Profesori dhe analisti politik, Sadri Ramabaja, ka reaguar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe debatet politike që pasuan këtë rast tragjik, duke kërkuar hetim të përgjegjësive institucionale dhe një analizë më të thellë të rasteve të vrasjeve të grave në Kosovë.
Në një prononcim për gazetën "Bota sot", Ramabaja vlerëson se vrasja e një gruaje, veçanërisht kur paraprihet nga kërcënime dhe dhunë të raportuara, nuk mund të trajtohet vetëm si një krim individual, por ngre edhe çështjen e përgjegjësisë së institucioneve që kanë për detyrë mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Sipas tij, Kosova duhet të përballet me një problem që ka vazhduar ndër vite dhe që kërkon llogaridhënie jo vetëm për rastet konkrete, por edhe për mënyrën se si institucionet kanë trajtuar denoncimet dhe paralajmërimet e viktimave.
“Problemi i Kosovës nuk qëndron vetëm te numri i grave të vrara, por edhe te mungesa historike e një sistemi të besueshëm të llogaridhënies që do të na tregonte sa prej këtyre vdekjeve mund të ishin parandaluar. Prandaj, hetimi retrospektiv nuk është kërkesë për hakmarrje ndaj institucioneve të së kaluarës, por domosdoshmëri për reformimin e shtetit të së ardhmes”, shprehet Ramabaja.
Ai konsideron se është e nevojshme të shqyrtohen edhe rastet e mëhershme të vrasjeve të grave, së paku që nga viti 2008, për të identifikuar mangësitë në trajtimin e denoncimeve, vlerësimin e rrezikut dhe koordinimin ndërmjet Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe mekanizmave të mbrojtjes sociale.
Në këtë kontekst, profesori përmend rastet e Diana Kastratit, Antigona Morinës, Sebahate Morina-Sopit dhe Marigona Osmanit, duke theksuar se, ndonëse këto raste kanë rrethana të ndryshme, të gjitha e bëjnë të domosdoshme një analizë serioze të funksionimit të institucioneve.
“Duhet të kthehemi te historia e këtyre rasteve. Duhet të hulumtojmë se çfarë ka ndodhur, si janë trajtuar denoncimet, çfarë masash mbrojtëse janë ndërmarrë, cilat kanë qenë vendimet e prokurorive dhe gjykatave dhe, mbi të gjitha, a është ndëshkuar neglizhenca eventuale institucionale?”, thekson ai.
Ramabaja ndalet edhe te reagimet e opozitës dhe kërkesat për dorëheqjen e ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme, duke vlerësuar se përgjegjësia politike duhet të lidhet me kompetencat, veprimet dhe mosveprimet konkrete të bartësve të institucioneve.
Ai thotë se në një demokraci parlamentare opozita ka të drejtë të kërkojë dorëheqje dhe të iniciojë mocion mosbesimi, por këto kërkesa duhet të shoqërohen me argumente dhe propozime konkrete për zgjidhjen e problemit.
Sipas tij, ekziston rreziku që tragjedia e Arlinda Zekajt të zhvendoset nga çështja e drejtësisë dhe përgjegjësisë institucionale në një përplasje politike për ndryshimin e qeverisë.
“Pyetja që duhet t’i shtrohet opozitës është: nëse qëllimi është drejtësia për viktimën dhe mbrojtja e grave të tjera, pse debati duhet të përqendrohet para së gjithash te rrëzimi i qeverisë dhe jo te një platformë konkrete për hetimin e të gjitha rasteve, identifikimin e përgjegjësive dhe reformimin e institucioneve?”, shprehet Ramabaja.
Ai nënvizon se tragjedia nuk duhet të shndërrohet as në mburojë për pushtetin, as në instrument për interesat elektorale të opozitës. Sipas tij, asnjëra palë nuk mund ta përvetësojë dhimbjen e familjes së viktimës.
Në këtë drejtim, Ramabaja kërkon që rasti të shërbejë si pikënisje për një proces më të gjerë institucional, duke përfshirë hetimin e pavarur, rishikimin e rasteve të mëhershme dhe identifikimin e përgjegjësive.
“Interesi i Kosovës kërkon që kjo tragjedi të mos shndërrohet as në mburojë për pushtetin, as në shkallë për ambiciet e opozitës. Ajo duhet të shndërrohet në pikënisje të një procesi të thellë institucional: hetim të pavarur, auditim retrospektiv të rasteve të vrasjeve të grave që nga viti 2008, identifikim të përgjegjësive dhe reformim të mekanizmave të mbrojtjes”, përfundon Ramabaja.
Ai thekson se drejtësia për viktimat dhe parandalimi i tragjedive të ardhshme duhet të jenë mbi kalkulimet partiake, ndërsa përgjegjësia institucionale duhet të vlejë njësoj për pushtetin dhe opozitën.