Rritja e sabotimeve, sulmeve kibernetike dhe operacioneve të fshehta të dyshuara si të lidhura me Rusinë ka shtuar shqetësimet për sigurinë në Evropë, duke nxjerrë në pah format e reja të kërcënimeve që nuk kufizohen vetëm në përballjet tradicionale ushtarake.
Në këtë kontekst, edhe Kosova mbetet e ekspozuar ndaj kërcënimeve të tilla, veçanërisht për shkak të marrëdhënieve të pazgjidhura me Serbinë, tensioneve në veri dhe cenueshmërisë së infrastrukturës kritike. Dokumenti SOCTA 2025 i Policisë së Kosovës identifikon një sërë rreziqesh që lidhen me propagandën, manipulimin e opinionit publik, sulmet kibernetike, operacionet e fshehta dhe përdorimin e grupeve joformale për destabilizim.
Lidhur me këto zhvillime, për “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala, i cili vlerëson se mundësia e përdorimit të operacioneve hibride për destabilizimin e Kosovës është reale dhe duhet trajtuar si një kërcënim strategjik për sigurinë kombëtare.
Ai thekson se rreziku nuk qëndron vetëm te një incident i izoluar, por te mundësia e koordinimit të disa aktiviteteve njëkohësisht, duke përfshirë dezinformimin, provokimet në terren, sulmet kibernetike dhe shfrytëzimin e tensioneve ndëretnike. Shala veçon pesë fusha kryesore ku Kosova paraqet cenueshmëri, ndërsa vlerëson se mungesa e koordinimit institucional mund të krijojë hapësirë për ndërhyrje të jashtme.
Duke folur për kapacitetet e Kosovës për t’u përballur me këto kërcënime, eksperti vlerëson se vendi ka ndërtuar një bazë institucionale të rëndësishme, por ende përballet me sfida në aspektin e inteligjencës kibernetike, burimeve njerëzore të specializuara dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike.
I pyetur se sa reale është mundësia që operacionet hibride të përdoren për destabilizimin e Kosovës, Shala shprehet:
“Mundësia është reale dhe duhet trajtuar si një kërcënim strategjik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Megjithatë, duhet kuptuar se lufta hibride nuk nënkupton domosdoshmërisht përgatitjen për një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak. Ajo synon të dobësojë funksionalitetin e shtetit, të cenojë besimin e qytetarëve në institucione dhe të krijojë pasiguri përmes instrumenteve të ndryshme, shpesh pa kaluar pragun e konfliktit të armatosur.
Në rastin e Kosovës, kjo mundësi duhet analizuar në kontekstin e marrëdhënieve të pazgjidhura me Serbinë dhe të interesave më të gjera gjeopolitike të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
Dokumenti SOCTA 2025 i Policisë së Kosovës është veçanërisht domethënës, pasi identifikon propagandën, manipulimin e opinionit publik, sulmet kibernetike, operacionet e fshehta dhe përdorimin e grupeve joformale si elemente të kërcënimeve hibride.
Nga perspektiva e inteligjencës, shqetësimi kryesor nuk është vetëm një incident i izoluar, por mundësia e koordinimit të disa aktiviteteve njëkohësisht: dezinformimit, provokimeve në terren, sulmeve kibernetike dhe shfrytëzimit të tensioneve ndëretnike.
Duhet theksuar se ekzistenca e interesave të përbashkëta apo ngjashmëria e narrativave nuk përbën automatikisht dëshmi të kontrollit operacional rus. Atribuimi kërkon prova konkrete të inteligjencës", deklaroi ai për "Bota sot".
Sa u përket pikave më të cenueshme të sigurisë së Kosovës, eksperti veçon pesë fusha që, sipas tij, kërkojnë vëmendje të veçantë: veriun e vendit, infrastrukturën kritike, hapësirën kibernetike, hapësirën informative dhe dimensionin institucional.
“Në vlerësimin tim, ekzistojnë pesë fusha që kërkojnë vëmendje të veçantë:
E para – Veriu i Kosovës.
Mjedisi i brishtë i sigurisë, strukturat ilegale, rrjetet kriminale dhe mundësia e shfrytëzimit të tensioneve ndëretnike krijojnë hapësirë për operacione destabilizuese. Veriu mund të shërbejë si terren për provokime të kontrolluara, krijimin e incidenteve dhe testimin e reagimit institucional dhe ndërkombëtar.
E dyta – Infrastruktura kritike.
Energjia elektrike, telekomunikacioni, sistemet bankare, furnizimi me ujë dhe institucionet publike janë objektiva potencialë. Një sulm i koordinuar ndaj këtyre sektorëve mund të shkaktojë pasoja jo vetëm teknike, por edhe politike, ekonomike dhe sociale.
E treta – Hapësira kibernetike.
Institucionet shtetërore, sistemet e administrimit publik dhe infrastruktura digjitale mund të bëhen objektiva të sulmeve kibernetike, spiunazhit dhe ndërhyrjeve të jashtme.
E katërta – Hapësira informative.
Dezinformimi është një instrument që mund të përdoret për të polarizuar shoqërinë, për të dobësuar besimin në institucionet e sigurisë dhe për të krijuar perceptimin se shteti nuk është në gjendje të menaxhojë situatat e krizës.
E pesta – Dimensioni institucional.
Çdo mungesë koordinimi ndërmjet institucioneve të sigurisë, politikave të mbrojtjes, inteligjencës dhe sektorit civil mund të shfrytëzohet nga aktorë të jashtëm.
Në luftën hibride, dobësia më e madhe nuk është domosdoshmërisht mungesa e kapaciteteve ushtarake, por mungesa e koordinimit dhe e reagimit të integruar shtetëror", nënvizoi eksperti i sigurisë.
Duke komentuar kapacitetet e Kosovës për parandalimin e sulmeve kibernetike, sabotimeve dhe fushatave të dezinformimit, Shala vlerëson se, ndonëse janë ndërmarrë hapa institucionalë, vendi ende ka nevojë për forcimin e mekanizmave të sigurisë.
“Kosova ka ndërtuar një bazë institucionale të rëndësishme në fushën e sigurisë, por nuk do të ishte profesionale të deklaronim se i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’u përballur me të gjitha format e kërcënimeve hibride.
Ekziston një dallim ndërmjet kapaciteteve për të reaguar ndaj një incidenti dhe kapaciteteve për ta identifikuar, parandaluar dhe neutralizuar një operacion përpara se ai të prodhojë pasoja.
Strategjia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2023–2027 dhe zhvillimi i Agjencisë për Siguri Kibernetike janë hapa të rëndësishëm. Megjithatë, sfida mbetet zbatimi praktik, burimet njerëzore të specializuara, teknologjia, shkëmbimi i inteligjencës dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike.
Unë do të veçoja tri prioritete:
Zhvillimin e kapaciteteve të inteligjencës kibernetike dhe të paralajmërimit të hershëm.
Krijimin e një mekanizmi të integruar për identifikimin dhe kundërvënien ndaj operacioneve të dezinformimit dhe ndikimit të huaj.
Testimin e vazhdueshëm të gatishmërisë së institucioneve përmes simulimeve të krizave hibride, ku përfshihen njëkohësisht sulmet kibernetike, sabotimet dhe incidentet e sigurisë në terren.
Kosova duhet të kalojë nga një qasje kryesisht reaktive në një model të sigurisë kombëtare të bazuar në parandalim, inteligjencë dhe reziliencë institucionale.”
Kurse, në lidhje me rolin e NATO-s dhe partnerëve ndërkombëtarë, Shala thekson se bashkëpunimi me aleatët është thelbësor për përballimin e kërcënimeve të reja të sigurisë.
“Roli i NATO-s dhe partnerëve strategjikë është thelbësor, por bashkëpunimi duhet të jetë shumë më i strukturuar dhe i orientuar drejt kërcënimeve të reja.
NATO-ja, përmes KFOR-it dhe mekanizmave të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës, kontribuon në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabilitetit rajonal. Megjithatë, kërcënimet hibride kërkojnë një dimension më të gjerë bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e inteligjencës, sigurisë kibernetike, mbrojtjes së infrastrukturës kritike”, përmbylli Drizan Shala për "Bota sot".