Alarm për sigurinë në Kosovë para vendimit në Hagë, ekspertët paralajmërojnë: Mos bini pre e provokimeve!

Politika

Alarm për sigurinë në Kosovë para vendimit në Hagë, ekspertët paralajmërojnë: Mos bini pre e provokimeve!

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 15 shtator 2026 Në ora: 12:00
Polici i Kosovës

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 16 shtator aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në rastin ku akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës.

Ndërkohë, Ambasada Amerikane në Prishtinë u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë që të shmangin lëvizjet pranë vendeve ku janë paralajmëruar protesta më 16 shtator.

Kjo thirrje ka nxitur shqetësime në opinionin publik për mundësinë e protestave të dhunshme dhe trazirave në Kosovë e rajon, në varësi të vendimit që do të shpallet nga Gjykata Speciale.

Islami: U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për qetësi, maturi dhe vigjilencë

Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, për “Bota sot”, ka thënë se Serbia po përhap lajme të rreme për trazira në Kosovë, në kuadër të një lufte hibride.

Ai thotë se këto përpjekje do të dështojnë përballë pjekurisë së qytetarëve.

Image
Avni Islami

“Kur kanë mbetur edhe pak orë nga shpallja e verdiktit për krerët e UÇK-së, makineria propagandistike dhe shërbimet inteligjente serbe (BIA) dhe të tjera, janë vënë në lëvizje si kurrë më parë.

Përmes medieve dhe rrjeteve sociale, po përhapen deklarata bombastike dhe lajme të rreme për trazira të trilluara në Kosovë. Ky inskenim, i shoqëruar me stërvitjet e fundit të ushtrisë serbe afër kufirit tonë, është një luftë e pastër hibride që do të dështojë përballë pjekurisë së popullit tonë”, ka thënë ai.

Ai u bëri thirrje qytetarëve për qetësi dhe maturi, duke i paralajmëruar të mos bien pre e provokimeve dhe lajmeve të rreme.

Sipas tij, AKI dhe Policia e Kosovës janë në gatishmëri të plotë për të parandaluar çdo tentativë destabilizuese.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për qetësi, maturi dhe vigjilencë. Mos bieni pre e provokimeve dhe informacioneve të rreme që synojnë përhapjen e panikut.

Bashkëpunimi dhe besimi juaj te institucionet tona janë mburoja më e fortë e Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) dhe Policia e Kosovës janë në gatishmëri të plotë, të forta dhe të pathyeshme. Çdo tentativë e agjenturave të huaja apo elementeve destabilizuese për të provokuar dhe cenuar rendin kushtetues do të neutralizohet në mënyrë të menjëhershme. Siguria e Republikës së Kosovës është e pacënueshme dhe e garantuar!”, theksoi ai.

Hoxha: Bazuar në përvojën direkte në luftën çlirimtare, qytetarët edhe mund të shprehin emocione dhe pritshmëritë e tyre

Kurse, eksperti i sigurisë, Valdet Hoxha, vlerëson se vendimi i Gjykatës Speciale për katërshen e UÇK-së pritet me interes të madh në Kosovë dhe ndërkombëtarisht.

Image
Valdet Hoxha

Ai thotë se emocionet e qytetarëve mund të sjellin tensione në rast të një vendimi jo-lirues, ndërsa planin operativ të Policisë së Kosovës për 16 shtatorin e cilëson masë standarde sigurie, që nuk paragjykon vendimin e gjykatës.

“Shpallja e vendimit nga Gjykata Speciale për katërshen e UÇK-së, natyrisht që ka pritshmëri të madhe në Kosovë por edhe në aspektin ndërkombëtar sepse mund të krijojë precedent edhe për raste të natyrave të ngjashme në të ardhmen.

Bazuar në këtë, qytetarët e Kosovës, bazuar në përvojën direkte në luftën çlirimtare, edhe mund të shprehin emocione dhe pritshmëritë e tyre ndaj këtij procesi e që në opinion mund të krijohet perceptimi që në rast se eventualisht nuk do ketë aktgjykim lirues edhe mund të krijohen tensione e trazira në vend.

Dhe në këtë kontekst, një plan operativ nga Policia e Kosovës për datën 16 shtator është një veprim procedural e operacional standard, i nevojshëm por asesi nuk paragjykon dhe nuk ka asnjë lidhje me vendimmarrjen e pavarur të gjykatës speciale”, deklaroi ai për “Bota sot”.

Në fund, Hoxha shprehet optimist për vendimin e trupit gjykues, duke vlerësuar se ai do të jetë i pavarur dhe i pandikuar nga pretendimet e prokurorisë. Sipas tij, lufta e UÇK-së ishte një luftë çlirimtare dhe e drejtë, e cila u zhvillua si pasojë e pushtimit dhe dhunës së Serbisë.

“Vlerësoj se trupi gjykues i gjykatës speciale do të nxjerrë një vendim të pavarur dhe të pandikuar duke mos iu falur besimin pretendimeve të ngritura nga prokuroria sepse lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, çlirimtare, e imponuar nga pushtimi i egër i Serbisë e mbi të gjitha ishte luftë vullnetare e mbështetur nga partnerët ndërkombëtar në krye me SHBA, të cilët edhe ishin pjesëmarrës aktiv në çlirim, pavarësi e shtetndërtimin e Kosovës” – përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat