A rrezikohen trazira më 16 shtator? Eksperti Shala jep vlerësimin

Politika

A rrezikohen trazira më 16 shtator? Eksperti Shala jep vlerësimin

Nga: A.SH Më: 15 shtator 2026 Në ora: 15:55
Fotoilustrim

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala vlerëson se shqetësimet për trazira duhet të shihen me qetësi, pasi Kosova ka sot kapacitete më të mëdha të sigurisë. Sipas tij, përvoja nga sulmi terrorist i vitit 2023 ka forcuar institucionet në parandalim, koordinim dhe reagim ndaj situatave të rrezikshëm.

“Mendoj se shqetësimi për mundësinë e trazirave duhet parë me qetësi dhe në bazë të kapaciteteve reale të institucioneve të Kosovës. Kosova sot ka institucionet e veta të sigurisë dhe është në një situatë shumë më të favorshme për t’u përballur me çdo skenar që mund të paraqitet më 16 shtator dhe në ditët në vijim.

Përparësia jonë është se, si qytetarë dhe si institucione, jemi dëshmuar përballë situatave me rrezik të lartë. Një prej shembujve më të qartë është sulmi terrorist i vitit 2023, i cili kërkoi reagim institucional dhe menaxhim të një situate jashtëzakonisht të ndjeshme të sigurisë.

Përvoja të tilla kanë rritur kapacitetet tona për parandalim, koordinim dhe reagim”, tha ai.

Shala thekson se masat e sigurisë bazohen në protokolle dhe vlerësime të rrezikut, ndërsa institucionet duhet të jenë të përgatitura edhe për skenarët më të mundshëm. Ai thotë se Policia dhe institucionet tjera relevante kanë të gatshme mekanizmat e reagimit, duke kërkuar nga qytetarët qetësi dhe besim në institucione.

“Sa i përket sigurisë, masat nuk improvizohen dhe nuk ndërtohen vetëm mbi atë se çfarë mund të ndodhë.

Ato janë të parapara në bazë të protokolleve dhe vlerësimeve të rrezikut. Në një situatë të tillë, është më mirë që institucionet të aplikojnë një nivel masash më të lartë sesa të nënvlerësojnë një kërcënim të mundshëm.

Nga vlerësimi im, Policia e Kosovës dhe institucionet tjera relevante tashmë i kanë në tavolinë skenarët e mundshëm dhe mekanizmat e reagimit për secilën situatë që mund të paraqitet. Kjo nuk do të thotë se duhet të krijohet panik te qytetarët, por përkundrazi, se duhet të ruhet qetësia dhe besimi në institucione”, u shpreh më tej ai.

Shala vlerëson se 16 shtatori duhet të trajtohet me vigjilencë, por jo si datë që domosdoshmërisht sjell trazira. Ai u bën thirrje qytetarëve të shmangin provokimet dhe dezinformimin, duke theksuar se siguria e Kosovës mbështetet te institucionet e saj.

“Prandaj, 16 shtatori duhet të trajtohet si një moment i ndjeshëm, por jo si një datë që automatikisht nënkupton trazira. Institucionet duhet të jenë vigjilente, ndërsa qytetarët duhet të shmangin çdo provokim, dezinformim apo përpjekje për ta tensionuar situatën.

Siguria më e madhe e Kosovës sot është pikërisht fakti se përgjegjësinë për rendin dhe sigurinë e kanë institucionet e saj” – përfundoi ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat