Kosova 18 vjet Pavarësi: Shteti i ri që sfidoi parashikimet dhe befasoi botën

Politika

Kosova 18 vjet Pavarësi: Shteti i ri që sfidoi parashikimet dhe befasoi botën

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 shkurt 2026 Në ora: 13:05
Foto ilustrim

17 shkurti i vitit 2008 është data e cila shënon shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Pikërisht në këtë datë, tetëmbëdhjetë vite më parë në ora 15:39 minuta në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë u shpall Kosova shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme kishin marrë pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, duke lënë pas rrugëtim të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës.

Tetëmbëdhjetë vjet më parë, Kosova përjetoi një moment vendimtar në rrugën e saj drejt shtetësisë dhe rindërtimit pas konflikteve të përgjakshme. Ky përvjetor nuk është thjesht një shenjë kohore, por një pikë reflektimi për proceset që pasuan luftën – ngritjen e institucioneve, sfidat e tranzicionit dhe përpjekjet për të ndërtuar një rend të drejtë e të qëndrueshëm.

Historikisht, ky 18-vjetor duhet kuptuar si pjesë e një periudhe më të gjerë transformimi: si përpjekje për pajtim me të shkuarën, por edhe si test i aftësisë së shoqërisë për të konsoliduar drejtësinë, shtetin ligjor dhe vlerat demokratike. Ai ofron një mundësi për të analizuar jo vetëm ngjarjet e kaluara, por edhe pasojat e tyre në zhvillimet politike, shoqërore dhe institucionale që kanë formësuar Kosovën e sotme.

Rrugëtimi i Kosovës

Opinionisti Skënder Zogaj, rrugëtimin 18 vjeçar e quan të ndërlikuar.

Sipas tij, ka pasur ngërçe e dialogu i brendshëm politik ka qenë konfliktual.

“Rrugëtimi 18-vjeçar i Kosovës ishte i ndërlikuar, me arritje të vogla e me ngecje serioze të cilat e kanë ngadalësuar ritmin e konsolidimit shtetëror. Është për keqardhje dhe e pajustifikueshme në veçanti zbehja e besimit në institucionet themelore të shtetit, që jo sa është pritur kanë arritur aktivitet funksional, për më tepër ka pasur ngërçe rreth rendit kushtetues, zgjedhjeve pluraliste, në lirinë e medias dhe në krijimin e një identiteti shtetëror në arenën ndërkombëtare; sundimi i ligjit mbetet i brishtë, korrupsioni dhe kapja e shtetit kanë dëmtuar besimin qytetar, zhvillimi ekonomik ka qenë i pamjaftueshëm, ndërsa papunësia dhe emigrimi masiv kanë zbrazur shpresën e shumë qytetarëve. Dialogu i brendshëm politik ka qenë konfliktual, shpesh i fokusuar në pushtet, e jo në interesin afatgjatë të shtetit”, thotë Zogaj.

Image
Skënder Zogaj

Ai konsideron se ende ka sfida përpara për Kosovën, por ajo vazhdon të jetë projekt serioz i hapur historik.

“Prandaj pyetja: A është sot Kosova ajo që e kemi dashur të jetë para 18 vitesh? Mendoj: jo, sepse Kosova e ende nuk është shtet në masën që është ëndërruar; sepse është shtet formal, por me sfida të thella në sovranitetin real ekonomik dhe institucional. Mirëpo, Kosova vazhdon të jetë projekt serioz i hapur historik dhe, ajo që nuk u arrit në këto 18 vite ende nuk është humbur nëse kemi vullnetin moral dhe politik që në vitet e ardhshme të angazhohemi më seriozisht për angazhime më të përgjegjshme!”, pohon opinionisti.

Leximi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt 2008 nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, gjatë një mbledhjeje të Kuvendit të Kosovës në Prishtinë. Ceremonisë i pranishëm ishte edhe Presidenti i Kosovës, si dhe deputetët e Kuvendit.

Deklarata u miratua unanimisht nga deputetët e pranishëm, ndërsa njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan votimin. Përfaqësues të nëntë pakicave tjera etnike morën pjesë në kuorum, duke garantuar kështu legjitimitetin e procedurës.

Sipas terminologjisë së deklaratës, pavarësia e Kosovës është e kufizuar në parimet e Plani Ahtisaarit. Këto parime përcaktojnë disa kufizime dhe detyrime:

Kosova nuk mund të bashkohet me ndonjë vend tjetër;

Ka kapacitete të kufizuara ushtarake;

Vendit i sigurohet mbikëqyrje ndërkombëtare;

Parashikohet mbrojtja e të gjitha minoriteteve etnike.

Versioni origjinal i papirusit të deklaratës u nënshkrua nga delegatët po atë ditë, ndërsa teksti në gjuhën shqipe mbetet dokumenti autentik.

Aftësia e Kosovës, arritjet e hapat e rëndësishëm

Analisti nga Shqipëria, Ilir Vata, konsideron se Kosova ka ecur me hapa të shpejt, duke befasuar jo vetëm Evropën, por edhe më gjerë.

Sipas tij, Kosova ka dëshmuar se është e aftë jo vetëm të ndërtojë shtet, por edhe të sjellë risi dhe të bëjë progres që disa vende të tjera nuk e kanë arritur për dekada apo shekuj.

“18 vite pavarësi/Kosova e ngrohur me BE dhe SHBA, e ftohur me Shqipërinë! Një nga shtetet më të reja në botë, Kosova ka ecur me hapa të shpejtë, duke befasuar jo vetëm Evropën, por edhe më gjerë. Bilanci i këtyre 18 viteve është premtues për të ardhmen, sidomos sa i përket arritjeve në shtetformim dhe angazhimit institucional për mbrojtjen e vlerave të qytetarëve dhe të vetë shtetit. Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova ka dëshmuar se është e aftë jo vetëm të ndërtojë shtet, por edhe të sjellë risi dhe të bëjë progres që disa vende të tjera nuk e kanë arritur për dekada apo edhe shekuj. Në krahasim me disa vende të rajonit, si Shqipëria apo Mali i Zi, arritjet e Kosovës në ndërtimin institucional kanë qenë të dukshme. Një nga sfidat kryesore ka qenë njohja ndërkombëtare. Deri më sot, mbi 100 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ajo është anëtarësuar në institucione të rëndësishme ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, duke forcuar pozicionin e saj në arenën globale”, deklaron Vata.

Image
Analisti nga Shqipëria, Ilir Vata

Ai përmend hapat e rëndësishme që ka bërë Kosova gjatë këtyre viteve, duke konsideruar liberalizimin e vizave një arritje madhore.

“Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve funksionale shtetërore: ka miratuar Kushtetutën, ka organizuar zgjedhje të rregullta demokratike dhe ka realizuar tranzicione paqësore të pushtetit. Po ashtu, ekonomia ka shënuar rritje të qëndrueshme, duke krijuar një bazë më solide për zhvillim. Një arritje madhore është liberalizimi i vizave. Nga 1 janari 2024, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen për qëndrime afatshkurtra – një sukses i rëndësishëm politik dhe simbolik. Përparime janë shënuar edhe në sundimin e ligjit, me përmirësime në luftën kundër korrupsionit dhe reforma në sistemin e drejtësisë”.

“ Një tjetër pikë e fortë ka qenë dialogu me Serbinë. Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka sjellë disa marrëveshje teknike, ndonëse normalizimi i plotë ende nuk është arritur. Megjithatë, Kosova ka fituar më shumë peshë dhe siguri në këtë proces. Idetë për “pazare” territoriale janë zbehur, ndërsa në veri të vendit sundimi i ligjit është forcuar. Kosova ka vendosur parimin e reciprocitetit në marrëdhëniet me Serbinë, duke treguar se është një shtet funksional dhe institucional. Kosova ka marrëdhënie të mira me vendet e Bashkimit Evropian dhe veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat mbeten mbështetëset kryesore të saj në arenën ndërkombëtare”, shprehet analisti.

Në fund, ai shton se këto vite mungojnë marrëdhëniet e ngrohta me Shqipërinë.

“Megjithatë, ajo që ka munguar vitet e fundit janë marrëdhëniet e ngrohta me Shqipërinë. Edhe pse dy vendet ndajnë histori, gjuhë dhe aspirata të përbashkëta, raportet politike nuk kanë qenë në nivelin që pritej. Kosova synon anëtarësimin në organizma ndërkombëtarë, veçanërisht në NATO, por përpara çdo integrimi të ri, bashkëpunimi i ngushtë me Shqipërinë duhet të jetë prioritet strategjik. Pra, Kosova ka ecur aq shumë sa ka befasuar botën me ndërtimin institucional dhe përparimin e saj, por njëkohësisht ka ftohur marrëdhëniet me Shqipërinë , marrëdhënie që kërkojnë vullnet dhe kohë për t’u forcuar sërish”, përfundon Vata.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat