Pas një periudhe tensionesh politike dhe debatesh të vazhdueshme mes partive kryesore, mosarritja e një marrëveshje mes partive për çështjen e presidentit arriti të sjellë zgjedhjet e parakohshme.
Mospajtimet rreth çështjeve kyçe të qeverisjes dhe funksionimit të institucioneve çuan në vendimin për shpërndarjen e kuvendit.
Në vijim, pas konsultimeve ligjore dhe politike, KQZ në bisedime me kryeparlamentaren Albulena Haxhiu caktuan datën 7 qershor si afat zyrtar për mbajtjen e zgjedhjeve.
Paralelisht, institucionet zgjedhore nisën përgatitjet teknike, ndërsa partitë filluan organizimin e fushatave dhe përpilimin e listave të kandidatëve.
Me afrimin e zgjedhjeve të reja në Kosovë, vëmendja po rikthehet fuqishëm te diaspora, e cila në vitet e fundit ka dëshmuar një ndikim të konsiderueshëm në proceset zgjedhore.
Pjesëmarrja e mërgatës është rritur ndjeshëm, duke u kthyer në një faktor që shpesh ka ndikuar në rezultatet përfundimtare, sidomos në garat e ngushta mes partive politike.
Për këtë arsye, subjektet politike po i kushtojnë më shumë rëndësi mobilizimit të votuesve jashtë vendit dhe lehtësimit të procesit të votimit për ta.
Rritja e rolit të diasporës jo vetëm që ndikon në balancat politike, por gjithashtu reflekton lidhjen e fortë të saj me zhvillimet në vend.
E të gjendur në këtë situatë sa pritet të jetë pjesëmarrja e diasporës në këto zgjedhje krahasuar me proceset e kaluara dhe a mund të jetë vota e mërgatës vendimtare në rezultate të ngushta zgjedhore?
Aliçkaj: Mërgata është me popullin shumicë të Kosovës
Në lidhje me këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli veprimtari nga SHBA, Agim Aliçkaj.
Ai thotë se mërgata dhe qytetarët janë të zhgënjyer nga kriza politike e shkaktuar nga bojkotet dhe zgjedhjet e përsëritura, duke akuzuar opozitën dhe Listën Serbe për bllokada institucionale dhe përpjekje destabilizuese.
Ndërsa, njëkohësisht kritikohet opozita për refuzimin e marrëveshjeve për President konsensual dhe për shtyrjen e vendit drejt zgjedhjeve për interesa politike, të cilat më pas u përpoqën t’i shfrytëzojnë për përfitim politik në një kontekst të ndryshimeve të brendshme politike dhe përplasjeve mes liderëve institucionalë.
“Mërgata e lavdishme e Kosovës, njësoj si mbarë populli i Kosovës, është e zhgënjyer dhe e dëshpëruar me situatën politike të krijuar nga bojkotimi i vazhdueshëm i institucioneve dhe organizimi i zgjedhjeve të njëpasnjëshme e të panevojshme.
Dështimi i votimit të Presidentit e zbuloi pa dilema fajtorin kryesor për bojkotet dhe bllokadat: opozitën e Kosovës dhe Listën Serbe. Dihet se Lista Serbe synon dhe vepron ditë e natë për ta shndërruar Kosovën në një shtet jofunksional, deri në shkatërrim.
PDK, LDK, AAK dhe NISMA e lodhën popullin me thirrje për një President unifikues, jopartiak dhe konsensual. Kur Kryeministri Kurti ua ofroi këtë mundësi, ata e refuzuan pa asnjë konsideratë. Ata e çuan vendin në zgjedhje të reja vetëm sepse ishin të pakënaqur me rezultatin, me shpresën se në të ardhmen do të përfitonin politikisht.
Shpresat e tyre u rritën edhe më shumë pas përçarjes mes Kryeministrit Kurti dhe ish-Presidentes Osmani, duke menduar se kjo do ta dobësonte mbështetjen për koalicionin e LVV-së. Megjithatë, me kalimin e kohës dhe me propozimet e sinqerta të Kurtit për shmangien e zgjedhjeve, si dhe me daljen në pah të qëllimeve të secilit, kjo mundësi është zvogëluar ndjeshëm”, shton veprimtari.
Në bisedë e sipër, Aliçkaj argumenton se në kontekstin aktual politik të Kosovës, Kryeministri Kurti shihet si figurë më e domosdoshme për stabilitetin dhe forcimin e shtetit, ndërsa kritikat e opozitës për autoritarizëm i konsideron të pabazuara, duke theksuar se sistemi institucional dhe mbikëqyrja ndërkombëtare e bëjnë të pamundur një qeverisje autokratike në vend.
“Kthimi i mundshëm i ish-Presidentes në LDK duket si një bashkim artificial, i imponuar më shumë nga interesat personale. Në një përballje të mundshme zgjedhore mes Z. Kurti dhe Znj. Osmani, animi kah Kurti duket më logjik, pasi në këtë moment ai përfaqëson një faktor ekzistencial për ruajtjen, ndërtimin dhe forcimin e shtetit. Ndërsa roli i ish-Presidentes mbetet më shumë promovues, edhe pse ajo e ka ushtruar me sukses detyrën e saj gjatë mandatit.
Shkurt, askush nuk është i pazëvendësueshëm, por në këtë moment Kryeministri Kurti është më i nevojshëm për Republikën e Kosovës.
Përpjekjet e opozitës për ta frikësuar popullin duke e cilësuar Kurtin si autokrat të rrezikshëm janë absurde. Nën një mbikëqyrje të fortë ndërkombëtare, është e pamundur të ndërtohet autokracia në Kosovë, ashtu siç është e pamundur të shkelen të drejtat e minoritetit serb.
Nuk mund të quhet autokrat një lider që ka mbështetjen e mbi 50% të popullit, përballë një opozite bllokuese dhe jokonstruktive, si dhe një shtypi kryesisht kritik ndaj tij”, shpjegon Aliçkaj.
Tutje, ai shton se mërgata, si votues më e pavarur dhe shpesh vendimtare në zgjedhje të ngushta, pritet të ketë pjesëmarrje të konsiderueshme këtë herë për shkak të pakënaqësive politike.
“Mërgata është më pak e ndikuar nga strukturat partiake dhe më e lëvizshme në preferencat e saj. Ajo është më e pavarur, edhe pse jo plotësisht neutrale. Pikërisht kjo e bën votën e saj shpesh të paparashikueshme dhe, në raste të caktuara, vendimtare.
Pjesëmarrja e mërgatës në votime, edhe pse jo shumë e lartë në përqindje, ka ndikim të rëndësishëm në rezultatet zgjedhore, sidomos në garat e ngushta dhe në kalimin e pragut prej 50%, siç u pa në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar.
Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, zemërimin e mërgatës ndaj opozitës për shkaktimin e zgjedhjeve të panevojshme dhe mosvotimin e Ligjit për Shtetësinë, pritet që interesimi dhe angazhimi i saj për të votuar të jetë i konsiderueshëm”, potencon ai.
Në fund, veprimtari nga SHBA potencoi se pjesëmarrja e mërgatës mund të mbetet e njëjtë ose të rritet, ndërsa kritikon opozitën për sjellje destruktive dhe argumenton se shumica e votuesve kanë më shumë arsye të mbështesin Kryeministrin Kurti dhe koalicionin e tij.
Pjesëmarrja mund të jetë e njëjtë ose edhe më e lartë se ajo e 28 dhjetorit, , varësisht edhe nga procedurat e votimit, të cilat, nëse realizohen si duhet, tashmë janë bërë më të njohura dhe më të lehta për mërgatën. Opozita po i shndërron zgjedhjet në një lloj rutine politike të panevojshme.
Sidoqoftë, as shumica e mërgatës dhe as shumica e popullit të Kosovës—përveç militantëve partiakë—nuk kanë arsye për ta votuar opozitën, ndërsa kanë shumë arsye për ta mbështetur Kryeministrin Kurti dhe koalicionin e tij me Guxo, Alternativën dhe PDSHK-në.
Me sjelljet e tyre destruktive dhe thellësisht antishtetërore, që synojnë marrjen e pushtetit në mënyrë jodemokratike, krerët e opozitës meritojnë një ndëshkim të fortë nga shumica e popullit të Kosovës”, përfundoi Aliçkaj për “Bota sot”.
Tahiraj: Disponimi i mërgatës mund të ndryshojë
Ndërsa, për këtë temë për “Bota sot”, ka folur edhe veprimtari nga diaspora, Saim Tahiraj.
Fillimiajt, ai thotë se, megjithëse diaspora ka dhënë kontribut të madh për Kosovën, ndikimi i partive politike e ka politizuar atë në mënyrë të tepruar, duke bërë që vota e saj në zgjedhjet e fundit të mos jetë gjithmonë në përputhje me interesin më të mirë të shtetit.
“Mërgata e Kosovës ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë, shtetformimin dhe shtetndërtimin, dhe vazhdon ta japë edhe në kohën e tanishme, si gjithmonë. Ndikimi i partive politike në mërgatë po luan rolin e vet dhe një pjesë e saj është politizuar skajshmërisht. Votimi në zgjedhjet e fundit e dëshmoi këtë dhe, për mendimin tim, nuk rezultoi aq produktiv, pasi nuk ishte në anën e duhur që kërkonte interesi i shtetit”, u shpreh ai.
Duke vazhduar, Tahriaj shton që pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet e 7 qershorit mund të jetë më e ulët për shkak të zhgënjimit me zhvillimet politike dhe vonesave institucionale, por thekson se kjo mund të ndryshojë nëse partitë arrijnë të rikthejnë besimin përmes një qasjeje më aktive dhe bindëse gjatë fushatës.
“Në zgjedhjet që do të mbahen më 07.06.2026, mendoj se pjesëmarrja nuk do të jetë si më parë; së paku deri tani duket kështu. Këtë e them bazuar në kontaktet që kam me bashkatdhetarët, ku vërehet se interesimi ka rënë për shkak të zhgënjimit nga zhvillimet dhe dështimi për një vit në konstituimin e institucioneve shtetërore.
Megjithatë, kjo situatë nuk do të thotë se gjërat do të vazhdojnë kështu. Disponimi i mërgatës mund të ndryshojë, në varësi të qasjes që do të kenë partitë politike në vijim. Aktivizimi i tyre dhe forma e fushatës mund të jenë indikatorë që mund ta zbusin zhgënjimin e mërgatës dhe të rrisin numrin e votuesven”, përmbylli Saim Tahiraj për “Bota sot”.