Ambulantët që shesin dije, historia e 58-vjeçarit që prej 25 vitesh tregton libra në trotuaret e Tiranës

Shqipëria

Ambulantët që shesin dije, historia e 58-vjeçarit që prej 25 vitesh tregton libra në trotuaret e Tiranës

Më: 3 prill 2022 Në ora: 20:34
Xhevat Caushi

Të dënuar nga fati për të shitur dije për më pak lekë se çmimet në kopertina, tregtarët ambulantë të librave përballen jo vetëm me tekat e motit, por edhe të policëve bashkiakë. Media sjell historinë e një 58-vjeçari i cili gjysmën e jetës së tij e ka kaluar duke shitur libra në trotuaret e Tiranës.

Prej 25 vitesh, Xhevat Caushi tashmë 58 vjeç ka ushtruar profesionin e shitësit ambulant të librave këtu në kryeqytet.

Pavarësisht kushteve atmosferike, shirave e të ftohtit, ai ndodhet çdo ditë këtu duke pritur kalimtarët të marrin një libër në duar.

“Këta banorë këtu më thonë se çfarë njeriu jam unë që dal edhe në temperatura minus dhe plus mua më sheh këtu.”

Si një formë tregtimi e jashtëligjshme momentet më të vështira për Xhevatin janë arrestimet e kryera nga ana e policisë, edhe pse kjo është mënyra e vetme për të mbajtur shtëpinë për shumë kryefamiljarë.

Fitimet janë të vogla, të mjaftueshme vetëm për të zgjidhur nevojat ditore të familjes.

“Fitimi këtu mbetet libër gjithmonë, por hallet e familjes këtu i zgjidh.”

Të interesuarit janë kryesisht të rinjtë.

“Sidomos të rinjtë dhe prindërit me fëmijë të vegjël. Kryesisht janë femrat ato që blejnë libra.”

Përveç librave në rrugët e Tiranës shitësit ambulantë të objekteve të ndryshme janë të shumtë.

Të stepur nuk dëshirojnë të shprehen përpara kamerave me frikën se mund tu sekuestrohet malli nga Bashkia e Tiranës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat