Yuri Kim: Shqipëria u mbrojt nga aktorët keqdashës, siç e bëri të qartë Biden…

Shqipëria

Yuri Kim: Shqipëria u mbrojt nga aktorët keqdashës, siç e bëri të qartë Biden…

Më: 12 mars 2021 Në ora: 16:31
Yuri Kim

Në fjalën e mbajtur sot në Forumin Ekonomik të Tiranës, ambasadorja amerikane Yuri Kim u ndal te korrupsioni në gjyqësor dhe politikën shqiptare, që sipas saj është ndër shqetësimet kryesore të SHBA-ve.

Kryediplomatja përshëndeti veprimin e Shqipërisë për zmbrapsjen e furnitorëve kinezë që kontrollojnë rrjetin 5G, që sipas Yuri Kim-it krijon rreziqe të papranueshme për sigurinë kombëtare, ndërsa solli në vëmendje qëndrimet e Biden-it dhe Blinken-it në raport me “aktorët keqdashës”.

“Për Shqipërinë, kjo do të thotë që duhet të bëhet më shumë brenda vendit për të forcuar institucionet dhe ekonominë e Shqipërisë.

Korrupsioni mbetet një shqetësim kryesor i Shteteve të Bashkuara si në gjyqësor ashtu edhe në politikë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë punuar ngushtë me partnerët tanë shqiptarë për të nxitur një proces të dhimbshëm të reformës në drejtësi. Kjo ka filluar të japë fryte dhe, me gjykata të pastra do të shohim investime të huaja më të mëdha, më shumë vende pune për të rinjtë e talentuar të vendit dhe drejtësinë e paanshme të shumëpritur të sistemit gjyqësor nga ata që kanë nevojë”, u shpreh Yuri Kim.

“Siç e kanë bërë të qartë Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken, është e domosdoshme që vendet me të njëjtin këndvështrim të bashkohen për të kundërshtuar përpjekjet e Kinës për të minuar sistemin ndërkombëtar – rregullat, vlerat dhe marrëdhëniet – që kemi luftuar kaq shumë për t’i krijuar. Shqipëria ka qenë një udhëheqëse në mbrojtjen e infrastrukturës së saj kritike nga aktorët keqdashës, duke përfshirë edhe zmbrapsjen e pajisjeve teknologjike nga Huawei dhe ZTE.

Lejimi i furnitorëve kinezë të telekomunikacionit si Huawei ose ZTE të marrin pjesë ose të kontrollojnë ndonjë pjesë të një rrjeti 5G, krijon rreziqe të papranueshme për sigurinë kombëtare, infrastrukturën kritike, privatësinë dhe të drejtat e njeriut. Ne i përshëndesim veprimet e Shqipërisë dhe nxisim të tjerët të ndjekin shembullin e saj”, tha kryediplomatja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat