Rezultati i dobët i Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit ka rihapur debatet e brendshme dhe analizat për arsyet e stagnimit të këtij subjekti politik, pavarësisht ndryshimeve të fundit në udhëheqje.
Edhe pse Bedri Hamza u zgjodh kryetar i PDK-së në vend të Memli Krasniqit dhe u paraqit si kandidat për kryeministër, vota qytetare nuk e përktheu këtë lëvizje në rritje elektorale, duke konfirmuar një trend rënieje që ka kohë që e shoqëron këtë parti.
Në një prononcim për "Bota sot", analisti politik Afrim Kasolli, vlerëson se ndryshimet e bëra në prag të zgjedhjeve nuk mundën të prodhonin efekt real në elektorat, pasi, sipas tij, mungoi një angazhim i qëndrueshëm opozitar gjatë gjithë mandatit.
“Një fjalë e urtë popullore thotë se ‘nuk mbahet Qurani në Natën e Bajramit’. Pra, asnjë ndryshim që ka ndodhur në PDK në momentet e fundit para zgjedhjeve të 28 dhjetorit nuk ka mundur ta kompensojë mungesën e aktivizimit opozitar për një mandat të plotë”, thekson Kasolli.
Ai shton se, përveç mungesës së një opozitarizmi të vazhdueshëm dhe koherent, PDK u përball edhe me probleme të brendshme që ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor.
“Sidoqoftë, ndër arsyet tjera që rezultuan në këtë stagnim të këtij subjekti politik, pa dyshim ishin përçarjet e brendshme dhe sidomos humbja e qytetit të Mitrovicës nga Bedri Hamza, edhe pse formalisht ai nuk ishte kandidat për kryetar në këtë qytet. Ishte e pritshme që kjo disfatë ta penalizonte në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare”, vlerëson ai.
Sipas Kasollit, problemi kryesor i PDK-së, por edhe i partive të tjera opozitare, lidhet me pamundësinë për të ndërtuar një narrativë bindëse kundër Lëvizjes Vetëvendosje, sidomos lidhur me krizën institucionale që i parapriu zgjedhjeve.
“Por më kryesorja, dhe në këtë rast ky parim vlen për të gjitha partitë opozitare, asnjëra prej tyre nuk arriti ta fitojë narracionin kundër Lëvizjes Vetëvendosje se ky subjekt është përgjegjës për bllokadën disa mujore institucionale. Përkundrazi, shumica e qytetarëve të Kosovës tek këto parti i panë ‘fajtorët e mëdhenj’ për krizën e stërzgjatur politike”, përfundon Kasolli për "Bota sot".