Analisti flet për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës – thekson sfidat e shtetndërtimit dhe dialogun me Serbinë!

Politika

Analisti flet për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës – thekson sfidat e shtetndërtimit dhe dialogun me Serbinë!

Nga: M.H. Më: 17 shkurt 2026 Në ora: 17:51
Foto ilustrim

Përvjetori i Pavarësisë së Kosovës është një moment i rëndësishëm reflektimi për rrugëtimin shtetformues të vendit. Shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 hapi një kapitull të ri politik dhe institucional, duke vulosur aspiratën për shtet të pavarur dhe sovran.

Që nga ajo kohë, Kosova ka ndërtuar institucionet e saj dhe ka synuar forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, pavarësisht sfidave të brendshme dhe të jashtme.

Në këtë rrugëtim, raporti me Serbinë ka qenë ndër çështjet më të ndjeshme. Dialogu i zhvilluar ndër vite ka prodhuar debate mbi efektet dhe drejtimin e tij.

Prandaj, shtrohen pyetje thelbësore: a po menaxhohet ky raport në mënyrë strategjike dhe a po e afron dialogu njohjen reciproke, apo vetëm po e zvarrit status quo-në?

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai thotë se Kosova, si shtet i ri dhe në tranzicion, është përballur me shumë sfida të brendshme dhe ndërkombëtare, por megjithatë po përparon në konsolidimin e shtetësisë.

Gjithashtu analisti shprehet se edhe pse ka pasur vështirësi dhe gabime, orientimi euro-atlantik mbetet prioritet strategjik dhe procesi i forcimit të legjitimitetit të brendshëm e të jashtëm vazhdon.

“Shteti i Kosovës është ballafaquar me sfida të vazhdueshme, si në aspektin e brendshëm të konsolidimit të shtetësisë, ashtu edhe në aspektin e konsolidimit ndërkombëtar. Kosova, si shtet në tranzicion, po arrin me mençuri dhe vigjilencë ta përmbushë substancën e brendshme të shtetësisë. Kuptohet, rruga drejt qëllimit nuk është e lehtë dhe ka pasur gabime gjatë saj, por synimet dhe objektivat euro-atlantike mbesin në qendër të politikave strategjike. Problemet e natyrës së një shteti në tranzicion janë të pranishme si në proceset e brendshme, ashtu edhe në konsolidimin dhe legjitimitetin e jashtëm ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Tutje, analisti thekson që dialogu me Serbinë mbetet sfidë e ndjeshme, por Kosova pritet ta përballojë pa cenuar thelbin e shtetësisë, ndërsa çdo përvjetor dëshmon forcimin e sovranitetit dhe legjitimitetit të saj ndërkombëtar.

“Dialogu me Serbinë është njëra ndër pikat më të ndjeshme për Kosovën, pasi ka shumë çështje të kontestuara që mbeten për t’u negociuar. Besoj fuqishëm se Kosova do t’ia dalë, duke mos negociuar “kompromise” të dhimbshme, të cilat do ta dëmtonin substancën e shtetësisë. Çdo përvjetor i shtetësisë së Kosovës ka gjithnjë e më shumë arsye për t’u festuar, pasi Kosova si shtet po merr epitetin e një shteti me sovranitet të brendshëm dhe legjitimitet ndërkombëtar”, përfundoi analisti Ahmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat