Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.
Deri në këtë moment është propozuar vetëm një kandidat për këtë post, deputeti Glauk Konjufca.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar një ditë më parë se kandidatura e Konjufcës është dorëzuar me nënshkrimet e 30 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga grupi multietnik.
“Në cilësinë e kryetares së Kuvendit kam pranuar vetëm një kandidaturë për president, e cila është propozuar nga 30 deputetë nënshkrues. Sipas dokumentacionit, një pjesë e deputetëve nga Grupi Parlamentar i VV-së dhe disa deputetë nga grupi multietnik kanë nominuar Glauk Konjufcën”, deklaroi Haxhiu në konferencë për media.
E të gjendur në këtë situatë nëse zgjedhja e presidentit dështon në Kuvendin e Kosovës, a shpërndahet automatikisht Kuvendi apo kërkohet vendim i veçantë, dhe sa real është rreziku për zgjedhje të reja në situatën aktuale politike?
Në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, ka folur avokati Ardian Bajraktari.
Ai thotë se afati për zgjedhjen e presidentit është një detyrim kushtetues i qartë dhe nuk është vetëm formalitet, duke siguruar stabilitet institucional.
Gjithashtu avokati shprehet se, mosrespektimi i këtij afati nuk shkakton automatikisht shpërndarjen e Kuvendit apo zgjedhje të reja.
“Sipas Kushtetutës, nenit 86, paragrafi 2, Presidenti/ja duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit/es aktual/e. Ky afat nuk është formalitet procedural, por garanci për stabilitet institucional dhe vazhdimësi kushtetuese.
Pavarësisht faktit se mosrespektimi i këtij afati nuk nënkupton automatikisht shpërndarjen e Kuvendit apo shkuarjen e vendit në zgjedhje, kjo në asnjë mënyrë nuk e zbeh natyrën e saj detyruese, sepse dispozita kushtetuese përdor termin “duhet”, i cili në terminologjinë juridike shpreh obligim të qartë dhe jo rekomandim apo mundësi diskrecionale”, u shpreh ai.
Në fund, avokati nënvizon që mungesa e kompromisit dhe konsensusit krijon vakum institucional, dëmton besimin qytetar dhe rrezikon interesin e shtetit.
“Kjo situatë reflekton mungesë të vullnetit për kompromis e konsensus. Kur mungon kompromisi, krijohet vakum institucional. Kur mungon konsensusi, dëmtohet besimi qytetar, e kur interesat partiake vendosen mbi interesin shtetëror, humb Republika”, përfundoi avokati Bajraktari për “Bota sot”.