Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Dr. Mirsad Voca, ka vlerëssuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese synon të rikthejë procesin në kornizë ligjore dhe të shmangë zgjedhjet e menjëhershme.
Ai në një porononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se interpretimi fleksibil i afateve tregon një qasje funksionale ndaj Kushtetutës, por ngre gjithashtu pikëpyetje për parashikueshmërinë juridike.
Sipas Vocës, zgjedhja e presidentit kërkon konsensus politik dhe legjitimitet institucional më të gjerë, duke reflektuar rëndësinë e balancës së pushteteve.
“Vendimi i Gjykatës kushtetuese të Kosovës për të konstatuar se dekreti i Presidentes Vjosa Osmani nuk ka efekt juridik dhe për t’i dhënë Kuvendit një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit, përbën një përpjekje për të rikthyer procesin brenda kornizës kushtetuese dhe për të shmangur një zgjidhje të menjëhershme përmes zgjedhjeve.
Gjykata, duke iu referuar nenit 82 të Kushtetutës, ka marrë në konsideratë rrethanat konkrete të konstituimit të Kuvendit, duke vlerësuar se afati prej 60 ditësh nuk ka qenë realisht në dispozicion. Kjo përfaqëson një qasje më fleksibile dhe funksionale ndaj dispozitës kushtetuese. Megjithatë, një interpretim i tillë ngre pikëpyetje serioze mbi nivelin e parashikueshmërisë juridike, sidomos kur bëhet fjalë për afate të përcaktuara qartë në Kushtetutë. Në këtë kuptim, vendimi reflekton më shumë një lexim funksional të situatës sesa një interpretim strikt të normës.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se kjo krizë nuk buron nga mungesa e rregullave kushtetuese, por nga mënyra se si shumica parlamentare i ka menaxhuar ato. Përgjegjësia kryesore bie mbi Vetëvendosje dhe qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, të cilët nuk arritën të ndërtojnë në kohë një proces gjithëpërfshirës për zgjedhjen e presidentit.
Në një republikë parlamentare, posti i presidentit nuk është domosdoshmërisht një zgjatim i shumicës, por një funksion që kërkon konsensus politik dhe legjitimitet më të gjerë institucional. Tentativa për të kontrolluar edhe këtë pozitë, përtej mandatit qeverisës, bie ndesh me logjikën e balancës së pushteteve dhe rrezikon të krijojë perceptimin e një qasjeje përqendruese në ushtrimin e pushtetit”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ai ka treguar se si do të ishte shmangur ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer normalitetin procedural.
“Në këtë kontekst, figura e Vjosa Osmani ka ofruar një bazë reale për konsensus, duke qenë një presidente pa skandale dhe me një performancë të vlerësuar në arenën ndërkombëtare. Mosshfrytëzimi i një figure të tillë si pikë bashkimi nuk mund të justifikohet lehtë në terma të interesit shtetëror, sidomos në një moment kur stabiliteti institucional është thelbësor.
Nëse kandidatura e saj do të ishte propozuar në kohën e duhur, situata mund të kishte marrë një drejtim tjetër. Opozita do të ishte e detyruar të siguronte kuorumin, ndërsa në raundin e tretë do të kërkoheshin vetëm 61 vota për zgjedhjen e presidentit. Në vend të kësaj, u krijua një situatë që sot kërkon ndërhyrje të Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer normalitetin procedural”, ka shkruar ai.
Në fund, Voca ka cekur se afati prej 34 ditësh ofron një mundësi për zgjidhje, por nuk garanton rezultat, pasi mungesa e besimit dhe polarizimi politik e bëjnë konsensusin sfidë.
“Afati prej 34 ditësh krijon një mundësi të re për zgjidhje, por nuk garanton rezultat. Në një klimë të karakterizuar nga mungesë besimi dhe polarizim politik, arritja e një konsensusi mbetet sfidë reale.
Vendimi i Gjykatës nuk e zgjidh krizën por vetëm e rikthen atë në duart e aktorëve politikë. Por pa një qasje më gjithëpërfshirëse dhe më të përgjegjshme nga shumica, rreziku i përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës dhe i dobësimit të institucioneve mbetet i pranishëm”, ka përfundua Voca.