Profesori universitar dhe analisti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Fejzulla Berisha, vlerëson se bota ka hyrë në një fazë të re gjeopolitike, ku rendi ndërkombëtar nuk menaxhohet më përmes tolerancës politike, por përmes vendosmërisë strategjike.
Sipas tij, pas agresionit rus në Ukrainë, Perëndimi ka rikonceptuar qartë raportin me regjimet autoritare, nacionalizmin destabilizues dhe liderët që ndjekin politika të dyfishta.
“Rendi i Ri Ndërkombëtar nuk pranon më neutralitete të rreme dhe as projekte destabilizuese të kamufluara si interesa kombëtare,” thekson Berisha.
Berisha nënvizon se në këtë realitet të ri, Ballkani Perëndimor nuk shihet më si periferi gjeopolitike, por si zonë direkte e interesit strategjik euroatlantik.
Në këtë kontekst, ai identifikon presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe liderin serb të Bosnjës, Milorad Dodik, si dy figura që po sfidojnë hapur rendin ndërkombëtar.
“Vuçiqi dhe Dodiku po e vendosin veten në rrugën e izolimit dhe delegjitimimit ndërkombëtar,” vlerëson profesori Berisha.
Sipas Berishës, Aleksandar Vuçiq ka ndërtuar një regjim që në pamje të jashtme paraqitet si pro-evropian, por në thelb funksionon mbi kontrollin e mediave, kapjen e institucioneve dhe instrumentalizimin e nacionalizmit serb.
Politika e ashtuquajtur e “balancimit” mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës, sipas tij, është toleruar për vite me radhë, por sot perceptohet si kërcënim strategjik.
“Refuzimi për t’u rreshtuar me sanksionet ndaj Rusisë, retorika e dyfishtë ndaj Kosovës dhe flirtimi i vazhdueshëm me Moskën e Pekinin e kanë shndërruar Serbinë nga partner potencial në problem sigurie,” thekson ai.
Në Rendin e Ri Ndërkombëtar, shton Berisha, neutraliteti ndaj agresionit nuk interpretohet më si pragmatizëm politik, por si bashkëpunim i heshtur.
Si ilustrim konkret, ai përmend faktin se Serbia po mbetet gjithnjë e më e izoluar në procesin e integrimit evropian, me kapituj të bllokuar dhe besim të rrënuar politik në Bruksel dhe Uashington.
Ndryshe nga Vuçiqi, Berisha vlerëson se Milorad Dodik nuk po fshihet më pas retorikës diplomatike.
“Dodik ka kaluar nga fjalët në veprime konkrete secesioniste, duke sfiduar Marrëveshjen e Dejtonit, sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe arkitekturën e paqes në Ballkan,” shprehet ai.
Krijimi i institucioneve paralele, refuzimi i autoritetit të shtetit qendror dhe sulmet ndaj Përfaqësuesit të Lartë, sipas Berishës, përbëjnë rebelim politik ndaj rendit ndërkombëtar.
“Dodik nuk është më thjesht problem i brendshëm i Bosnjës – ai është çështje sigurie për Perëndimin,” thekson profesori.
Ai rikujton se sanksionet amerikane ndaj Dodikut janë sinjal i qartë se Perëndimi nuk negocion me projekte secesioniste.
Duke bërë një paralelizëm me Venezuelën, Berisha përmend rastin e Nicolás Maduro-s si shembull të qartë të asaj që ndodh kur një regjim sfidon rendin demokratik ndërkombëtar.
“Maduro nuk u rrëzua brenda natës. Ai u izolua gradualisht, u delegjitimua dhe u shndërrua në figurë të papranueshme ndërkombëtarisht,” shpjegon ai.
Sipas Berishës, i njëjti mekanizëm tashmë është vënë në lëvizje edhe në Ballkan.
“Vuçiqi dhe Dodiku nuk janë përjashtim nga ky ligj i ri gjeopolitik. Diferenca është vetëm kohore, jo strukturore,” vlerëson ai.
Në përfundim, profesori Fejzulla Berisha thekson se SHBA dhe BE e kanë bërë të qartë se Ballkani Perëndimor nuk do të tolerohet më si hapësirë për ndikime ruse, kineze apo aventura nacionaliste.
“Çdo lider që minon paqen, demokracinë dhe rendin kushtetues do të trajtohet si kërcënim, jo si partner,” përfundon ai.