“Serbia po largohet nga mitet nacionaliste, qeveria e re mund të përballet me presion për njohjen e Kosovës”

Politika

“Serbia po largohet nga mitet nacionaliste, qeveria e re mund të përballet me presion për njohjen e Kosovës”

Nga: H.O. Më: 28 tetor 2026 Në ora: 17:59
Enver Bytyqi

Fitorja e Listës së Studentëve në zgjedhjet e 25 tetorit 2025 në Serbi mund të shënojë një kthesë të rëndësishme në skenën politike të vendit, duke dobësuar ndikimin e politikës nacionaliste dhe duke hapur mundësi për afrimin me Perëndimin. Profesori Enver Bytyqi, në një prononcim për gazetën, vlerëson se rezultati përfaqëson një ndëshkim të politikës së trashëguar nga periudha e Sllobodan Millosheviqit dhe një sinjal për ndryshimin e pritjeve të qytetarëve serbë.

Sipas tij, zhvillimi më domethënës është largimi nga parlamenti i partisë së Millosheviqit, të drejtuar nga ish-zëdhënësi i tij, Ivica Daçiq, ndërsa thekson se ky rezultat dëshmon dobësimin e nacionalizmit të egër në Serbi.

“Fitorja e Listës së Studentëve të Serbisë në zgjedhjet e datës 25 tetor 2025 është e veçantë. Sepse i jep fund qeverisjes së klasës politike të kontaminuar nga politikat e Millosheviqit dhe e sjell vendin më pranë Perëndimit”, deklaron Bytyqi.

Ai thotë se qeverisja e re do të përfaqësojë një frymë tjetër politike, duke e cilësuar atë si më të arsimuar dhe më të kulturuar sesa politikanët e deritanishëm, përfshirë Aleksandar Vuçiqin dhe Ivica Daçiqin.

“Qeverisja që do të ketë Serbia nga dita e diel do të jetë qeverisje e frymës studentore dhe e njerëzve që kanë shkollim e kulturë më të lartë sesa politikanët si Vuçiq dhe Daçiq, të cilët tashmë i përkasin së kaluarës”, shprehet ai.

Bytyqi e konsideron largimin e Partisë Socialiste të Serbisë nga parlamenti një sukses të rëndësishëm politik, duke theksuar se ky zhvillim reflekton ndryshimin e atmosferës në opinionin publik serb.

“Fitorja ishte një risi pozitive. Por akoma më pozitive e quaj faktin se partia e Millosheviqit, e drejtuar nga ish-zëdhënësi i tij, Ivica Daçiq, doli jashtë dyerve të parlamentit të Serbisë. Është vërtet ky një sukses i padiskutueshëm për atmosferën e opinionit serb. Unë e shoh këtë si ndëshkim të politikës ultranacionaliste të kohës së Millosheviqit dhe të pasuesit të tij, Daçiqit”, thotë Bytyqi.

Sipas profesorit, rezultati i zgjedhjeve dëshmon se në Serbi po dobësohet nacionalizmi i ashpër, i përfaqësuar nga politika e Vojisllav Sheshelit dhe trashëgimia e Millosheviqit.

Ai vëren se Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit ka arritur të marrë vota nga serbët në Republikën Srpska të Bosnjë-Hercegovinës, nga serbët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, por jo të njëjtin mbështetje brenda Serbisë.

“Shoh një ndryshim të opinionit në Serbi. Jo se Lista e Studentëve ka një projekt diametralisht të kundërt në pikëpamje dhe qëndrim me SPS-në, por se ata në fushatë nuk ishin agresivë dhe i përmbahen parimeve demokratike që vullneti të shprehet përmes referendumeve”, thekson ai.

Qeveria e re dhe qasja ndaj Kosovës

Duke folur për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, Bytyqi thotë se ndryshimi politik në Beograd mund të krijojë një qasje më të butë dhe më fleksibile ndaj Kosovës, megjithëse paralajmëron se zhvillimet ndërkombëtare mund të ndikojnë në drejtimin e qeverisë së re.

“Duke qenë se shoh një qasje më të butë ndaj Kosovës, dua të besoj se qeveria e re e Beogradit do të jetë më fleksibile lidhur me vendimet që ajo do të detyrohet të marrë lidhur me Kosovën”, deklaron Bytyqi.

Ai shton se, nëse nuk do të ketë ndryshime të mëdha gjeopolitike, Serbia mund të ecë drejt afrimit me Perëndimin, duke kërkuar njëkohësisht të ruajë marrëdhënie të veçanta me Rusinë.

