Në një kohë kur Kosova synon të forcojë pozitën e saj si destinacion tërheqës për investime të huaja dhe të zgjerojë bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar, interesimi i bizneseve izraelite po shndërrohet gradualisht në projekte konkrete. Rritja e kontakteve ndërmjet sektorëve privatë të të dy vendeve, si dhe përfshirja e institucioneve mbështetëse, po krijon hapësira të reja për partneritete afatgjata dhe transferim të njohurive.
Në këtë kontekst, Zëvendëspresidenti i Dhomës Ekonomike Izrael-Kosovë, Roy Roznek, thekson se fokusi kryesor i angazhimit të tij dhe i kësaj dhome është ndërtimi i urave praktike të bashkëpunimit ekonomik, duke e zhvendosur vëmendjen nga deklaratat formale drejt rezultateve të matshme në terren. Sipas tij, qëllimi është që interesimi në rritje për tregun kosovar të përkthehet në investime reale, marrëveshje biznesi dhe bashkëpunim të qëndrueshëm ndërmjet kompanive izraelite dhe të Kosovës.
Sipas Roznekut, roli i tij në kuadër të Dhomës Ekonomike Izrael-Kosovë përfshin organizimin e takimeve të biznesit, delegacioneve ekonomike, informimeve të specializuara sipas sektorëve dhe dialogut të vazhdueshëm me aktorë qeveritarë dhe privatë në Izrael dhe Kosovë.
“Prioriteti im është ta shndërroj interesin në veprim, duke lehtësuar partneritete reale, mundësi tregtare dhe bashkëpunim afatgjatë, e jo të mbetemi vetëm në nivelin e deklaratave,” ka deklaruar Roznek.
Ai ka vlerësuar se Kosova paraqet një mjedis të favorshëm për investime të huaja, falë kostove konkurruese, fuqisë punëtore të re dhe të motivuar, si dhe gatishmërisë institucionale për të tërhequr kapital të jashtëm. Megjithatë, Roznek nuk i ka anashkaluar as sfidat me të cilat përballen investitorët ndërkombëtarë.
“Sfidat kryesore lidhen me burokracinë, qartësinë rregullatore dhe nevojën për përmirësime të vazhdueshme në infrastrukturë dhe proceset administrative. Këto janë sfida që nuk janë unike për Kosovën dhe po adresohen gradualisht,” ka theksuar ai.
Roznek ka bërë të ditur se tashmë ka kompani izraelite aktive në Kosovë, kryesisht në fusha si konsulenca, shërbimet e lidhura me ndërtimin dhe zgjidhjet teknologjike. Sipas tij, këto angazhime përbëjnë shembuj pozitivë dhe pika referimi për investitorë të tjerë potencialë.
“Edhe pse disa projekte janë ende në fazat e hershme ose nuk janë publikuar, sukseset e para tregojnë se bashkëpunimi është i mundur dhe i qëndrueshëm,” është shprehur Roznek.
Ai ka nënvizuar se Dhoma Ekonomike Izrael-Kosovë luan një rol kyç si lehtësuese e këtij bashkëpunimi, duke ndihmuar kompanitë kosovare të kuptojnë kulturën e biznesit izraelit, të gjejnë partnerë të përshtatshëm dhe të kalojnë me sukses fazat fillestare të bashkëpunimit.
“Pa këtë mbështetje, shumë mundësi thjesht nuk do të materializoheshin,” ka theksuar ai.
Ndër iniciativat konkrete që po zhvillohen aktualisht, Roznek ka përmendur organizimin e takimeve të fokusuara B2B ndërmjet kompanive izraelite dhe furnizuesve kosovarë në sektorë të caktuar, si dhe konferenca profesionale në fusha si teknologjia dhe pronësia intelektuale.
“Këto projekte janë afër zbatimit dhe pasqyrojnë qasjen tonë praktike dhe të orientuar drejt rezultateve,” ka përfunduar Roznek.