Shehu ‘godet’ mentalitetin e vjedhjes: Vota është aseti më i vlefshëm i qytetarit

Politika

Shehu ‘godet’ mentalitetin e vjedhjes: Vota është aseti më i vlefshëm i qytetarit

Nga: A.SH Më: 21 janar 2026 Në ora: 07:29
Foto ilustrim

Për shkak të manipulimit me vota, KQz ka marrë vnedim që i tërë procesi zgjedhor të shkojë në rinumërim.

Publicisti Nexhmedin Shehu e ka cilësuar të papranueshme dhe alarmante normalizimin e vjedhjes së votës, duke theksuar se relativizimi i këtij krimi rrezikon drejtpërdrejt rendin demokratik dhe e shndërron shkeljen e ligjit në normë shoqërore.

“Vërtet e papranueshme — jo thjesht si dukuri e re, por si tendencë e rrezikshme për ta normalizuar dhe relativizuar hajninë si përditshmëri. Kjo është thellësisht alarmante dhe e papajtueshme me çdo rend demokratik.

A e kuptojnë këta, si Xhavit Haliti, se vota është aseti më i vlefshëm i qytetarit në civilizimin bashkëkohor? Ajo është e patjetërsueshme, e pamohueshme dhe themelore për funksionimin e demokracisë, për secilin qytetar që, sipas ligjeve të vendit, gëzon të drejtën e votës.

Fjalia: “Na tanë e dimë se vjedhet vota, gjithmonë është vjedhur, s’bëhet kiameti” nuk është thjesht një mendim i rastësishëm. Ajo është shprehje e një mentaliteti, një botëkuptimi që e relativizon krimin dhe e shndërron shkeljen e ligjit në normë shoqërore”, thotë ai.

Shehu thekson se jo vetëm vjedhja e votës, por edhe mentaliteti që e normalizon atë bie ndesh me rendin juridik, duke nënvizuar se pa çrrënjosjen e kësaj kulture asnjë reformë ligjore nuk mund të sjellë demokraci reale.

“Meqë vjedhja, përfshirë edhe vjedhjen e votës, është e sanksionuar me ligj, atëherë edhe ky mentalitet i “lirisë së vjedhjes” bie ndesh drejtpërdrejt me rendin juridik dhe është po aq i dënueshëm sa vetë akti.

Prandaj, nuk mjafton të kundërshtohet, luftohet dhe sanksionohet vetëm vepra penale; duhet çrrënjosur edhe mentaliteti që e sheh vjedhjen si diçka “pak a shumë normale”. Pa këtë përballje morale dhe kulturore, asnjë reformë ligjore nuk mund të prodhojë demokraci reale” – përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat