Shala ngre pyetje publike pas verdiktit të Speciales: “Pse ende nuk reagoi Familja Jashari?”

Politika

Shala ngre pyetje publike pas verdiktit të Speciales: “Pse ende nuk reagoi Familja Jashari?”

Nga: H.O. Më: 18 shtator 2026 Në ora: 20:20

Publicisti dhe veprimtari Hafiz Shala ka ngritur një sërë pyetjesh publike lidhur me verdiktin e fundit të Gjykatës Speciale, duke vënë theksin te reagimi i Familjes Jashari dhe mënyra se si, sipas tij, është trajtuar lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shala pyet publikisht se pse, sipas tij, Familja Emblematike dhe Heroike Jashari ende nuk ka reaguar në mënyrë më të drejtpërdrejtë lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Speciale, përveç deklaratave individuale dhe thirrjes “Rrnoftë UÇK-ja”.

“Pse, ende nuk reagoj Familja Emblematike e Heroike Jashari lidhur me verdiktin e fundit të Gjykatës Speciale, përpos deklaratave kalimthi individuale: Rrnoftë UÇK-ja”, shkruan Shala.

Ai shprehet se në tubimet e organizuara lidhur me këtë çështje nuk ka parë, sipas tij, fotografi të Komandantit Legjendar Adem Jashari. Shala thekson gjithashtu se, sa është në dijeni ai, Familja Jashari nuk është akuzuar nga ndonjë shtet apo gjykatë ndërkombëtare për luftën e zhvilluar në Prekaz.

“Fatkeqësisht, në asnjë tubim nuk ka foto të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe, sa di unë, asnjëherë nuk u akuzua kjo familje nga asnjë shtet ndërkombëtar apo gjykatë ndërkombëtare për luftën heroike e stoike në truallin e saj me forcat ushtarako-policore gjenocidale”, shprehet ai.

Shala kujton edhe veprimtarinë e Adem dhe Hamëz Jasharit, duke theksuar se ata, sipas tij, nuk kanë qëndruar duarkryq, por kanë qenë aktivë përmes aksioneve të ndryshme kundër forcave serbe. Ai nënvizon se, pavarësisht kësaj, ndaj tyre nuk janë ngritur akuza për krime.

“Adem dhe Hamëz Jashari nuk kanë ndejur duarkryq, por në lëvizje përmes aksioneve të ndryshme kundër forcave serbe, kurrë dhe asnjëherë nuk u akuzuan për krime”, thotë Shala.

Duke folur për Familjen Jashari, publicisti thotë se shqiptarët e Kosovës dhe kombi shqiptar e kanë ngritur në simbol të heroizmit dhe sakrificës kombëtare. Sipas tij, sakrifica e kësaj familjeje ka pasur ndikim edhe në mënyrën se si është parë lufta e UÇK-së.

“Ne, si popull dhe si komb, mburremi deri në qiell me heroizmin dhe sakrificën e kësaj familjeje si shembull unik në botë”, shprehet ai.

Shala pretendon se sakrifica e Familjes Jashari ka ndikuar në ndërgjegjësimin për drejtësinë dhe, sipas tij, ka shërbyer si një pasqyrë e luftës çlirimtare të UÇK-së.

“Sakrifica e Familjes Jashari ishte një vetëdijesim edhe për këtë gjykatë, e cila i dha një pasqyrë të vërtetë edhe luftës së drejtë çlirimtare të UÇK-së”, shkruan ai.

Më tej, Shala e cilëson UÇK-në si “krenarinë tonë kombëtare” dhe thotë se ajo ishte e lindur nga populli. Ai kritikon edhe partitë dhe shoqatat që, sipas tij, tentojnë ta përvetësojnë UÇK-në për interesa personale.

“UÇK-ja e lindur nga populli është edhe krenaria jonë kombëtare. Parti e shoqata të ndryshme, të cilat po tentojnë ta përvetësojnë për interesa personale, për t’i mbuluar të bëmat e hajnisë dhe mercenarizmit ndaj Serbisë, populli nuk i pranon”, deklaron Shala.

Në pjesën tjetër të reagimit, ai thotë se kundërshtimi ndaj Gjykatës Speciale duhet të bëhet përmes rrugëve institucionale dhe ligjore. Shala kërkon që organet shtetërore t'i analizojnë në mënyrë profesionale obligimet dhe mundësitë ligjore për kundërshtimin e vendimeve përmes apelit.

“Do ta kundërshtojmë Gjykatën Speciale sipas rregullave dhe obligimeve të cilat duhet t’i analizojmë në mënyrë profesionale nga organet shtetërore, duke kërkuar nga kjo gjykatë përmes apelit se, përderisa kjo gjykatë dhe themeluesi dhe financuesi BE-ja bashkë me shtetin tonë, se si heshtet rreth gjenocidit të Serbisë të ushtruar ndaj shqiptarëve të Republikës së Dardanisë”, shkruan ai.

Në fund, Shala ngre një tjetër pyetje të drejtpërdrejtë lidhur me mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar çështja e luftës në Kosovë.

“A nuk po duket kjo gjykatë si raciste?!”, përfundon Hafiz Shala.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat