Rinumërimi i pjesshëm i votave ka zbuluar dallime të mëdha në numrin e votave për disa kandidatë, duke ngritur dyshime serioze mbi rregullsinë e procesit zgjedhor.
Këto mospërputhje kanë hapur debat publik dhe kanë shtuar thirrjet për hetim institucional dhe rinumërim të plotë të votave, me qëllim garantimin e integritetit të zgjedhjeve.
Nga procesi i rinumërimit, ndryshimet e evidentuara nuk janë të izoluara, por shfaqen në disa qendra votimi, çka e bën edhe më shqetësues gjithë procesin.
Disa deputetë nga subjektet politike kanë reaguar duke kërkuar transparencë të plotë dhe veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.
Drenori: Nëse këto deformime nuk ndiqen penalisht atëherë vet procesi zgjedhor vihet në lajthitje, që besoj se aksujt nuk i konvenon
Analisti politik, Xhavit Drenori, ka deklaruar se ndryshimet e votave po vërehen brenda të njëjtit subjekt politik, çka sipas tij tregon se problemi nuk qëndron te numërimi fillestar, por te plotësimi i formularëve për votat e kandidatëve.
Ai theksoi se është pozitive që këto parregullsi po identifikohen dhe kërkoi që çdo deformim i rezultateve të ketë përgjegjësi individuale dhe të trajtohet edhe penalisht.
“Me shqetësim të madh po i përcjlln ndryshimet e votave të kandidatëve brenda subjektit të njejtë, që d.m.th, që ndryshimet ndërmjet subjekteve nuk mund të ndodhin sepse ato numërime janë bërë në ditën e parë dhe janë verifikuar edhe njëherë në qendra të numrërimit, mirëpo, këto plotësimet e formularëve me votat e kandidatëve të subjekteve me gjasë, këtu paska pas qenë problemi, dhe jam i lumutur që po identifikohen dhe që secili deforimin i rezultateve do të ketë emër dhe mbiemër, dhe padyshim jam idhtar që këto të procedohen edhe penalisht”, - tha ai.
Më tej, potencon se nëse deformimet e votave nuk ndiqen penalisht, vihet në pikëpyetje i gjithë procesi zgjedhor.
Ai vlerësoi se KQZ ka vepruar si duhet, ndërsa përgjegjësinë ia atribuon komisionerëve të subjekteve politike, duke shtuar se në Prizren, brenda PDK-së, dyshohet për një model të organizuar të manipulimit të votave.
“Në fakt, nëse këto deformime nuk ndiqen penalisht atëherë vet procesi zgjedhor vihet në lajthitje, që besoj se aksujt nuk i konvenon. Në anën tjetrë, thirrja sa ma shpejt para përgjegjësisë, të njerëzve që kanë pasur guxin të fusin duart në ndryshime të tilla, është edhe një shenjë që KQZ megjithatë si institucion i ka kryer punët e veta mirë, mirëpo, komisionerë të subjekteve politike, të korruptuar ose me një formë tjetër të shtyrë, kanë guxuar që të ndryshojnë këto rezultate.
Me gjasë edhe pak ditë duhet të presim, deria të perfundojnë krejt, që të kemi një epilog të saktë të ndryshimeve, por ajo çka duhet deri tash është në Prizren brenda PDK-së, paska qenë një model pak më i modifikuar i kësaj hajnie të votave” – u shpreh ai.
Kasolli: Procesi i rinumërimit te votave në një të tretën e vendvotimeve ka nxjerr në sipërfaqe faktin se procesi zgjedhor në Kosovë nuk i plotëson standardet demokratike
Analisti politik, Afrim Kasolli, në një përgjigje për “Bota sot”, ka deklaruar se rinumërimi i votave ka dëshmuar se procesi zgjedhor në Kosovë nuk i përmbush standardet demokratike, pasi vullneti i qytetarëve është deformuar nga komisionerët e partive politike dhe se vendi vazhdon të ketë probleme serioze në administrimin e zgjedhjeve.
“Procesi i rinumërimit te votave në një të tretën e vendvotimeve ka nxjerr në sipërfaqe faktin se procesi zgjedhor në Kosovë nuk i plotëson standardet demokratike. Sepse nuk mjafton qe vetëm dita e votimeve të kalojë pa incidente dhe eksese, por duhet qe i tere procesi të admnistrohet sipas normave ligjore. Dhe mjerisht në Kosovë vullneti i qytetarëve u dhunua nga komisioneret e partive politike. Prandaj, si shoqëri njëherë e përgjithmonë duhet të clirohemi nga iluzioni se Kosova është shembull i organizimit të zgjedhjeve demokratike ne raport me vendet ne rajon. Përkundrazi ajo lengon tej mase në këtë drejtim”, tha Kasolli.
Në përfundim, Kasolli theksoi se rinumërimi i votave nuk mjafton për të rikthyer demokracinë, duke kërkuar veprime urgjente nga organet e drejtësisë ndaj atyre që kanë keqpërdorur votën e qytetarëve.
Ai paralajmëroi se mungesa e ndëshkimeve penale do të normalizonte manipulimin e votave, ndërsa shtoi se te PDK-ja janë vërejtur më së shumti ndryshime në votat e kandidatëve pas rinumërimit të pjesshëm.
“Në këtë konteskt nuk mjafton vetem rinumërimi i votave për ta restauruar demokracine e mohuar nga partite politike. Por është urgjente të veprojnë organet ligj zbatuese sikur se prokuroria ndaj atyre qe e keqpërdoren vullnetin e përgjithëshem qytetar per interesa klienteliste dhe grupore. Çdo tejkalim i kesaj situate pa sanksionime penale, nuk është asgjë tjeter, pos normalizim i kesaj vjedhje industriale të votave që kandidatët për deputetë e kanë aplikuar kundër njëri-tjetrit” – përmbylli ai.
Kujtojmë, se nga katër partitë më të votuarat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, te Partia Demokratike e Kosovës vërehen më së shumti ndryshime te votat për kandidatë pas nisjes së rinumërimit të pjesshëm” – përfundoi ai.
Partia Demokratike e Kosovës
Fetah Paçarizi −5.055 vota
Nait Hasani −2.846 vota
Kujtim Gashi −2.027 vota
Luljeta Veselaj Gutaj −1.695 vota
Arianit Çollaku −1.519 vota
Enver Hoxhaj −960 vota
Lëvizja Vetëvendosje
Arbër Rexhaj −547 vota
Rea Krasniqi −465 vota
Valon Ramadani −417 vota
Dafina Alishani −364 vota
Vendenis Lahu −243 vota
Filiz Mustafa −220 vota
Lidhja Demokratike e Kosoves
Xhavit Uka −1.328 vota
Driton Selmanaj - 896 vota
Anton Quni −471 vota
Visar Azemi −354 vota
Ardian Shala −143 vota
Rrezarta Krasniqi −141 vota
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Besnik Krasniqi −243 vota
Tringa Morina −160 vota
Edmond Hoxha −122 vota
Burim Ramadani −118 vota
Diellza Fetoshi −69 vota
Dreni Kastrati −65 vota