Dialogu Kosovë–Serbi në ngecje: A po rikthehet SHBA fuqishëm në tavolinën e bisedimeve?

Politika

Dialogu Kosovë–Serbi në ngecje: A po rikthehet SHBA fuqishëm në tavolinën e bisedimeve?

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 22 mars 2026 Në ora: 18:32
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke u përballur me ngecje, pavarësisht takimeve dhe përpjekjeve diplomatike nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Së fundi, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, tha se janë të harmonizuar me SHBA-në për hapat e ardhshëm. 

Ai u takua në DASH me Brendan Hanrahan, por nuk u dhanë detaje të takimit.

“Takim i shkëlqyer me zyrtarin e lartë të Byrosë, Brendan Hanrahan, në Departamentin e Shtetit. Diskutuam për dialogun, arritjet e fundit dhe siguruam harmonizimin për hapat përpara”, shkroi emisari evropian në X.

Ky takim, sikur sinjalizon përfshirjen më të madhe të SHBA-së në bisedimet Kosovë-Serbi, derisa përfshirja e aleatëve amerikanë është e mirëpritur për shtetin tonë.

Mirëpo, sa mund të kenë ndikim marrëdhëniet aktuale SHBA-BE në këtë dialog, folën analistët.

Nimani: Takimi ndërmjet Peter Sorensen dhe zyrtarëve të Departamenti i Shtetit i SHBA-së, një nivel të konsoliduar të koordinimit transatlantik

Image
Artan Nimani

Së pari, analisti politik, Artan Nimani thotë se, takimi Sorensen–Hanrahan reflekton koordinim transatlantik që mund të përparojë dialogun Kosovë–Serbi. 

Ai thekson se Kosova duhet të ketë unitet politik dhe qëndrime të harmonizuara për të forcuar pozicionin negociues dhe besueshmërinë ndaj aleatëve, ndërsa një koordinim i fortë SHBA–BE historikisht ka rritur efektivitetin e dialogut.

“Takimi ndërmjet Peter Sorensen dhe zyrtarëve të Departamenti i Shtetit i SHBA-së, përfshirë Brendan Hanrahan, reflekton një nivel të konsoliduar të koordinimit transatlantik, i cili në mënyrë tradicionale ka qenë faktor kyç për avancimin e dialogut Kosovë–Serbi. Ky harmonizim duhet parë si një sinjal pozitiv për Kosova, pasi rrit gjasat për një qasje më të strukturuar dhe më efektive në procesin e normalizimit.

Në të njëjtën kohë, ky zhvillim nënkupton edhe mundësinë e intensifikimit të iniciativave diplomatike në periudhën në vijim. Prandaj, është thelbësore që spektri politik në Kosovë të jetë i koordinuar, me qëndrime të qarta dhe të harmonizuara, në mënyrë që vendi të mos gjendet i papërgatitur përballë një ofanzive të mundshme diplomatike nga partnerët transatlantikë, si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një unitet i brendshëm politik jo vetëm që forcon pozitën negociuese të Kosovës, por edhe rrit besueshmërinë e saj në raport me aleatët strategjikë

Andaj sa i përket ndikimit të marrëdhënieve aktuale SHBA–BE, është e rëndësishme të theksohet se dialogu Kosovë–Serbi historikisht ka qenë më efektiv kur ka ekzistuar një unitet i fortë transatlantik”, u shpreh ai për gazetën.

Mehmeti: Dialogu Kosovë-Serbi, nuk ecën me BE, pa SHBA!

Image
Gani Mehmeti

Opinionisti Gani Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Serbia është bërë e padëgjueshme ndaj BE dhe SHBA, pavarësisht përpjekjeve të Vuçiq për të ruajtur lidhjet me SHBA. 

Ai përmend mosvënien e sanksioneve ndaj Rusisë dhe sulmin e serbëve terroristë ndaj KFOR-it në maj 2023 në Zveçan, ku u plagosën 92 ushtarë dhe gazetarë, pa marrë ndëshkim. 

“Serbia është bërë e padëgjueshme ndaj Bashkimit Europian, e pothuaj edhe ndaj SHBA, sado që Vuçiq shpesh përpiqet të mbahet me SHBA.

Se ajo është e padëgjueshme, është parë disa herë deri tani, nisur nga mosvënia e sanksioneve ndaj Rusisë kur sulmoi Ukrainën, pastaj Serbia fitoi trimëri me sulmin e serbëve terroristë ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023 në Zveçan, ku plagosi 92 ushtarë të KFOR-it dhe gazetarë të Republikës së Kosovës, pa iu këndërvënë fare sulmuesëve terroristë serbë nga ana e KFOR-it.

Serbia nuk ua varë fortë fjalëve të BE dhe të SHBA, sepse edhe ajo e di se i kanë vetëm fjalë. 

Serbia nuk u ndëshkua për luftërat e shkaktuara në Ballkan, nuk u vë asnjë lloj mase ndaj saj për të gjtiha këto, për çka e kanë trimëruar që ajo të bëhet tërësisht e padëgjueshme ndaj tyre, dhe sërish nuk duistancohen prej saj, dhe sërish përpiqen ta tërheqin atë të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Kjo do të thotë se i janë bërë lëshime të shumta Serbisë”, thotë ai.

Krahas kësaj, Mehmeti thekson se mosnormalizimi i marrëdhënieve Kosovë–Serbi është faji i Serbisë, ndërsa BE hesht dhe nuk vendos masa. 

Ai kritikon takimin e emisarit evropian Peter Sorensen me Brendan Hanrahan në DASH, duke mos dhënë detaje, që lë dyshime për përparim të vërtetë në dialog. 

Mehmeti shton se Serbisë duhet t’i caktohet afat për normalizim, dhe se bisedimet vetëm me BE nuk do të përfundojnë; SHBA duhet të ndërhyjë me seriozitet.

“Shih për këtë, Bashkimi Europian, duke e parë se pa SHBA nuk mund të bëjë asgjë ndaj Serbisë, Peter Sorensen si i dërguar i BE  u takua në DASH me Brendan Hanrahan, pa u dhënë detaje për takimin. 

Dhe, vetë mosdhënia e detajeve pas takimit të tyre, lë vend për të dyshuar se do të  bëhet diçka në përparim e dialogut mes Kosovës e Serbisë.   Kjo ndodh sepse faji i mosnormalizimit të marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve është nga Serbia. Ndryshe, po të fajësohej Kosova, do të pasonin presione ose edhe masa ndaj saj. Por, kur bëhet fjalë për Serbinë, heshtet! Kësaj i thonë dhënie krahu të fortit. 

E meta është se nuk tregohet se çfarë harmonizimi është bërë, duke mbetur një enigmë, sa për të hezituar se do të bëhet ndonjë përparim deri tek ardhja e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nuk do të ketë Bashkim Europian, dhe për këtë të vendos sa më shpejt, pse jo, t’i caktohet edhe afati. Nuk shkohet në bisedime të paafatizuara. Po bëhen plotë 15 vite bisedime. Kjo është e tepërt. 

Sido që të jetë, bisedimet Kosovës – Serbi vetëm me BE kurrë nuk do të përfundojnë, prandaj duhet të ndërhyjë edhe SHBA me seriozitetin më të madh që t’i vijë fundi” – përfundon Gani Mehmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat