LDK mund ta mbështesë sërish Osmanin për Presidente, Qarri: Ajo e meriton edhe një mandat

Politika

LDK mund ta mbështesë sërish Osmanin për Presidente, Qarri: Ajo e meriton edhe një mandat

Nga: M.L. Më: 10 shkurt 2026 Në ora: 15:23
Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani

Të hënën, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar me Presidenten Vjosa Osmani për të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare me rëndësi për Kosovën.

Gjatë takimit, Abdixhiku u informua për iniciativën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për themelimin e Bordit të Paqes, një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes, si dhe përmirësimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Në fotografitë e takimit, të publikuara nga kreu i LDK-së, u pa një afërsi e theksuar mes tij dhe Osmanit pas një kohe të gjatë.

Ky takim u zhvillua në kohën kur çështja e zgjedhjes së presidentit të ri është në qendër të diskutimit publik, pasi mandati pesëvjeçar i Osmanit përfundon më 7 prill.

Osmanit do t’i nevojiten 81 vota për t’u rizgjedhur presidente, ndërsa ende është e paqartë se si do t’i sigurojë ato, duke marrë parasysh qëndrimet e partive opozitare kundër saj.

Diferencën në këtë situatë pritet ta bëjë Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo që edhe para pesë vitesh kishte qëndruar në sallë kur Osmani u zgjodh presidente.

Analisti Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka treguar arsyet pse Vjosa Osmani meriton edhe një mandat në krye të presidencës.

Image
Gani Qarri

 “Dr. Vjosa Osmani, për rreth pesë vite të ushtrimit me përkushtim maksimal të detyrës së presidentes, e ka dëshmuar në vepër se është personaliteti më meritor politik për përfaqësimin dinjitar dhe afirmimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë të pavarur, në politikën e jashtme dhe arenën botërore, përkatësisht rizgjedhjen e saj, me aklamacion, pa dallim bindjeje politike e përkatësie partiake, për të parën e vendit edhe për një mandat pesëvjeçar.

Presidentja aktuale ka zhvilluar një politikë të jashtme shumë largpamëse dhe diplomaci tejet afirmative kudo në botë, duke kultivuar miqësi të jashtëzakonshme me figurat më të larta politike e institucionale evropiane dhe ndërkombëtare, që nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, shtetet kryesore të BE-së si Gjermania, Franca, Italia etj., dhe ka përfaqësuar shtetin e ri të Kosovës me sukses të padiskutueshëm në të gjitha takimet evropiane e botërore, duke arritur në minutat e fundit vendimmarrëse që, në bisedime të drejtpërdrejta me Kryetaren e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, t’i largojë të gjitha masat ndëshkuese të BE-së ndaj vendit tonë dhe të sjellë vetëm në vitin që lamë pas edhe katër njohje të reja për shtetin e pavarur të Kosovës, sukses i cili mund të jetë ëndërruar, por nuk ka mundur askush ta imagjinojë se do të realizohet për kohë kaq të shkurtër dhe në rrethanat e trazuara aktuale mbarëbotërore.

Ajo, duke qenë se është e martuar edhe me një bashkëshort me origjinë nga Kosova Lindore, faktikisht përfaqëson jo vetëm shtetin dhe shqiptarët e Kosovës aktuale, por edhe bashkëkombësit tanë në Kosovën Lindore, të cilët, përkundër referendumit dhe vullnetit të shprehur me plebishit popullor më 1 dhe 2 mars të vitit 1992, ku shqiptarët u deklaruan masivisht për autonomi politike-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën, për fatin tonë të keq kombëtar, kanë mbetur padrejtësisht dhe pa dëshirën tonë e as të tyre jashtë kufijve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Qarri për “Bota sot”.

Analisti beson se Osmani do ta ketë edhe kësaj radhe mbështetjen e Abdixhikut dhe LDK-së.

“Sa i takon votimit për presidenten e vendit, ç’është e vërteta, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka mbështetur zgjedhjen e dr. Vjosa Osmanit për presidente të Republikës edhe në mandatin e parë, kështu që, duke qenë se ai lidhet edhe familjarisht me bashkëshortin e Presidentes, besoj se qëndrimi i njëjtë do të përsëritet edhe me rastin e votimit të radhës dhe, në kuadër të diskutimit për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në Bordin e Paqes, që nën organizimin e administratës së presidentit Donald Trump, për herë të parë pritet të mblidhet më 19 shkurt në Uashington, është biseduar edhe për rivotimin nga LDK-ja të dr. Vjosa Osmanit për Presidente”, është shprehur Qarri.

Sipas Qarrit, kjo gjë vërehet edhe në fotot e publikuara nga kreu i LDK-së. Po ashtu, ai shpreson se edhe Ramush Haradinaj dhe AAK-ja do ta mbështesin Osmanin në rizgjedhjen e saj si presidente.

“Kjo sikur vërehet edhe në fotot e publikuara së fundi nga Abdixhiku dhe dr. Vjosa Osmani, ku vërehet një afërsi e theksuar mes tyre, qëndrim që edhe sikur sinjalizon se presidentja me arsye i kërkon mbështetjen Abdixhikut për zgjedhjen edhe në mandatin e dytë presidente, gjë që, duke pasur parasysh se gjasat më të mëdha për t’u zgjedhur, gjegjësisht rizgjedhur presidente e vendit, i ka dr. Vjosa Osmani, është e drejtë dhe më se normale që, njëjtë si në mandatin e parë, dr. Vjosa Osmanit t’i ofrohet mbështetja edhe në votimin e radhës për të parën e shtetit, me votat e LDK-së dhe të partive të tjera, për emërimin e saj edhe në mandatin vijues”, ka theksuar ai.

“Në fakt, presidentja ka dhënë maksimumin e angazhimit për vendin tonë, ndaj ka të tillë që ndoshta mund ta xhelozojnë nga smira për arritjet e saj, por nuk mund ta akuzojë askush për asgjë dhe me asnjë argument për mossuksese, kështu që ajo, përveç me Abdixhikun, është takuar edhe me Ramush Haradinajn, i cili gjithashtu, besoj se përpos pjesëmarrjes së Kosovës në Bordin e Paqes, në zgjedhjet e fundit ka marrë mend dhe do ta mbështesë edhe votimin pro për presidenten, siç do të duhej të vepronin edhe partitë e tjera politike, derisa ajo është angazhuar kaq shumë në këto pesë vite për afirmimin diplomatik dhe avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, ka nënvizuar ai.

Sipas Qarrit, Osmani mund ta kërkojë ballëhapur edhe një post për presidente, duke marrë parasysh sukseset në përfaqësimin, reprezentimin dhe afirmimin e vendit tonë në botë.

 “Kështu që dr. Vjosa Osmani, si zëri unik i popullit, është ballëhapur ta kërkojë mbështetjen e secilit dhe nga të gjitha subjektet politike pa dallim, mbështetje që medoemos duhet t’i ofrohet si personaliteti më meritor edhe për të mirën e Kosovës, ngase, duke pasur parasysh sukseset në përfaqësimin, reprezentimin dhe afirmimin e vendit tonë në botë, nuk ka shkak as arsye të mungojë mbështetja maksimale dhe e pakushtëzuar e partive politike për votimin e dr. Vjosa Osmanit edhe në mandatin vijues për presidente.

Ndryshe, duke marrë parasysh sukseset e dëshmuara diplomatike, angazhimin e vazhdueshëm e konstruktiv, përfaqësimin shumë dinjitar e reprezentativ të Republikës së Kosovës në politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, respektin e lartë që ajo gëzon nga të gjithë dhe forcimin e konsolidimin e miqësisë me figurat më të shquara evropiane dhe botërore, cilitdo qofshin ata individë apo segmente politike që nuk e mbështesin apo përpiqen ta zëvendësojnë në postin e presidentes zonjën Osmani me një figurë të panjohur ndërkombëtarisht dhe pa përvojë për përfaqësimin e shtetit tonë në politikën e jashtme dhe diplomacinë botërore, kanë për qëllim stagnimin e ecjes përpara të shtetit tonë të ri dhe pengimin e afirmimit të suksesshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, pikërisht në momentet më të trazuara globale politike dhe zhvillimet më dramatike në arenën ndërkombëtare, kur Kosova ka nevojë më së shumti për njerëz të guximshëm dhe me përvojë diplomatike për përfaqësim dinjitoz e veprime në sinkron me diplomacinë botërore”, ka potencuar ai.

Ndryshe, nesër (e mërkurë, 11 shkurt) do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat