Vetëqëllohet me armë Aldi Rama, autori i dyshuar i vrasjes së oficerit të policisë

Shqipëria

Vetëqëllohet me armë Aldi Rama, autori i dyshuar i vrasjes së oficerit të policisë

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 16:59
Aldi Rama

Aldi Rama, 21-vjeçari i cili vrau me armë zjarri efektivin e policisë Saimir Hoxha, është vetëqëlluar me armë. Zyrtarisht policia bën me dije se 21-vjeçari është në gjendje kritike për jetën.

Të dhënat janë ende paraprake dhe pritet të kemi njoftim më të detajuar për gjendjen shëndetësore të 21-vjeçarit.

“Në lidhje me ndjekjen, lokalizmin dhe kapjen e autorit të vrasjes së oficerit të Policisë, forca të shumta të Policisë së Shtetit, prej disa orësh ndjekjeje me helikopter dhe nga toka, kanë bërë të mundur lokalizimin e autorit të ngjarjes, i cili ishte fshehur në zonën e kënetës në “Lagunen Vain”. Forcat e Policisë kanë krijuar perimetrin e sigurisë dhe i kanë bërë thirrje autorit që të dorëzohej, por autori i ngjarjes, shtetasi Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes së Policisë për t’u dorëzuar, por është vetëplagosur me armën e tij. Aktualisht po transportohet nga forcat e Policisë për në spital, në gjendje kritike për jetën. Në vendngjarje është sekuestruar arma e krimit dhe telefoni i tij celular”, thotë Policia e Lezhës në njoftimin e saj për mediat.

Prej orës 10:30 kur ai qëlloi për vdekje oficerin e policisë në Ishull Lezhë, forca të shumta policie vijonin operacionin për kapjen e tij.

44-vjeçari Saimir Hoxha me detyrë oficer i Krimeve në Policinë e Lezhës, po patrullonte me kolegët e tij në zonën e Kune Vainit për kultivim kanabisi, kur u qëllua nga Aldi Rama, i dënuar për posedim të lëndëve narkotike në vitin 2021 dhe mbajtje të armëve të ftohta në 2020.

Bazuar në dëshmitë e 4 kolegëve të viktimës, Saimir Hoxha ka qenë i pari që i është afruar makinës së Aldi Ramës, nën dyshimin se ajo kishte targa të vjedhura. Në të dyshohet se ndodheshin edhe dy persona të tjerë.

Vrasësi, që ndodhej në anën e pasagjerit, e ka qëlluar sapo polici 44-vjeçar i është afruar dhe është larguar me shpejtësi duke mos u lënë kohë të tjerëve të reagojnë. Është e paqartë se përse i riu ndodhej i armatosur në zonë, ndërsa dyshohet se ai mund të ishte i angazhuar në ruajtjen e parcelave të mundshme të kanabisit./Tv Klan

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat