Deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ku ai pranon se nisma “Ballkani i Hapur” dhe ideja e integrimit në Bashkimin Evropian pa të drejtë vote kanë qenë propozime të tijat, hedhin sërish dritë mbi një projekt që prej kohësh ka ngjallur debat të thellë në rajon.
Vuçiq, përmes deklarimeve të tij, ka konfirmuar në mënyrë të tërthortë perceptimet se nisma ka pasur edhe dimension politik, të lidhur me përpjekjet për të riformatuar narrativën e Serbisë në raport me integrimet evropiane.
Këto ide janë përkrahur, nga kryeministri Edi Rama i cili është kritikuar vazhdimisht për bashkëpunimin e tij me Vuçiqin.
Po ashtu, Rama është akuzuar se ka luajtur një rol aktiv në legjitimimin e këtij projekti, shpesh duke e paraqitur si rrugë pragmatike drejt stabilitetit rajonal.
Analisti politik, Nexhat Haziri në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se “Ballkani i Hapur” dhe ideja e BE-së pa të drejtë vote kanë qenë përpjekje të Vuçiqit për të përmirësuar imazhin e Serbisë si pro-evropiane.
Sipas tij, ky projekt ka synuar të dobësojë Procesin e Berlinit dhe rolin e Kosovës si shtet i pavarur në integrimet evropiane, por ka dështuar sepse nuk ka pasur përkrahje nga Brukseli dhe Uashingtoni.
“Është një deklaratë që tregon shumë çka lidhur me iniciativat në rajon dhe nga kanë buruar ato. Edhe Ballkani i hapur edhe ideja e hyrjes në BE pa të drejtën e votës, kanë qenë përpjekje të presidentit serb Vuçiq për ta përmirësuar imazhin e tij dhe të Serbisë si shtet që dëshiron integrimet evropiane, por që në fakt, shembull i ashtuquajturi Ballkani i Hapur ka qenë projekt për ta penguar apo për 't'iu kundërvënë procesit të Berlinit të iniciuar dhe udhëhequr nga Gjermani. Po ashtu me këtë projekt është tentuar që të zbëhet roli i Kosovës si shtet i pavarur dhe pjesë e rajonit në raport me proceset integruese në Bashkimin Evropian, gjë që ishte i destinuar që të dështojë pasi nuk patë përkrahjen as në Bruksel e as në Uashington, për faktin se nuk trajtoheshin të gjitha shtetet të barabarta”, ka shpjeguar Haziri.
Gjithashtu, Haziri ka kritikuar pjesëmarrjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama në këto iniciativa, duke thënë se ajo është bërë më shumë për protagonizëm politik dhe për të paraqitur një imazh të liderit me ide evropiane
“Ndërsa ideja e hyrjes në BE , si anëtare pa të drejtë vote, ishte tentim për t'iu ikur obligimeve dhe detyrave që dalin nga procesi për anëtarësim në BE. Ndërsa pjesëmarrësja e kryeministrit shqiptar në këto iniciativa, u bë më shumë për protoganizëm të tij duke tentuat të paraqitet si një lider me ide europiane, por siç dihet edhe dëshira që integrimet të synohet të bëhen pa shumë përgjegjësi ndaj obligimeve që dalin në këtë proces, pra me të ashtuquajturën anëtarësim në BE pa të drejtë vote, e që në fund u kundërshtua nga vet Brukseli që u tregoi si Vuçiqit poashtu edhe Ramës se anëtarësimi në bllok kalon përmes përmbushjeve të obligimeve dhe detyrave që dalin nga procesi për anëtarësim në bllok”, ka thënë Haziri.