Ambasadori gjerman mbështeti Specialen, zbërthehet prapavija e deklaratës së tij

Politika

Ambasadori gjerman mbështeti Specialen, zbërthehet prapavija e deklaratës së tij

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 24 mars 2026 Në ora: 11:01
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph

Deklarata e fundit e ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph riktheu vëmendjen ndaj rëndësisë së Dhomave të Specializuara në Hagë si një institucion kyç për drejtësinë dhe sundimin e ligjit në vend.

Ai theksoi se këto dhoma veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe se si ambasadë, ata ndjekin me kujdes procedurat gjyqësore që zhvillohen atje. Ambasadori deklaroi:

“Normalisht që i përcjellim këto procedura, cilido të jetë rezultati, qoftë nëse ka dënime apo lirime nga akuza, do t’ju kërkoja të gjithëve që ta pranojnë vendimin e një gjykate të pavarur.”

Kjo deklaratë nënvizon nevojën për respektimin e vendimeve të një gjykate të pavarur dhe rolin e Speciales si një mekanizëm i domosdoshëm për zbardhjen e së vërtetës dhe drejtësinë për viktimat e krimeve të rënda.

Pranimi dhe mbështetja e këtij institucioni është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të shtetit ligjor dhe forcimit të besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Kjo deklaratë e ambasadorit Rudolph nxiti reagime të mëdha, derisa u komentua edhe mesazhet që i përcolli.

Haliaj: Mbështetja për Dhomat e Specializuara nuk nënkupton paragjykim të fajësisë së askujt, por përkrahje të procesit të drejtë

E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj, i cili e mbështeti deklaratën e ambasdorit gjerman, që sipas tij është mbështetje e parimeve të së drejtës dhe drejtësisë ndërkombëtare.

Ai si avokat, potencoi se thirrja e Rudolph, është thirrje për maturi e përgjegjësi, dhe se vetëm duke respektuar vendimet e gjyqësorve forcohet rendi juridik.

Image
Gazmend Halilaj

“Deklarata e ambasadorit gjerman në lidhje me Dhomat e Specializuara në Hagë duhet parë si një qëndrim i qartë në mbështetje të parimeve themelore të shtetit të së drejtës dhe të drejtësisë ndërkombëtare. Ai thekson një fakt thelbësor që shpesh anashkalohet në debatet publike: kjo gjykatë nuk është një mekanizëm i imponuar nga jashtë, por është themeluar nga vetë Kuvendi i Kosovës dhe funksionon në përputhje me legjislacionin e saj. Kjo e bën atë një institucion legjitim, i cili meriton respekt dhe trajtim serioz nga të gjithë qytetarët dhe akterët politikë.

Si avokat, e shoh këtë deklaratë si një thirrje të arsyeshme dhe të domosdoshme për maturi dhe përgjegjësi institucionale. Drejtësia nuk mund të funksionojë nëse paragjykohet, sulmohet apo refuzohet paraprakisht, varësisht nga interesat apo emocionet e momentit. Parimi bazë i çdo sistemi juridik është pavarësia e gjykatës dhe pranimi i vendimeve të saj, pavarësisht nëse ato janë në favor apo kundër pritjeve tona. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet besimi në drejtësi dhe të forcohet rendi juridik”, deklaroi ai.

Krahas kësja, Halilaj potencoi se, deklarata e ambasadorit gjerman nuk është ndërhyrje, por ia kujton atyre që e kundërshtojnë Speciale, që të reflektojnë dhe t’i pranojnë insitucionet e drejtësisë së Kosovës.

“Deklarata e ambasadorit nuk është ndërhyrje, por një rikujtim i standardeve demokratike që çdo shtet aspiron t’i respektojë. Ajo i drejtohet veçanërisht atyre që e kundërshtojnë apo e sulmojnë këtë gjykatë, duke i ftuar që të reflektojnë mbi faktin se institucionet e drejtësisë nuk mund të jenë selektive në pranimin e tyre. Nuk mund të kërkohet drejtësi vetëm atëherë kur ajo përputhet me bindjet tona, dhe të refuzohet kur nuk na pëlqen rezultati”.

Sipas avokatit, mbështetja e Speciales, nuk do të thotë fajësim i dikujt, por vetëm respektim i punës së kësaj gjykate dhe rëndësisë që procedurat gjyqësore të zhvillohen pa presione.

Përveç kësaj, ai shtoi se, mbështetja ndaj kësaj gjykate është mbështetje ndaj vetë parimit të drejtësisë.

“Mbështetja për Dhomat e Specializuara nuk nënkupton paragjykim të fajësisë së askujt, por përkrahje të procesit të drejtë dhe të paanshëm. Çdo individ është i pafajshëm derisa të provohet e kundërta, dhe kjo është një nga shtyllat kryesore të së drejtës penale moderne. Pikërisht për këtë arsye, është e rëndësishme që procedurat të zhvillohen pa presion, pa ndikime politike dhe pa fushata diskredituese.

Në fund, kjo deklaratë duhet kuptuar si një apel për të mbrojtur integritetin e sistemit të drejtësisë dhe për të dëshmuar pjekuri institucionale si shoqëri. Pranimi i vendimeve të një gjykate të pavarur, qoftë ato dënime apo lirime, është tregues i një shteti që respekton ligjin dhe vlerat demokratike. Në këtë kuptim, mbështetja ndaj kësaj gjykate është mbështetje ndaj vetë parimit të drejtësisë”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

Dajaku: Kjo gjykatë ishte e vetmja që mundi të marrë mbi vete një çështje shumë të ndjeshme, të ndërlikuar dhe të domosdoshme

E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” foli edhe Xhevat Dajaku, vëllai ish-truprojës së presidentit Rugova, Besim Dajaku.

Image
Xhevat Dajaku

Ai potencoi faktin, se shumë figura ndërkombëtare e kanë mbështetur Specialen, derisa theksoi faktin se kjo gjykatë është formuar pikërisht nga Kosova me vota të Kuvendit të saj.

“Vazhdimisht personalitete ndërkombëtare e kanë përkrahur Gjykatën e Dhomave të Specializuara dhe kanë bërë thirrje për bashkëpunim me drejtësinë. Ata gjithashtu kanë përcjellë me vëmendje veprimet e kësaj gjykate, e cila është një gjykatë e Kosovës, e themeluar përmes votës së Kuvendit të Kosovës”.

Gjithashtu, Dajaku beson se Gjykata në Hagës është e vetmja që mund të zgjidh disa çështje të ndjeshme, të cilat nuk janë zbardhur që nga paslufta.

Sipas tij, gjykata nuk është ndikuar nga askush dhe se ajo ka vepruar në bazë të parimeve dhe përvojave perëndimore.

“Kjo gjykatë ishte e vetmja që mundi të marrë mbi vete një çështje shumë të ndjeshme, të ndërlikuar dhe të domosdoshme. Është një çështje që vështirë se do ta shihte dritën e drejtësisë në rrethana të tjera brenda vendit tonë, duke pasur parasysh fuqinë e rrjeteve kriminale që u instaluan gjatë dhe pas luftës. Fuqia dhe ndikimi i grupit që dyshohet se ka kryer krime ndaj bashkëkombësve të tyre është vërejtur qartë përmes përkrahjes së madhe që u është dhënë, organizimit të protestave kundër gjykimit të tyre, përkrahjes mediale dhe mbështetjes nga personalitete politike, shoqata dhe madje edhe nga disa personalitete euroatlantike në pension (sigurisht të paguara mirë), të cilat kanë hutuar jo pak opinionin e brendshëm.

Megjithatë, fatmirësisht, gjykata nuk është ndikuar nga askush dhe ka vepruar në bazë të parimeve dhe përvojave perëndimore, duke luftuar pa asnjë kompromis për ta çuar drejtësinë në vend”, vlerësoi ai.

Në fund, shtoi se, reagimet dhe protestat e ndryshme kundër Speciales, e kanë shtyrë ambasadorin gjerman të dal me një reagim dhe ta mbështësë atë.

“Në këtë kontekst, edhe Ambasadori gjerman, duke parë gjithë atë zhurmë dhe kundërshtim ndaj drejtësisë, përkatësisht ndaj Gjykatës Speciale, duket se e ka ndjerë të nevojshme t’i drejtohet opinionit të gjerë publik, e veçanërisht atyre që përpiqen të hedhin pluhur mbi drejtësinë. Ai ka theksuar se vendimi i gjykatës ndaj të dyshuarve për krime duhet të pranohet dhe të kuptohet si verdikti final i drejtësisë, i cili padyshim do të merret pa anime dhe pa ndërhyrje, vetëm mbi bazën e fakteve dhe të së vërtetës”, përmbylli Xhevat Dajaku për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat