PDK-ja dhe AAK-ja prej kohësh kanë kërkuar funksionalizimin e Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës, duke kritikuar bllokimin institucional dhe duke kërkuar tejkalimin e krizës politike.
Mirëpo, tash kur Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për Bekim Sejdiun si kandidat për President, këto dy parti po refuzojnë ta mbështesin atë.
Qëndrimi i tyre ka hapur debat mbi atë se sa përputhet refuzimi i kandidaturës me kërkesat e vazhdueshme për funksionalizimin e institucioneve
Për këtë çështje, për “Bota sot” ka folur publicisti Lis Bukuroca, i cili vlerëson se PDK-ja dhe AAK-ja duhet ta mbështesin Bekim Sejdiun.
Sipas tij, qëndrimi i këtyre dy partive ndaj kësaj kandidature do të tregojë nëse kërkesat e tyre për funksionalizimin e institucioneve janë të sinqerta apo pjesë e përplasjes politike.
“Po, PDK-ja dhe AAK-ja duhet ta mbështesin Bekim Sejdiun, nëse vërtet kanë pjekuri qytetare dhe vetëdije shtetërore. Meqë për një kohë të gjatë kanë kërkuar institucione funksionale dhe kanë protestuar kundër bllokimit institucional, tani, kur LVV-ja dhe LDK-ja kanë arritur një dakordim për një kandidat të paraqitur si jopartiak dhe konsensual, është momenti që edhe ato ta japin kontributin e tyre për funksionalizimin e institucioneve të Republikës.
Nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë lind natyrshëm pyetja se çfarë pritet më tej prej tyre. Një refuzim i tillë do të mund të tregonte mungesë pjekurie politike, mungesë përgjegjësie dhe mungesë të vetëdijes për interesin e shtetit. Sepse Kosova nuk mund të mbahet pafundësisht e bllokuar dhe të shkojë përsëri në zgjedhje vetëm pse partitë politike nuk arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për funksionimin e institucioneve”, deklaroi Bukuroca.
Publicisti, konisderon se roli i opozitës nuk duhet të ngatërrohet me bllokimin e institucioneve, pasi kundërshtimi ndaj qeverisë dhe politikave të saj mund të bëhet pa e penguar funksionimin e shtetit.
Në këtë kuptim, vota për Presidentin, sipas Bukurocës, mund të shërbejë si një tregues i qartë i qasjes që PDK-ja dhe AAK-ja kanë ndaj funksionimit institucional të vendit.
“Opozita duhet të jetë opozitë ndaj qeverisë dhe politikave të saj, jo opozitë ndaj shtetit. Presidenti i Republikës është president i të gjithë qytetarëve dhe zgjedhja e tij është çështje institucionale që kërkon bashkëpunim dhe pajtim sa më të gjerë politik.
Prandaj, mbështetja e Bekim Sejdiut do të ishte një test për PDK-në dhe AAK-në. Jo thjesht test për atë se kë e votojnë, por për atë se sa seriozisht e kanë pasur kërkesën e tyre për institucione funksionale. Nëse kanë kërkuar institucione, tani është koha të ndihmojnë në funksionalizimin e tyre. Përndryshe, bllokimi i shtetit nuk mund të justifikohet si opozitarizëm”, përmbylli Lis Bukuroca për “Bota sot”.