Protesta e 17 shkurtit, “Drejtësi, jo politikë” nuk ka kaluar pa polemika për përfaqësimin dhe mesazhin që ajo përçon.
Mungesa e familjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e kryeministrit Albin Kurti ka ngjallur debate mbi atë nëse protesta mund të konsiderohet e plotë.
Kurse, në anën tjetër, pjesëmarrja e presidentes Vjosa Osmani, duke pasur parasysh qëndrimet e saj të kaluar mbi Specialen, LDK-në dhe vrasjet politike, duket se nuk është thjesht një akt qytetar; ajo ngre dyshime se motivimi i saj mund të lidhet me interesin për të siguruar votat e mungueshme për rizgjedhjen presidenciale, veçanërisht nga radhët e PDK-së.
Kështu, protesta u shfaq jo vetëm si një tubim për drejtësi, por edhe si një arenë ku bashkohen dhe përplasen interesa politike dhe strategji personale.
E për këtë temë për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi, i cili komentoi protestën e së martës, derisa foli edhe për mosprezencën e Kurtit, derisa dha disa komente edhe për Osmanin, Ramën dhe Ballën.
Sipas tij, pjesëmarrja e këtyre të fundit nuk beson së është rastësi.
“Të martën e shkuar, në vend që të bëhej festë për ditën e pavarësisë së Kosovës, u zhvillua një protest, që për nga pjesmarrja mund të konsiderohet si më e madhja e e dekadave të fundit. Morën pjesë mijëra qytetarë. Pse ndodhi kjo? Sepse për pjesmarrjen dhe organizimin e kësaj proteste u bashkuan të gjitha subjektet politike. Njerëz të njohur në Prishtinë më thonë se aktivistët dhe strukturat e Vetëvendosjes kanë punuar me përkushtim për këtë qëllim. Që do të thotë se nëse Vetëvendosja e Albin Kurtit nuk do të ishte angazhuar, nuk do ta kishim atë pjesmarrje aq të gjerë.
Por megjithëkëtë Albin Kurti nuk ishte i pranishëm në këtë protestë. Ndërkohë që Vjosa Osmani qe aty, madje në shoqërinë e Taulant Ballës, një ministër i qeverisë Rama i përfolur shumë se ka përgjigme në SPAK për bashkëpunim me grupe mafioze dhe kriminale. A i intereson kjo presidentes së Kosovës dhe politikës në Kosovë? Shoh që nuk i intereson. A duhet t’i interesojë? Sigurisht që po, pavarësisht se qeveritarët e Shqipërisë nuk i zgjedh Kosova dhe ata të Kosovës nuk i zgjedh Shqipëria. Po si ka mundësi që në Tiranë Taulanti është në krah të Përparim Ramës dhe në Prishtinë në krah të presidentes? Nuk është krejt rastësi. Do të ishte naivitet që në politikë të besohet në rastësitë”, deklaroi ai.
Përveç kësaj, Bytyçi u fokusa tek mospjesëmarrja e Familjes Jashari dhe kryeministrit Kurti në këtë protestë.
Sipas tij, kjo ka disa domethënie, e së pari beson se Familja Jashari dhe Kurti nuk janë në fushatë elektorale, ndërsa situatë ndryshe e vlerëson për Osmanin dhe synimin e saj për një mandat të dytë.
Sipas tij, Osmani po synon të marrë ndonjë votë nga PDK, derisa e ndërlidhi këtu edhe vizitën e Ramës dhe takimin e tij me presidenten.
“Tani të kthehemi te thelbi i pyetjes tuaj. Pse nuk morën pjesë në protestë përfaqësuest e Familjes Jashari dhe kryeministri Albin Kurti? Kjo ka një domethënie të caktuar:
Së pari, as familja Jashari, as Albin Kurti nuk janë në fushatë elektorale. Kjo përkthehet dhe argumenton faktin se zonja Osmani ishte në protesët për shkak se ajo gjendet në kulmin e fushatës së saj për t’u zgjedhur president e Republikës. Me këtë veprim josh votat ose së paku pjesmarrjen e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës në seancën zgjedhore të presidentit, në këtë rast presidentes. Kam përshtypjen se edhe vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Prishtinë një ditë më parë, pra të hënën që shkoi, në Prishtinë kishte të njëjtin qëllim. Të sponsorizojë votën e partisë së Hashim Thaçit në adresë të Vjosa Osmanit. Nuk e di nëse e ka bërë ai këtë përmes kontakteve direkte me drejtuesit e PDK-së, apo përmes mesazheve. Por kjo është arsyeja kryesore e pjesmarrjes së presidentes dhe mospjesmarrjes së kryeministrit të Kosovës si dhe familjes emblematike Jashari. E njëjta arsye e detyroi edhe Përparim Ramën të udhëtojë nga Prishtina për të marrë pjesë në protestën e Tiranës. Edhe atij i duheshin votat e Partisë Demokratike në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Prishtinës dhe i mori ato vota. U bë kryetar komune edhe për një mandate të dytë. Pra kemi të bëjmë me pazare”.
Më tej, ai u zgjerua edhe tek mesazhet që Edi Rama ia dha Osmanit gjatë vizitës së tij në Kosovë.
Profesori, analizoi edhe pretendimin se presidentja ka qenë për 2 vite e kërcënuar nga Prokuroria Speciale.
“Së dyti, kryeministri i Shqipërisë ia ka kërkuar zonjës Osmani pjesmarrjen në protestë dhe në këmbim u dha mesazhin organizatorëve që ta pranojnë atë aty si president. Mesazhi i kryeministrit Rama u dha përmes lajmit që bëri publik, se presidentja Osmani kishte qenë për dy vite nën presionin e prokurorëve të Gjykatës Speciale të Hagës në përpjekje për ta kontrolluar zyrën e presidentit me shpresë se mund të gjenin ndonjë material kompromentues për zotin Thaçi në atë zyrë. Kur zoti Thaçi dha dorëheqjen u tha se këshilltarët e tij punuan për ta pastruar atë nga materialet kompromentuese. Zonja Osmani mund të ketë këmbngulur që zyra të mos kontrollohet nga prokurorët, por nëse aty nuk kishte material kompromentuese, nuk kishte pse ta ndalonte këtë gjë. Mund të thuhet për ruajtjen e presitigjit të zyrës së presidentit! Dakord! Por prestigji do të ruhej më mirë, nëse bëhej kontrolli, nuk gjendes asgjë kompromentuese dhe kësisoj akti i kontrollit të denoncohej publikisht. Ka shumë mënyra për ta ruajtur prestigjin”, nënvizoi Bytyçi.
Ndër të tjera, ai shtoi se, këqpërdorimi i emrit të Adem Jasharit në gjykimin në Hagë, vlerëson se ka ndikuar që Familja Jashari të mos bëhet pjesë e protestës së 17 shkurtit.
Kurse, sa i përket Kurtit, vlerësoi se ai iu qëndroi pas veprimeve dhe parimeve të tij.
“Së treti, në mospjesmarrjen e Familjes Jashari veç tjerash ka ndikuar edhe keqpërdorimi i Adem Jasharit në mbrojtjen e presidentit Thaçi. E keqpërdori atë edhe Rexhep Selimi, kur thoshte se ishte bashkëluftëtar i heroit tonë kombëtar. Por mbrojtja e Thaçit disa herë u tha prokurorëve se “Nëse akuzoni Hashim Thaçin, pse nuk akuzoni edhe Adem Jasharin"! Askush në Kosovë, në Shqipëri e në shqiptari nuk krahasohet me Adem Jasharin dhe familjen e tij, për të cilin Kushner thoshte se “Nëse do të ekzistontë një çmim nobel për lirinë, këtë çmim do ta merrte vetëm Adem Jashari dhe familja e tij”! Asnjë i gjallë nuk ka tagrin të përmendë e të maskohet pas Adem Jashari dhe atyre dëshmorëve të lirisë që prehen në Prekaz! Kur them asnjë, do të thotë asnjë dhe askush! Të kapesh në emrin e Adem Jasharit për të shpëtuar veten nga një akuzë, është akt mjeran. Dhe avokati i Thaçit nuk e përdori këtë narrativë Pa lejen e klientit të tij. Mjafton kjo që Familja Jashari ta bojkotonte protestën e të martës së shkuar në Prishtinë,
Ndërsa, zoti Kurti ishte konsistent në veprimet e tij. Ai duket se i përmbahet parimit se drejtësia nuk funksionon me protesta. Kur Kurtin e dërguan në gjykatën e Prishtinës për gazin lotsjellës në parlament, ai kishte mundësi të mobilizonte mijëra njerëz në protesat për mbrojtjen e tij. Por nuk e bëri këtë, sepse ndhehej i pafajshëm”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.