Mbështetet deklarata e raportuesit Terras – njohësit e shohin shpërndarjen e Kuvendit si hap të nxituar nga Osmani!

Politika

Mbështetet deklarata e raportuesit Terras – njohësit e shohin shpërndarjen e Kuvendit si hap të nxituar nga Osmani!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 mars 2026 Në ora: 10:07
Riho Terras

Vendimi i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës ka hapur një debat të gjerë politik dhe institucional në vend.

Ky zhvillim ka ardhur në një moment të ndjeshëm për skenën politike të Kosovës, duke ngritur shqetësime për stabilitetin e institucioneve dhe funksionimin normal të demokracisë parlamentare.

Reagimet e aktorëve politikë dhe ndërkombëtarë kanë qenë të menjëhershme dhe shpeshherë kritike.

Një nga reagimet më të forta ka ardhur nga raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, i cili e ka cilësuar këtë vendim si një “hap prapa serioz”.

Reagimi i tij vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit, duke argumentuar se deputetët dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues për zgjedhjen e presidentit brenda afatit.

“Në vend të stabilitetit, vendi përballet me pasiguri të re politike. Vërtet zhgënjyese”, shkroi Terras në një postim në rrjetin social X, pasi Kuvendi nuk arriti ta përmbyllë procesin e zgjedhjes së presidentit.

Të gjendur në këtë situatë njohësit për çështjet politike kanë folur për “Bota sot”, nëse ishte ky vendim një hap i nxituar që rrezikon të thellojë krizën politike, apo një mekanizëm kushtetues për të zhbllokuar situatën?

Mehmeti: Kosova ka nevojë për stabilitet institucional dhe respekt rigoroz të Kushtetutës

Njohësi për çështje politike, Faton Mehmeti ka folur për “Bota sot”, në lidhje me këtë temë.

Image
Faton Mehmeti

Ai mbështet deklaratën e Terras duke e parë si një alarm serioz që duhet të merret parasyshë.

Gjithashtu shton se kjo deklaratë e Terras, tregon se vendimi nuk shihet vetëm si konflikt i brendshëm politik, por si çështje që prek stabilitetin demokratik të vendit

“Reagimi i raportuesit të Parlamentit Evropian, Riho Terras, i cili e cilësoi këtë si një “hap prapa serioz”, është një sinjal alarmi që nuk duhet injoruar. Kur shqetësime të tilla vijnë nga një figurë që ndjek nga afër zhvillimet demokratike në Kosovë, kjo tregon se vendimi nuk shihet vetëm si konflikt i brendshëm politik, por si çështje që prek stabilitetin demokratik të vendit”, tha ai.

Ndër të tjera, analisti nënvizon që se një dekret në kundërshtim me Kushtetutën mund të krijojë krizë politike dhe të dëmtojë besimin e qytetarëve në institucionet e Kosovës.

“Nëse rezulton se dekreti është në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë jo vetëm që mund të prodhojë krizë politike dhe zgjedhje të panevojshme, por mund të dëmtojë edhe besimin e qytetarëve në institucione. Në demokraci, krizat nuk lindin vetëm nga mungesa e shumicës parlamentare, por edhe nga vendime që tejkalojnë kornizën kushtetuese.

Kosova ka nevojë për stabilitet institucional dhe respekt rigoroz të Kushtetutës”, foli Mehmeti për “Bota sot”.

Aliçkaj: Dëmtimi dhe dështimi i shtetit nuk është në interes të partive politike të Kosovës

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur veprimtari Agim Aliçkaj.

Image
Agim Aliçkaj

Veprimtari thekson se në vitin 2021, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë luajtur rol të rëndësishëm në shpëtimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, duke luftuar korrupsionin, duke përballuar presionet ndërkombëtare dhe duke promovuar vendin në arenën ndërkombëtare.

 Ai shton se, pavarësisht të metave, shumica e qytetarëve i kanë mbështetur me votë që Kurti të vazhdojë qeverisjen dhe që Osmani të ketë mundësi të rizgjidhet në detyrë.

“Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, në vitin 2021, e shpëtuan shtetin e Kosovës nga një cikël i dëmtimit të përhershëm, madje edhe nga rreziku i shkatërrimit, i shkaktuar nga politikat e partive që ishin në pushtet. Z. Kurti, së bashku me ekipin e tij, e ndali korrupsionin, iu qëndroi presioneve të padrejta të disa diplomatëve ndërkombëtarë dhe mbrojti pavarësinë duke e forcuar shtetin. Ndërkohë, znj. Osmani e promovoi dhe e mbrojti Kosovën me sukses në forumet ndërkombëtare.

Pavarësisht të metave të tyre, shumica e popullit të Kosovës vendosi me votë, me mbi 51%, që Kryeministri Kurti ta vazhdojë qeverisjen, me shpresën që edhe Presidentja Osmani të rizgjidhet në detyrë”, u shpreh ai.

Duke vazhduar bisedën Aliçkaj shton vlerëson se zhvillimet e fundit rreth zgjedhjes së presidentit kanë krijuar një situatë të panevojshme dhe të dëmshme për interesat e shtetit, duke akuzuar opozitën për bllokada dhe sjellje destruktive që kanë çuar në krizën politike.

Ai gjithashtu e konsideron shpërndarjen e Kuvendit nga Vjosa Osmani si një hap të nxituar që e ka komplikuar më tej situatën, ndërsa ligjshmëria e këtij vendimi pritet të sqarohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Zhvillimet e fundit që lidhen me zgjedhjen e presidentit janë befasuese, shqetësuese dhe të panevojshme. Ato dëmtojnë rëndë interesat e shtetit dhe të gjithë aktorëve kryesorë politikë në vend. Nëse dëmtohet shteti, pushteti nuk ka më asnjë vlerë për askënd.

Fajtorët kryesorë janë krerët e opozitës dhe deputetët e tyre, të cilët, edhe pse u ndëshkuan nga vota e qytetarëve dhe humbën zgjedhjet, vazhdojnë me bllokada dhe sjellje destruktive, me shpresën se do të përfitojnë nga gabimet e mundshme të Z. Kurti dhe Znj. Osmani. Deri tani, ata nuk kanë shënuar asnjë arritje si opozitë dhe ende nuk e kanë të qartë se e vetmja mënyrë për të fituar pushtetin është konstruktiviteti, jo destruktiviteti.

Pas moskandidimit të znj. Osmani dhe dështimit të votimit për zgjedhjen e presidentit për shkak të bojkotit nga deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe partisë Lista Srpska, Kryetarja e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, me të drejtë e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Të nesërmen, herët në mëngjes, Presidentja Vjosa Osmani shpalli dekretin për shpërndarjen e Parlamentit. Nëse ky vendim është i ligjshëm dhe kushtetues apo nëse tejkalon kompetencat e presidentes, pritet ta sqarojë Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, nuk ka dyshim se ky ishte një hap i nxituar dhe i panevojshëm, i cili e komplikon situatën dhe e thellon krizën politike”, shpjegon veprimtari.

Veprimtari mbështet deklaratën e Riho Terras, duke theksuar se bojkotimi i parlamentit nga opozita dhe vendimi i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit përbëjnë një hap prapa që po krijon pasiguri të re politike në vend.

Sipas tij, do të kishte qenë më e dobishme të pritej vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe u bën thirrje aktorëve politikë të ndalin akuzat dhe të qetësojnë situatën.

“Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka të drejtë kur thotë se bojkotimi i parlamentit nga deputetët e opozitës dhe vendimi i presidentes përbëjnë një “hap prapa dhe zhgënjyes”, duke theksuar se “në vend të stabilitetit, vendi po përballet me pasiguri të re politike”.

Pritja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e presidentes do të kishte qenë shumë më e dobishme për Kosovën. Bojkotimi i parlamentit nga deputetët e opozitës është një akt shumë më i rrezikshëm dhe i dënueshëm sesa interpretimi i ndryshëm i afateve për zgjedhjen e presidentit.

Deklaratat me akuza të ndërsjella, të paargumentuara dhe për veprime që mund të zbulohen në të ardhmen, nuk kanë kuptim dhe janë të dëmshme për të gjithë. Ka ardhur sekondi i fundit që të mbizotërojë arsyeja dhe që situata politike të qetësohet”, përfundoi veprimtari Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat