Gjykata Kushtetuese e RMV-së “rrezik për rajonin”? Profesori komenton deklaratën e Osmanit

Politika

Gjykata Kushtetuese e RMV-së “rrezik për rajonin”? Profesori komenton deklaratën e Osmanit

Nga: A.M. Më: 6 shkurt 2026 Në ora: 17:41
Gjatë vizitës së tij në SHBA, nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani

Gjatë vizitës së tij në SHBA, nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, mbajti një fjalim në Capitol Hill, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ku paralajmëroi për rreziqet ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

 Ai theksoi se kërcënimet nuk vijnë vetëm nga forca ushtarake, por edhe nga politika dhe institucionet, duke përmendur veçanërisht rolin e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.

“Për dekada me radhë, marrëveshje si Dejtoni dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit formuan vijën jugore të stabilitetit në Ballkan.

Ato ishin të papërsosura, por mbronin shtetet multietnike dhe pengonin që kufijtë të shndërroheshin në vija fronti.

Sot, kjo vijë po vihet sërish nën presion — jo kryesisht me tanke, por me narrativa dhe me institucione, siç është Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.

Nëse sot mbyllim sytë para përpjekjeve për të minuar marrëveshjet e stabilitetit dhe të integrimit të brendshëm dhe të jashtëm, nesër do t’i hapim sytë në një realitet të ri të paqëndrueshmërisë dhe të shpërbërjes. Kjo duhet të ndalet sot, që nesër të mos na përsëritet historia që e kemi përjetuar dje”, ka thënë Osmani gjatë fjalimit të tij në Capitol Hill.

Lidhur me këtë çështje, profesori, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se para se Osmani të fliste në Capitol Hill për rrezikun dhe devijimin e Marrëveshjes së Ohrit, do të duhej të kërkonte origjinalin e kësaj marrëveshjeje maqedono-shqiptare dhe se kush e zhduki.

Image
Profesori Sulejman Mehazi

Sipas tij, qytetarët, intelektualët dhe politikanët në RMV dinë shumë pak për përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje “misterioze”, e cila, e mbajtur e fshehtë, duket e ogurzezë për shqiptarët e RMV-së.

“Para se të bisedonte Bujar Osmani në Capitol Hill në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për rrezikun dhe devijimin e Marrëveshjes së Ohrit do ishte mirë që në Capitol Holl të kërkonte origjinalin e kësaj marrëveshje maqedone-shqiptare, ku është?, pse humbi e kush e zhduki?, pasi qytetarët, intelektualët dhe politikanët e RMV-së shumë pak dinë se çfarë shkruan në këtë marrëveshje të mistershme të Ohrit. Pikërisht kjo marrëveshje e fshehur thellë duket e pabesueshme, nënçmuese, ndjellakeqëse për shqiptarët e RMV-së”, është shprehur ai.

Profesori ka thënë se Osmani kritikon më shumë BDI-në dhe veten sesa Mickoskin.

“Bujar Osmani me devijimin e Marrëveshjes së Ohrit më shumë kritikon BDI-në dhe veten sesa qeverinë e Mickoskit. Pa farë dyshimi mund të themi se Marrëveshja e Ohrit është një Marrëveshje Horash e kurrsesi një marrëveshje paqësore shqiptare – maqedonase”, ka thënë ai.

Në fund, Mehazi ka thënë se Osmani kritikon Gjykatën Kushtetuese të RMV-së, duke e quajtur rrezik për stabilitetin e Ballkanit.

Ai pyet, pse gjatë 22 vjetëve të qeverisjes së BDI-së nuk ishte problem kjo gjykatë, dhe tani po shihet si kërcënim për tërë rajonin.

“Sot stabilitet paqësor nuk kanë kontinente, bota globale njerëzore, kurse zotëri Bujar Osmani kritikon Gjykatën Kushtetuese të RMV-së gjoja se po rrezikon stabilitetin e tërë shteteve të Ballkanit. Pyesim nënkryetarin e BDI-së Bujar Osmani, se a është e njëjta Gjykatë Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut gjatë qeverisjes 22 vjeçare të  BDI-së?, po, atëherë pse gjatë qeverisjes së gjatë të BDI-së nuk ishte problem Gjykata Kushtetuese e RMV-së, gjersa tani kjo gjykatë është aq e rrezikshme sa që rrezikon tërë Ballkanin. Dokrat dhe kopallat politike në këtë shtet nuk kanë të sosur”, ka përfunduar Mehazi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat