundër që duhet vlerësuar punën dhe angazhimin e saj në përfaqësimin e shtetit në arenën ndërkombëtare. Por në rrafshin e brendshëm znj. Osmani ishte e dështuar. Andaj një president apo presidente konsensuale, do t'i ndihmonte edhe vet kryeministrit Kurti për të reflektuar gjatë mandatit të ardhshëm për të mos i përsëritur gabimet e tij që jo rrallë herë e kanë dëmtuar demokracinë në vend por në përgjithësi funksionimin e shtetit duke e dëmtuar edhe imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare”, përfundon Haziri.
Vjosa Osmani ka qenë e dyta grua që ka mbajtur postin e presidentit, pas Atifete Jahjagës. Rizgjedhja e saj, apo zgjedhja e një presidentit të ri duhet të jetë më së voni deri më 4 mars, përkatësisht 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual.