Para Kuvendit të 31 janarit, analisti propozon këta tre emra si liderë të mundshëm të LDK-së

Politika

Para Kuvendit të 31 janarit, analisti propozon këta tre emra si liderë të mundshëm të LDK-së

Nga: M.L. Më: 29 janar 2026 Në ora: 15:50
Foto ilustrim

Analisti politik Zejnullah Jakupi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur rreth Kuvendit të 31 janarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm reflektimi dhe riorientimi për partinë.

Sipas Jakupit, delegatët kanë përgjegjësi të dyfishtë: të shqyrtojnë dorëheqjen e kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, dhe të japin një sinjal të qartë për drejtimin politik që LDK synon të ndjekë në të ardhmen.

Ai thekson se vendimi për dorëheqjen duhet të merret me qetësi dhe përgjegjësi, duke vlerësuar rezultatet zgjedhore dhe nevojën për unitet të brendshëm, pasi çdo vendim i nxituar mund ta thellojë fragmentarizimin në parti.

Image
Zejnullah Jakupi

“Kuvendi i 31 janarit i LDK-së pritet të jetë një moment i rëndësishëm reflektimi dhe riorientimi për partinë. Delegatët kanë përgjegjësinë jo vetëm të shqyrtojnë dorëheqjen e kryetarit aktual, z. Lumir Abdixhiku, por edhe të japin një sinjal të qartë për drejtimin politik që LDK synon të ndjekë në të ardhmen. Sa i përket dorëheqjes së z. Abdixhiku, mbetet për t’u parë nëse ajo do të miratohet nga delegatët. Vendimi duhet të merret me qetësi dhe përgjegjësi, duke vlerësuar si rezultatet zgjedhore ashtu edhe nevojën për unitet të brendshëm. Çdo vendim i nxituar mund ta thellojë më tej fragmentarizimin brenda partisë”, ka thënë Jakupi për “Bota sot”.

Duke folur për garën e mundshme për kryetar, Jakupi vlerëson se shpallja e kandidaturës nga Abdullah Hoti ishte e pritshme, për shkak të përvojës së tij politike dhe institucionale. Megjithatë, ai thekson se mungesa e kandidaturave të tjera zyrtare nuk duhet ta mbyllë procesin, por përkundrazi, LDK-ja ka nevojë për një garë të hapur, demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Në këtë kontekst, ai përmend edhe figura si Valon Murtezaj, Faton Bislimi dhe Ukë Rugova, të cilët, sipas tij, përfaqësojnë profile serioze dhe të denja për t’u konsideruar.

“Shpallja e kandidaturës nga z. Abdullah Hoti është një zhvillim i pritshëm, duke marrë parasysh përvojën e tij politike dhe institucionale. Megjithatë, fakti që aktualisht nuk ka kandidatura të tjera zyrtare nuk do të thotë se procesi duhet të mbetet i mbyllur. Përkundrazi, LDK-ja ka nevojë për një garë të hapur, demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Figura si Valon Murtezaj, Faton Bislimi dhe Ukë Rugova përfaqësojnë profile serioze dhe të denja për t’u konsideruar. Një votim i hapur për të gjithë kandidatët potencialë do ta forconte legjitimitetin e kryetarit të ardhshëm dhe do t’i kthente besimin bazës së gjerë partiake. LDK duhet të përzgjedhë një kryetar që e bashkon partinë, i rikthen brenda LDK-së të gjithë ata që janë larguar ndër vite dhe e shndërron atë në një shtëpi të hapur politike, jo përjashtuese. Po ashtu, LDK ka nevojë për një lider konstruktiv, i cili nuk e bllokon funksionimin e shtetit, por e mundëson atë”, shprehet Jakupi.

Analisti thekson se LDK duhet të përzgjedhë një kryetar që e bashkon partinë, i rikthen brenda saj ata që janë larguar ndër vite dhe e shndërron atë në një shtëpi të hapur politike, jo përjashtuese. Po ashtu, sipas tij, partia ka nevojë për një lider konstruktiv që nuk e bllokon funksionimin e shtetit, por e mundëson atë.

Në planin institucional, Jakupi vlerëson se LDK-ja duhet të luajë rolin e saj duke mos penguar krijimin e institucioneve nga partia fituese, duke votuar kandidatin apo kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni qeverisës, si dhe duke mbështetur buxhetin e shtetit dhe ligjet ndërkombëtare që janë në pritje për shkak të moskonstituimit të institucioneve.

“Në këtë kontekst, LDK-ja duhet të luajë rolin e saj institucional duke mos penguar krijimin e institucioneve nga partia fituese, duke votuar kandidatin apo kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni qeverisës, si dhe duke mbështetur buxhetin e shtetit dhe të gjitha ligjet ndërkombëtare që janë në pritje për shkak të moskonstituimit të institucioneve”, nënvizon analisti.

Në fund, ai thekson se LDK duhet të zgjedhë një personalitet që është pasardhës ideologjik i presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova – një lider unifikues, shtetformues, konstruktiv dhe bashkëpunues, që ndërton ura dhe kontribuon në stabilitetin politik dhe institucional të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat