Reagimi i Mehmetit: “I pushtuari s’mund të fajësohet për lirinë”

Politika

Reagimi i Mehmetit: “I pushtuari s’mund të fajësohet për lirinë”

Nga: A.SH Më: 21 shkurt 2026 Në ora: 18:47
Foto ilustrim

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëherësh figura të rëndësishme të jetës politike në vend, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë paraqitur fjalët e tyre përpara trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në deklaratat e tyre përmbyllëse, ata kanë mbrojtur qëndrimet e tyre lidhur me akuzat, duke theksuar rolin që, sipas tyre, kanë pasur gjatë luftës në Kosovë dhe duke kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë.

Seancat e fundit shënojnë një etapë të rëndësishme në procesin gjyqësor që ka tërhequr vëmendje të madhe publike, si në Kosovë ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Analisti Gani Mehmeti, thotë se sot është e vështirë të thuhet e vërteta.

Ai vlerëson se, nëse Gjykata Speciale nuk mund të ndalohej, duhej të trajtonte edhe krimet serbe, jo vetëm ato të UÇK-së.

Sipas tij, duhet drejtësi e jo politikë, por thekson se nuk dihet sa janë fajtorë të akuzuarit dhe kundërshton pranimin e dokumenteve apo dëshmive nga Serbia kundër UÇK-së.

“Një pleqnar që e kisha afër, menjëherë pas luftës, më pati thënë: Kurrë nuk ka qenë më vështirë se sot të thuhet e vërteta!

Dhe pikërisht ashtu po del. E vërteta po dhemb shumë sot, sepse njerëzit kanë bërë shumë të liga: Kush ka vra, kush ka vjedhur, kush ka plaçkitur, kush ka marrë haraç kush ka bashkëpunuar me serbë… Dhe, pas këtyre të këqijave edhe janë kërcënuar…

Nëse nuk ka mundur të ndalohet Gjykata Speciale, është dashur të kërkojë që Gjykata të mos jetë për dënimin vetëm të shqipatrëve, kupto të UÇK, por do duhej të ishte edhe për dënimin e serbëve gjenocidal.

Mandej, këtu, sipas kërkesës së tyre që të ketë DREJTËSI e jo POLITIKË është në rregull. Por, sa është e drejtë të dënohen e sa jo, ne nuk po e dimë. Nuk e dimë se a janë fajtorë ata atje.

Mandej, në çka u jap të drejtë protestuesve, vetëm në atë se në këtë gjykatë, përmes shumë shkrimeve e manipulimeve, ka gisht edhe Serbia, me të cilën ne ishim në luftë, dhe është krejt në rregull edhe sikur dikush nga serbët të jetë vrarë apo maltretuar. Kjo gjykatë, asgjë nuk është dashur të pranojë nga Serbia, ama hiç kurrgjë.

Pranimi i çfarë do dokumentacioni për krime lufte kundër UÇK prej Serbisë, nuk është dashur të bëhet. « Dëshmitë » e palës së kundërt nuk duhet të pranohen as me gojë e as me shkrim për dënim të të akuzuarëve”, u shpreh ai.

Mehmeti deklaron se nëse Gjykata Speciale ka pranuar dokumente nga Serbia, ajo duhet të shpallet jolegjitime. Ai thekson se Serbia ishte agresore gjatë viteve 1998–1999 dhe se nuk u krijua një gjykatë për krimet serbe. Sipas tij, shqiptarët luftuan për liri dhe nuk duhej të gjykohen për veprimet gjatë çlirimit, pasi përgjegjës mbetet pushtuesi, jo i pushtuari.

“Nëse kjo Gjykatë ka marrë diçka nga Serbia, duhet të shpallet jolegjitime, sepse gjenocidin e ka shkaktuar Serbia e jo UÇK-ja. Krimet i ka bërë Serbia, sa masakra në Kosovë i ka bërë Serbia gjatë viteve 1998 dhe 1999 ! Kjo është e tmerrshme, dhe sërish nuk u formua një Gjykatë speciale për dënimin e serbëve. Shqiptarët nuk kanë qenë agresorë, serbët ishin agresorë. Ne nuk kemi pushtuar askënd që ta mbajmë të pushtuar, ata na kanë pushtuar, siç dihet. Prandaj, shqipatrët, në veçanti ndaj serbëve, çfarë do të kenë bërë gjatë luftës, nuk ka qenë dashur fare të fajësohen e as të gjykohen dhe as të dënohen.

I pushtuari apo i robëruari më në fund, bën krejt çka të mundet për të ardhur deri tek LIRIA. Dhe, çfarë do që të bëjë për të fituar lirinë, nuk ka për çka të fajësohet. Fajtor mbetet ai që mban tjetrin të pushutar apo të robëriar.

Lirinë ka të drejtë ta kërkojë secili, pushtimi i ndalohet secilit”, përmbyll ai për gazetën.

Kujtojmë, Thaçi, ish-president, Veseli e Krasniqi, ish-kryeparlamentarë, dhe Selimi, ish-deputet, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë, dhe janë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Gjykata Speciale funksionon me ligje të Kosovës, ndërsa për çështje sigurie selinë e ka në qytetin holandez. Ajo i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetorin e vitit 2000.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat