Deklarata e Listës Serbe se kandidatura për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës bëhet “në emër të popullit serb” ka shkaktuar përplasje në Kuvend, duke bërë që seanca për votimin e nënkryetarëve të shtyhet pas mos tërheqjes së kësaj deklarate.
Kjo qasje ka rikthyer në vëmendje debatin për mënyrën se si Lista Serbe e interpreton përfaqësimin politik të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, si dhe rolin që kjo parti po luan në funksionimin e Kuvendit.
Lidhur me këtë çështje, për “Bota sot” ka folur analisti politik Gani Qarri, i cili e ka cilësuar deklaratën e Listës Serbe si një veprim provokues dhe të papranueshëm, duke pretenduar se kjo parti po përpiqet të imponojë një narrativë politike që, sipas tij, bie ndesh me rendin kushtetues të Kosovës.
“Derisa Serbia fashiste, me dekada zbaton përdhunshëm dhe në mënyrën më të vrazhdë PASIVIZIMIN e adresave të shqiptarëve të Kosovës Lindore, duke dëbuar ata në mënyrë të heshtur nga shtëpitë dhe trojet e tyre stërgjyshore-autoktone, të cilët jo vetëm se nuk i trajton si popull por edhe i poshtëron përditshëm si komunitet të klasës së dytë apo të tretë, dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë, e ashtuquajtura ‘Listë Serbe’, ditën për diell shkakton skandal në Parlamentin e vendit tonë, duke deklaruar se kandidaturën për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës e bën ‘në emër të popullit serb’, duke nxitur përplasje të ashpra në Kuvend”, u shpreh Qarri.
Sipas tij, kjo deklaratë duhet parë edhe në kontekstin e zhvillimeve të tjera politike dhe të figurave të propozuara nga Lista Serbe.
Qarri ndalet veçanërisht te kandidatura e Sllavko Simiqit, duke ngritur një varg akuzash dhe duke kërkuar që institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë të shqyrtojnë të gjitha dyshimet që, sipas tij, lidhen me të.
“I ‘propozuari’ i të ashtuquajturës ‘Listë Serbe’, Sllavko Simiq, në fakt do të duhej të ishte në burg dhe jo kandidat për nënkryetar të legjislativit të gjithë vendit. Ai, përveç lidhjeve të njohura me kryeterroristin serb Milan Radojçiq, dyshohet të jetë thellë i involvuar edhe në aferën e rëndë të spiunazhit kundër Kosovës dhe, siç është njohur që moti, Simiq mbante lidhje të forta edhe me kriminelin Vlladimir Radivojeviq dhe kriminel të tjerë serbë”, deklaroi ai.
Qarri pretendon se këto çështje duhet të jenë objekt i hetimeve nga institucionet kompetente të Kosovës, duke përmendur Prokurorinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe organet e tjera të sigurisë.
“Shto gjithë kësaj lidhjet që Simiq mban me Beogradin, si dhe aferën e spiunazhit me spiunen serbe nga Mitrovica Ana Murganiq, të gjitha këto janë argumente tepër të forta që kanë obliguar dhe mbajnë nën obligim Prokurorinë e Shtetit, AKI-në dhe institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës të hetojnë rrënjësisht Sllavko Simiqin, për lidhjet që ai mund t’i ketë edhe sot me BIA-n e Serbisë”, tha Qarri.
Ai e konsideron veçanërisht problematike që një person ndaj të cilit ngre këto pretendime të jetë kandidat për një pozitë të lartë në Kuvendin e Kosovës.
“Një njeri i tillë i dyshimtë dhe i akuzuar penalisht nga Prokuroria e Shtetit, i lidhur kaq ngushtë me kriminelë e terroristë dhe organizata terroriste serbe të ndaluara edhe me ligj në Kosovë, përbën rrezik permanent për gjendjen e sigurisë në mbarë Republikën e Kosovës”, u shpreh analisti.
Më tej, Qarri rikthehet te deklarata që shkaktoi përplasjen në Kuvend, duke e cilësuar si përpjekje për të ndërtuar një narrativë politike mbi përfaqësimin e komunitetit serb.
“Siç dihet, në Kosovë ka një komunitet të vogël, por nuk ka popull serb, ndaj përpos që propozimi i të ashtuquajturës ‘Listë Serbe’ ishte deklarim i rëndë provokues, akt skandaloz dhe i papranueshëm, e ashtuquajtura ‘Listë Serbe’ po tenton në mënyrë të kundërligjshme që përmes deklaratave kundërkushtetuese të imponojë një narrativë skandaloze politike që bie ndesh edhe me ligjin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, theksoi ai.
Sipas Qarrës, pikërisht kjo deklaratë dhe refuzimi për ta tërhequr atë e kanë bërë të pashmangshme shtyrjen e seancës.
“Kështu që deklarata e të ashtuquajturës ‘Listë Serbe’ se kandidatura për nënkryetar të Kuvendit bëhet ‘në emër të popullit serb’, ishte jo vetëm skandaloze, por dhe kundërkushtetuese dhe e papranueshme, e cila ka nxitur përplasje të ashpra në Kuvend dhe megjithëse kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i ka tërhequr vërejtjen deputetit të të ashtuquajturës ‘Listë Serbe’, mos tërheqja e deklaratës skandaloze të Igor Simiqit ka bërë që kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ta shtyjë edhe seancën për votimin e nënkryetarëve”, deklaroi Qarri.
Në fund, analisti politik potencon se pas kësaj përplasjeje qëndron një agjendë më e gjerë politike, duke e lidhur Listën Serbe me Beogradin dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
“Ky gjithë ky zhvillim na bën të kuptojmë se, me direktiva të drejtpërdrejta nga Beogradi, dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë, e ashtuquajtura ‘Listë Serbe’, po keqpërdorë qëllimisht edhe Kuvendin për agjenda politike të Aleksandar Vuçiqit, vetëm që të cenojë sa më rëndë funksionimin e institucioneve të shtetit të pavarur të Kosovës”, tha Qarri.
Ai kërkoi që institucionet kompetente të Kosovës të reagojnë ndaj rasteve të tilla dhe të sigurojnë respektimin e rregullave kushtetuese e ligjore në institucionet e vendit.
“Andaj, duke qenë se në Republikën e Kosovës ka rregulla të qarta kushtetuese për propozimet institucionale, kjo shkelje e qëllimshme e dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë duhet të sanksionohet sa më ashpër nga autoritetet ligjore dhe organet kompetente juridike të shtetit të Kosovës, në mënyrë që veprime të tilla të mos guxojnë të përsëriten më në të ardhmen”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.