Hamza largohet, Abdixhiku përballet me pakënaqësi - çfarë po ndodh brenda opozitës?

Politika

Hamza largohet, Abdixhiku përballet me pakënaqësi - çfarë po ndodh brenda opozitës?

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 27 tetor 2026 Në ora: 08:01
Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku

Dorëheqja e Bedri Hamzës nga drejtimi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kundërshtimet ndaj Lumir Abdixhikut brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë nxjerrë në pah pakënaqësitë dhe sfidat e brendshme në dy partitë kryesore opozitare. Derisa PDK-ja po përgatitet për zgjedhjen e kryetarit të ri, në LDK po shtohen debatet për udhëheqjen dhe drejtimin politik të partisë.

Këto zhvillime kanë hapur diskutime për gjendjen e opozitës dhe aftësinë e saj për të vepruar në mënyrë të koordinuar përballë pushtetit. Përplasjet e brendshme dhe mungesa e një qëndrimi të përbashkët rrezikojnë ta zhvendosin vëmendjen nga mbikëqyrja e qeverisë dhe ofrimi i alternativave konkrete për qytetarët.

Në këtë kontekst, shtrohet çështja nëse dorëheqja e Hamzës dhe pakënaqësitë brenda LDK-së janë shenja të një krize më të thellë politike apo mundësi për riorganizim dhe ripërtëritje të dy partive. Njëkohësisht, mbetet për t’u parë se çfarë ndikimi do të kenë këto zhvillime në raportin mes opozitës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

A po kalojnë PDK-ja dhe LDK-ja nëpër një krizë të brendshme politike? Sa po e dobësojnë këto zhvillime rolin e tyre opozitar dhe a po përfiton politikisht Albin Kurti? A mund t’i forcojnë partitë ndryshimet në udhëheqje apo rrezikojnë t’i thellojnë ndarjet?

Halili: PDK dhe LDK përballë sfidës së riorganizimit politik

Lidhur me zhvillimet e fundit në dy partitë opozitare, profesori Nijazi Halili, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se dorëheqja e Bedri Hamzës nga drejtimi i PDK-së dhe kërkesat për ndryshime në udhëheqjen e LDK-së pasqyrojnë sfida të rëndësishme të organizimit dhe drejtimit politik. Sipas tij, mënyra se si do të menaxhohen këto zhvillime do të përcaktojë nëse ato do të shërbejnë për ripërtëritjen e partive apo do t’i thellojnë ndarjet e brendshme.

“Zhvillimet e fundit në PDK dhe LDK dëshmojnë se të dyja partitë po përballen me sfida të rëndësishme të organizimit dhe të udhëheqjes politike. Dorëheqja e Bedri Hamzës nga drejtimi i PDK-së dhe kërkesat për ndryshime në udhëheqjen e LDK-së nuk duhen parë vetëm si çështje të individëve, por edhe si shprehje e debatit për drejtimin strategjik, përgjegjësinë politike dhe demokracinë e brendshme partiake.

Megjithatë, është e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet një krize të udhëheqjes dhe një krize ekzistenciale të partisë. Mospajtimet mund të shërbejnë si mekanizëm demokratik për reformim, por, nëse shndërrohen në përplasje personale dhe fraksionale, mund ta dobësojnë kohezionin dhe besimin e elektoratit”, deklaron Halili.

Duke folur për ndikimin e këtyre zhvillimeve në rolin opozitar, Halili thekson se përqendrimi në konfliktet e brendshme mund t’ia vështirësojë opozitës mbikëqyrjen e qeverisë dhe paraqitjen e alternativave politike, duke krijuar njëkohësisht më shumë hapësirë për LVV-në.

Image
Nijazi Halili

“Kur partitë opozitare përqendrohen më shumë në konfliktet e brendshme sesa në alternativat programore, ato rrezikojnë ta zhvendosin vëmendjen nga mbikëqyrja e qeverisë dhe problemet konkrete të qytetarëve. Në këtë kuptim, përçarjet brenda PDK-së dhe LDK-së mund t’i krijojnë Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti hapësirë më të madhe politike, jo domosdoshmërisht për shkak të rritjes së mbështetjes ndaj tyre, por për shkak të vështirësive të opozitës për të vepruar në mënyrë të koordinuar.

Duhet theksuar se dobësimi relativ i opozitës nuk nënkupton automatikisht forcimin afatgjatë të pushtetit. Për këtë ndikojnë edhe rezultatet e qeverisjes, gjendja ekonomike, besimi qytetar dhe aftësia e partive për të ofruar zgjidhje konkrete”, shprehet ai.

Sa u përket ndryshimeve të mundshme në udhëheqje, profesori vlerëson se ato mund të krijojnë mundësi për ripërtëritje, por vetëm nëse shoqërohen me transparencë, konkurrencë të ndershme dhe një program të qartë politik.

“Rezultati do të varet nga mënyra se si zhvillohen proceset e brendshme. Nëse zgjedhja e udhëheqësve të rinj shoqërohet me transparencë, konkurrencë të ndershme, përgjegjësi dhe një program të qartë politik, këto zhvillime mund të shndërrohen në mundësi për ripërtëritje.

Në të kundërtën, nëse ndryshimet mbeten vetëm në nivelin e emrave, pa analizuar shkaqet e pakënaqësive dhe pa përcaktuar një vizion të ri, ekziston rreziku që ndarjet të thellohen dhe besimi i qytetarëve të dobësohet më tej.

Për fundimisht, në demokraci, partitë nuk maten vetëm me numrin e deputetëve apo me emrin e kryetarit, por edhe me aftësinë për të prodhuar ide, për të ndërtuar institucione të qëndrueshme dhe për t’u përgjigjur nevojave të qytetarëve. PDK-ja dhe LDK-ja kanë përpara një sfidë që tejkalon garën për udhëheqje, këto duhet të dëshmojnë se janë në gjendje të ndërtojnë një opozitë funksionale, me identitet të qartë politik dhe alternativë të besueshme qeverisëse”, përfundon Halili.

Mehmeti: Zhvillimet e fundit në PDK dhe LDK çojnë ujë në mullirin e LVV-së

Në anën tjetër, analisti Gani Mehmeti vlerëson se zhvillimet e fundit në PDK dhe LDK dëshmojnë për një krizë të thellë politike, të lidhur me mosmarrëveshjet e brendshme dhe mungesën e unitetit. Sipas tij, këto probleme po ndikojnë drejtpërdrejt në rolin opozitar të dy partive dhe po krijojnë përparësi për Lëvizjen Vetëvendosje.

Image
Gani Mehmeti

“Gjatë gjithë këtyre dy viteve, prej kur këto dy parti u bënin bisht formimit të institucioneve në Republikën e Kosovës dhe e çuan vendin në zgjedhje dy herë pa nevojë, për shkak të kryeneçësisë së tyre, përkrahja e tyre nga zgjedhësit ka ardhur vazhdimisht duke rënë. Kjo u pa edhe në zgjedhjet e 25 dhjetorit 2025 dhe 7 qershorit 2026.

Tani, duke mos dashur t’i formonin institucionet edhe pas zgjedhjeve të fundit, të 7 qershorit 2026, dhe duke paraqitur kushte pas kushteve, këto dy parti kanë ardhur duke humbur mbështetjen e tyre, për çka edhe lindën mosmarrëveshjet brenda tyre.

Kështu, Lidhja Demokratike e Kosovës sikur u nda më dysh, me kandidimin për kryetare të Kosovës nga LDK-ja. Këtu kundër ishte ai gjashtëshi i “fortë” i LDK-së, të cilët, nga xhelozia, inati e kryeneçësia, nuk e bënë të mundur zgjedhjen e kryetares së Kosovës, me çka do të përfundonte procesi i zgjedhjes së institucioneve në Kosovë. Kjo bëri të mundur ndarjen e LDK-së në dy pjesë.

Fatmirësisht, PDK-ja e pranoi kandidaten e tyre për kryetare të Kosovës, znj. Justina Shiroka-Pula, në momentin e fundit, por deri në kandidimin e saj nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti, nuk u pranua asnjë figurë tjetër. Me gjasë, edhe këtu doli dikush i pakënaqur dhe, edhe pas krijimit të institucioneve të Kosovës, pa e ditur ne pse, dha dorëheqje kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

Tani, pas kësaj dorëheqjeje, po duket e vështirë të gjendet një njeri si emërues i përbashkët për të gjithë anëtarët e kryesisë së PDK-së për kryetar”, deklaron Mehmeti.

Ai vlerëson se mungesa e një qëndrimi të përbashkët politik po e dobëson ndikimin e dy partive opozitare dhe po i krijon hapësirë më të madhe kryeministrit Albin Kurti.

“Partia politike që nuk flet me një zë nuk do të mund të ketë ndikim në jetën politike të vendit. Të tilla sot janë dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, PDK-ja dhe LDK-ja. Këto dy parti janë duke kaluar nëpër një krizë të madhe politike dhe nuk po dihet kur dhe si do të përfundojë ajo.

Këto zhvillime ndikojnë në rolin e tyre të dobët opozitar dhe po e favorizojnë politikisht Albin Kurtin”, shprehet ai.

Duke folur për të ardhmen e dy partive, Mehmeti shpreh qëndrimin se ndryshimet në udhëheqje mund t’i thellojnë edhe më shumë ndarjet e brendshme.

“Për fund, e themi se ndryshimet në udhëheqje nuk do t’i forcojnë këto parti, por, sipas të gjitha gjasave, do t’i thellojnë ndarjet brenda tyre, për shkak të apetiteve të disidentëve për të qenë në krye të partisë së tyre apo për t’iu dëgjuar zëri më shumë.

Kjo tregon një veti të ulët të të gjithëve ose një politikë jo të drejtë brenda partive të Kosovës, me gjasë edhe për shkak se nuk kanë më një lider partiak, fjala e të cilit do të dëgjohej nga të gjithë.

Dhe mund të themi lirisht se gjithë kjo mosmarrëveshje brenda këtyre dy partive çon ujë në mullirin e Lëvizjes Vetëvendosje”, përmbyll Mehmeti për "Bota sot".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat