Milan Radoiçiq dhe 42 të tjerët në arrati, Bajraktari: Drejtësi e pjesshme

Politika

Milan Radoiçiq dhe 42 të tjerët në arrati, Bajraktari: Drejtësi e pjesshme

Nga: A.M. Më: 25 prill 2026 Në ora: 19:02
Dushan Maksimoviq, gjatë shpalljes së aktgjykimit më 24 prill 2026.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ngjarje e ndodhur më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Avokati Ardian Bajraktari, në një prononcim për “Bota sot” ka vlerësuar se rasti i sulmit terrorist në Banjskë, sa i përket tre të pandehurve, është trajtuar me efikasitet nga organet e drejtësisë dhe se procesi gjyqësor është përmbyllur brenda një afati të arsyeshëm.

“Rasti i sulmit terrorist me përmasa të agresionit në Banjskë, sa i përket tre të pandehurve, është trajtuar me efikasitet nga organet e drejtësisë dhe, rrjedhimisht, procesi është përfunduar brenda një afati të arsyeshëm”, ka deklaruar Bajraktari.

Image
Avokati Ardian Bajraktari

Ai thekson se dënimet e shqiptuara ishin të pritshme, duke marrë parasysh natyrën e veprave penale për të cilat akuzoheshin të pandehurit.

“Duke qenë se për veprat penale për të cilat akuzohen të pandehurit parashihet dënim me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose burgim i përjetshëm, këto dënime ishin afërsisht të pritshme”, është shprehur ai.

Sipas Bajraktarit, vendimi nuk e përmbyll plotësisht çështjen e drejtësisë në këtë rast, duke nënvizuar se mbetet sfidë ndjekja e pjesës tjetër të të dyshuarve.

“Megjithatë, vendimi vendos vetëm pjesërisht drejtësi. Sfidë mbetet çështja e 42 të pandehurve të tjerë, me në krye udhëheqësin e grupit, Milan Radoiçiq, të cilët aktualisht ndodhen në arrati dhe janë të paqasshëm për organet e drejtësisë”, ka shtuar ai.

Në fund, ai ka rikujtuar se palët në proces kanë të drejtën e ankesës, pasi të pranojnë vendimin me shkrim.

“Ndërkaq, sa i përket vendimit të shpallur sot, palëve u mbetet që, pasi ta pranojnë vendimin e shkruar, nëse kanë pretendime, të ushtrojnë të drejtën e tyre për ankesë”, ka përfunduar Bajraktari.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat