Dr. Gurakuç Kuçi, profesor dhe hulumtues, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, rrezikun e përsëritjes së trazirave të marsit 2004 dhe skenarët që, sipas tij, mund të synojnë dobësimin, ndarjen dhe shfuqizimin e shtetit të Kosovës.
Kuçi ka ngritur shqetësime lidhur me mundësinë që zemërimi i qytetarëve pas shpalljes së dënimeve të shfrytëzohet për nxitjen e tensioneve ndëretnike, duke theksuar se Kosova duhet të ruajë qetësinë dhe unitetin shoqëror.
Duke folur për ngjarjet e marsit 2004, profesori ka deklaruar se, sipas tij, trazirat e asaj kohe u shfrytëzuan nga Serbia për të krijuar një situatë të re politike në Kosovë.
“Trazirat e 17–18 marsit 2004 u iniciuan nga Serbia dhe manipuluan zemërimin e masës për të krijuar një gjendje të re në Kosovë, që kishte të bënte me kantonizimin e saj. 16 shtatori 2026 mund të ketë qenë rasti i dytë për krijimin e një ‘Marsi 2’, me synim dobësimin, ndarjen dhe shfuqizimin e shtetit të Kosovës, duke njollosur luftën e UÇK-së, shtetin e Kosovës dhe shqiptarët, si aktorë me qëllime kundër komunitetit serb”, ka deklaruar Kuçi për “Bota sot”.
Sipas profesorit, zhvillimet pas aktgjykimit të Hagës duhet të shihen edhe në kontekstin e rrezikut për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës. Ai ka paralajmëruar se zemërimi i qytetarëve mund të manipulohet dhe të shndërrohet në tensione ndëretnike.
“Planet për ndarjen dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës duket se janë kalkuluar edhe me revoltën e pritshme të qytetarëve pas shpalljes së dënimeve për krerët të UÇK-së në Hagë. Një reagim në afekt, nxitje e orkestruar dhe manipulim emocional sipas modelit të trazirave të marsit 2004, do të ishte skenari më fatal kundër Kosovës”, është shprehur ai.
Më tej, Kuçi ka theksuar se një incident ndëretnik do të mund të zhvendoste vëmendjen nga aktgjykimi i Hagës dhe çështja e drejtësisë, drejt një debati tjetër lidhur me sigurinë e komunitetit serb dhe trashëgiminë ortodokse në Kosovë.
“Rreziku ishte që zemërimi i krijuar në Kosovë të shfrytëzohej për të provokuar një incident ndëretnik: protesta të devijuara drejt zonave me shumicë serbe ose objekteve të Kishës Ortodokse, përplasje, viktima dhe më pas ndërkombëtarizim të menjëhershëm të krizës. Një skenar i tillë do ta zhvendoste brenda pak orësh debatin nga padrejtësia e Hagës te pyetja nëse Kosova është e aftë t’i mbrojë serbët dhe trashëgiminë ortodokse”, ka thënë Kuçi.
Ai ka shtuar se pasojat politike të një skenari të tillë do të mund të ishin të rënda për Kosovën.
“Pikërisht ky është lloji i pasojës politike që, pas marsit 2004, ushqeu planet për decentralizim etnik, autonomi, ndarje dhe më pas zhbërje të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar profesori.
Duke folur për zhvillimet para shpalljes së aktgjykimit, Kuçi ka ngritur pyetje lidhur me deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe informacionet që, sipas tij, qarkullonin në nivelet politike e diplomatike para vendimit.
“Qysh më 3 shtator, trembëdhjetë ditë para aktgjykimit, Aleksandar Vuçiq deklaronte se ishte i shqetësuar për protestat në Kosovë dhe pretendonte se po paralajmërohej dhunë nëse Hashim Thaçi nuk lirohej. Nëntë ditë më vonë ndodhi diçka edhe më e pazakontë. Më 12 shtator, Vuçiq tregoi se shërbimet serbe i kishin dhënë fillimisht informacion se Thaçi do të merrte një dënim që afërsisht do t’i mbulonte vetëm kohën e paraburgimit”, ka thënë Kuçi.
Sipas tij, deklaratat e mëvonshme të Vuçiqit për informacione të tjera lidhur me dënimin e mundshëm të Thaçit ngrenë pikëpyetje që, sipas profesorit, duhet të shqyrtohen.
“Por më pas, duke iu referuar kontakteve në Paris me liderë evropianë dhe botërorë, tha se kishte marrë ‘indikacione të tjera’ se mund të jepej një dënim i rëndë. Vizita e Vuçiqit në Paris dhe takimi i tij me Emmanuel Macron më 9 shtator janë gjithashtu të dokumentuara nga Presidenca e Serbisë”, është shprehur ai.
“Kjo ngre një pyetje që nuk duhet anashkaluar: çfarë informacioni për një vendim ende të pashpallur po qarkullonte në nivelet politike dhe diplomatike?”, ka pyetur Kuçi.
Profesori dhe hulumtuesi ka folur edhe për origjinën e procesit që çoi në raportin e Dick Martyt dhe më pas në krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Edhe origjina e procesit kërkon rikujtim. Mocioni i 15 prillit 2008, që dërgoi më pas te raporti i Dick Martyt, u iniciua nga Konstantin Kosachev i Rusisë; ndër nënshkruesit ishin Milosh Aligrudiq nga Serbia dhe Mikhail Margelov nga Rusia, krahas parlamentarëve nga vende të tjera”, ka deklaruar Kuçi.
Ai ka theksuar se Serbia dhe Rusia, kanë vazhduar ta shtyjnë ndërkombëtarisht çështjen.
“Serbia dhe Rusia më pas vazhduan ta shtynin ndërkombëtarisht çështjen. Në prill 2011 Serbia kërkoi krijimin e një mekanizmi hetues nën autoritetin e Këshillit të Sigurimit, ndërsa më 23 qershor Rusia qarkulloi në emër të Serbisë një projekt-rezolutë për krijimin e këtij mekanizmi. Rusia vazhdoi ta mbështeste kërkesën serbe edhe në diskutimet e mëvonshme në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë ai.
Tutje, Kuçi ka përmendur edhe historinë institucionale të gjyqtarit kryesues Charles Smith, duke iu referuar biografisë së tij zyrtare dhe pretendimeve që ishin paraqitur në procedurat gjyqësore.
“Ndërkohë, gjyqtari kryesues Charles Smith kishte qenë më parë pjesë e strukturës së lartë gjyqësore të EULEX-it. Sipas biografisë zyrtare të Dhomave të Specializuara, ai ishte gjyqtar i EULEX-it nga viti 2010 deri më 2013, anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës dhe më pas nënkryetar e kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it”, ka deklaruar profesori.
Ai ka shtuar se këto elemente, sipas tij, meritojnë të shqyrtohen në kuadër të debatit për procesin gjyqësor.
“Këto elemente krijojnë një konvergjencë që meriton hetim: origjina politike e çështjes, interesi afatgjatë i Serbisë dhe Rusisë, informacionet paraprake të presidentit serb, historia institucionale e gjyqtarit kryesues dhe një kontekst ku Perëndimi njëkohësisht kërkon ta mbajë Serbinë sa më larg orbitës ruse”, është shprehur Kuçi.
Gjithashtu, Kuçi ka theksuar se reagimet ndaj aktgjykimit duhet të mbeten brenda protestës politike dhe rrugëve institucionale, duke paralajmëruar rrezikun e përdorimit të dhunës.
“Nëse zemërimi në Kosovë mbetet protestë politike, kemi krizë të drejtësisë dhe besimit. Por, nëse zemërimi transformohet në dhunë kundër serbëve ose kishave ortodokse, atëherë kemi diçka tjetër: një krizë sigurie që mund të përdoret për të rikthyer argumentin se Kosova nuk mund të funksionojë si shoqëri multietnike dhe se duhet një zgjidhje tjetër”, ka thënë Kuçi.
“Këtë model Kosova e ka parë njëherë, në marsin e vitit 2004. Prandaj, pyetja sot nuk është vetëm se çfarë vendosi Haga. Pyetja është se çfarë skenarësh mund të ishin kalkuluar me vendimin e Dhomave të Specializuara”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, Kuçi ka folur edhe për mundësinë e ndryshimit të aktgjykimit në procedurën e apelit, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes juridike për ish-krerët e UÇK-së.
“Nëse planet tashmë kanë dështuar – dhe me sa duket po – atëherë me vendimin e apelit mund të kemi një vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së. Mirëpo, mbetet në detyrën tonë si shtet dhe shoqëri që këto plane t’i mbajmë të dështuara”, ka thënë profesori.
Në këtë drejtim, ai ka propozuar që Oda e Avokatëve të Kosovës të shqyrtojë mundësinë e mbështetjes së mbrojtjes në Hagë përmes një ekipi të specializuar.
“Në këtë drejtim, do të duhej shikuar mundësitë që Oda e Avokatëve të Kosovës ta mbështesë mbrojtjen në Hagë përmes një ekipi të specializuar për analizën e aktgjykimit, identifikimin e gabimeve juridike e faktike, kërkimin e jurisprudencës, shqyrtimin e provave të reja dhe simulimin e seancave të apelit”, ka deklaruar Kuçi.
Ai ka shtuar se mund të shqyrtohet edhe kërkesa për statusin amicus curiae, në përputhje me rregullat e Dhomave të Specializuara.
“Ajo mund të kërkojë edhe status amicus curiae, pasi Rregulla 67 e Rregullores së Procedurës dhe Provave lejon që një organizatë ose person të kërkojë leje ose të ftohet nga paneli për të paraqitur vërejtje si amicus curiae, ndërsa drejtimin procedural e mban ekipi mbrojtës në Hagë”, ka përfunduar Kuçi për “Bota sot”.