“Sigurisht, ne nuk e dimë çfarë do të ndodhë nesër me këtë qeveri, sepse edhe rrethanat ndërkombëtare dhe gjeopolitike mund të ndryshojnë. Por, nëse nuk do të ketë zhvillime të reja gjeopolitike, atëherë është për të besuar se Serbia po shkon me hapa të kujdesshëm drejt aleancave të plota me Perëndimin”, shprehet ai.

Sipas Bytyqit, qeveria e re mund të kërkojë të ruajë një marrëdhënie specifike dhe miqësore me Rusinë, por në të njëjtën kohë do të përballet me nevojën për të hequr dorë nga pretendimet ndaj Kosovës.

“Jam i sigurt se në këtë rrugëtim qeveria e re do të kërkojë të lejohet që të ketë një marrëdhënie specifike e miqësore me Rusinë. Por do t'i duhet të heqë dorë nga Kosova”, thotë Bytyqi.

Ai vlerëson se pozita gjeografike e Serbisë, e rrethuar nga shtete anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, e bën të vështirë një politikë izolimi.

“Serbia gjeografikisht është e rrethuar nga shtete anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Nëse do të ekzistojnë dhe, akoma më mirë, do të forcohen NATO-ja dhe BE-ja, Beogradi është i detyruar të integrohet në këto dy organizata”, thekson profesori.

Bytyqi përmend edhe përvojën e Shqipërisë gjatë regjimit të Enver Hoxhës, duke e cilësuar izolimin nga Perëndimi si një model që Serbia nuk duhet ta ndjekë.

“Ka provuar Shqipëria e Enver Hoxhës të izolohet nga bota e Perëndimit dhe dihet se si ka përfunduar. Përfundoi me gjashtë ditë bukë të garantuar për popullatën dhe me dy milionë dollarë amerikanë në thesarin e shtetit. Ndaj edhe në Serbi duhet të ketë mendje aq të mençura që të mos ndjekin modelin e izolimit”, deklaron ai.

Sipas profesorit, ardhja e një gjenerate të re politike mund të ndikojë në mënyrën se si Serbia e sheh të ardhmen, duke u larguar gradualisht nga tabutë dhe mitet nacionaliste.

“Gjenerata e re që erdhi në pushtet do ta shohë të ardhmen në një optikë tjetër, së paku pak më larg tabuve dhe miteve nacionaliste të rreme të kultivuara me aq zell nga politika në popullin serb”, thotë Bytyqi.

Dialogu Kosovë-Serbi, sfida e radhës

Duke u ndalur te dialogu Kosovë-Serbi, Bytyqi vlerëson se ndryshimi i pushtetit në Beograd mund të krijojë kushte për rifillimin e procesit me një ritëm më të shpejtë.

Ai thotë se kërkesa për dialog është rikthyer edhe në diskursin amerikan, duke përmendur qëndrimin e përfaqësueses së SHBA-së në Këshillin e Sigurimit.

“Pikërisht për këtë arsye besoj se do të ndryshojnë qasjet për dialogun me Kosovën. Ka shumë mundësi që dialogu të imponohet me më shumë ritëm pas rënies së Aleksandar Vuçiqit”, shprehet Bytyqi.

Sipas tij, kërkesa e përfaqësueses amerikane për dialog e bën të kuptojë se SHBA-ja mund të jetë duke parashikuar ndryshimet politike në Serbi dhe po rikthehet te nevoja për një proces të ri negociues.

“Në Këshillin e Sigurimit këtë gjë e kërkoi me ngulm përfaqësuesja e SHBA-së, çka më bën të kuptoj se Amerika ka parashikuar ndryshimin e pushtetit dhe tashmë po i rikthehet kërkesës për dialog midis Kosovës dhe Serbisë”, deklaron ai.

Bytyqi kujton se dialogu kishte dalë nga diskursi amerikan, duke përmendur edhe letrën e presidentit Donald Trump për presidenten Vjosa Osmani, më 17 shkurt 2026, në të cilën, sipas tij, nuk ishte përmendur dialogu.

Ai vlerëson se qeveria e re serbe do të ketë interes të rikthejë negociatat për t'i dërguar një mesazh Bashkimit Evropian dhe SHBA-së se përfaqëson një politikë ndryshe nga ajo e mëparshme.

“Edhe qeveria e re e Serbisë do të kërkojë që dialogu të ripërtërihet, sepse ajo do të dëshirojë të kapë mesazh në BE dhe SHBA se është ndryshe nga qeveria e mëparshme. Pra, se është fleksibile, demokratike dhe e moderuar”, thotë Bytyqi.

Ai thekson se një qasje e tillë është e lidhur edhe me frymën e lëvizjes studentore, e cila, sipas tij, gjatë dy viteve të fundit është zhvilluar nga Novi Sadi deri në Nish.

Në këtë kontekst, profesori paralajmëron se dialogu mund të shndërrohet në sfidën e radhës për qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.

“Pra, se është fleksibile, demokratike dhe e moderuar. Në fund të fundit, me këto karakteristika është zhvilluar prej dy vitesh edhe lëvizja studentore nga Novi Sadi e deri në Nish. Kjo do të thotë se dialogu mund të kthehet në një sfidë të radhës për qeverinë e zotit Kurti”, shprehet ai.

Bytyqi vlerëson se krijimi i institucioneve në Kosovë, pak kohë para zgjedhjeve në Serbi, nuk është veprim i rastësishëm, pasi aktorët ndërkombëtarë nuk kanë interes që krizat politike të vazhdojnë në të dy vendet.

“Aktorëve ndërkombëtarë nuk u intereson kriza as në Kosovë, as në Serbi. Do të duan zgjidhje. Pa zgjidhje nuk mund të bëjnë hapa drejt BE-së as Serbia e as Kosova. Kështu që do të ketë një presion shtesë”, thekson profesori.

Zgjidhja mund të marrë vite

Megjithatë, Bytyqi nuk pret që konflikti mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet shpejt, vetëm përmes dialogut.

Ai thotë se procesi do të kërkojë kohë dhe përgatitje, pasi as qeveria e re e Serbisë dhe as ajo e Kosovës nuk do të pajtohen lehtë për një zgjidhje përfundimtare.

“Megjithatë, nuk pres që konflikti midis Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet thjesht nga dialogu dhe as që ky konflikt të zgjidhet aq shpejt. Procesi do ta marrë kohën e vet. Sepse shoh që as qeveria e re e Serbisë dhe as qeveria e Kosovës nuk do të pajtohen aq lehtë për zgjidhje”, deklaron Bytyqi.

Sipas tij, fillimisht do të ketë një periudhë përgatitjesh, më pas një fazë të intensifikimit të dialogut dhe vetëm pas kësaj mund të arrihet te negociatat e mirëfillta.

“Kësisoj do të ketë një periudhë përgatitjesh. Pastaj do të ketë një kohë nxehjeje për dialog. Dhe derisa të vijmë te dialogu i përnjëmendtë do të duhen vite”, shprehet ai.

Bytyqi e sheh mundësinë e një zgjidhjeje në fund të mandatit të qeverive aktuale në të dy vendet, ose në fillim të mandatit të ardhshëm.

Ai vlerëson se asnjëra palë nuk do të dëshirojë të marrë vendime të rrezikshme politikisht kur të afrohen zgjedhjet.

“Megjithatë, e shoh fundin e zgjidhjes nga fundi i mandatit të të dy qeverive në të dy vendet. Ndoshta në fillimin e mandatit tjetër, sepse secila palë nuk do të rrezikonte në momentin kur afrohen zgjedhjet, pas afërsisht katër vitesh”, thotë Bytyqi.

Rusia dhe mundësia e njohjes së Kosovës

Në fund, profesori ndalet edhe te roli i Rusisë në çështjen e Kosovës, duke thënë se ekziston një mundësi që Moska ta njohë Kosovën para Serbisë.

Sipas tij, një zhvillim i tillë mund të ndodhë nëse Rusia arrin një marrëveshje me Perëndimin për njohjen e sovranitetit të saj mbi Krimenë dhe Donbasin.

“Ka shumë njerëz që besojnë se Rusia nuk e lejon Serbinë ta njohë Kosovën. Por ka edhe një mundësi tjetër që Rusia ta njohë Kosovën para Serbisë dhe atëherë Beogradi, me ose pa dialog, do ta njohë atë”, deklaron Bytyqi.

Ai sqaron se këtë skenar e lidh me kërkesat e Rusisë ndaj Perëndimit për njohjen e sovranitetit rus në Krime dhe Donbas.

“Kur them se Rusia mund ta njohë Kosovën, kam parasysh kërkesat e saj që Perëndimi të njohë sovranitetin rus në Krime dhe Donbas. Nëse ndodh kjo, e sigurt është se bëhet këmbimi me Kosovën”, përfundon Bytyqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat