“Shfryhet” dosja e inceneratorëve, Lefter Koka, Alqi Bllako dhe 7 të pandehur të tjerë përfitojnë gjykim të shkurtuar për djegësin e Elbasanit

Shqipëria

“Shfryhet” dosja e inceneratorëve, Lefter Koka, Alqi Bllako dhe 7 të pandehur të tjerë përfitojnë gjykim të shkurtuar për djegësin e Elbasanit

Më: 6 maj 2023 Në ora: 08:19
Foto ilustrim

Pavarësisht pritshmërive për zbardhjen dhe ndëshkimin e plotë të personave përgjegjës të aferës më të rëndë korruptive në historinë e shtetit shqiptar, 450 milionë euro të zhdukura nga inceneratorët, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar befasoi me vendimin e djeshëm duke pranuar që 9 nga 10 të pandehurit  e inceneratorit të Elbasanit të gjykohen me gjykim të shkurtuar, ç’ka i favorizon dukshëm në rast dënimi.

Në këtë mënyrë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka; ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, biznesmenët Klodian Zoto, Stela Gugallja, Mirel Mërtiri, etj., do përfitojnë ulje dënimi me 1/3 e dënimit fillestar, nëse shpallen fajtorë për akuzat e ngritura ndaj tyre.

Nga 10 të pandehurit, Etleva Kondi, ish-anëtare e Komisionit për miratimin e licencave të inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, GJKKO vendosi që të gjykohet me proces gjyqësor të zakonshëm, që do të thotë, se nuk përfiton ulje dënimi në rast se shpallet fajtore. Seanca e radhës do të zhvillohet në 18 maj, ora: 09:00. Në këtë seancë, pritet që prokurorët e çështjes, Arben Kraja dhe Klodian Braho të lexojnë pretencën ndaj 10 të pandehurve.

Vendimi tjetër, GJKKO nuk bashkon dosjet e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit

Një tjetër vendim i GJKKO që la shije të hidhur në opinionin publik shqiptar dhe mediat, ishte mosbashkimi i gjykimit të çështjes së inceneratorit të Elbasanit me atë të Fierit. Për aferën korruptive të inceneratorëve, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj rrezikon të merret i pandehur, pasi po hetohet për 4 vepra penale “Shpërdorim detyre”, “pastrim të parave”, “korrupsion” dhe “fshehja e pasurisë”.

SPAK dhe BKH i ka sekuestruar 5 vila dhe pasuri të paluajtshme në emër të ish-bashkëshortes së Ahmetajt, Albina Mançkës, dhe partneres së tij, Erjola Hoxha. Nëse Ahmetaj do merret i pandehur dhe do shpallet fajtor, atëherë çështja në fjalë mund të godasë dhe qeverinë, por duke parë vendimin e djeshëm të GJKKO, gjasat janë që një e tillë nuk do të ndodhë.

Gjatë këtyre kohëve, gjyqet për djegësit e Elbasanit dhe Fierit janë shtyrë pasi në gjyq mungonin Koka dhe Bllako dhe e pandehura Jonida Zeqo, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit. Ajo u shpall në kërkim nga GJKKO, pasi theu masën “arrest shtëpie”. Ndërkohë, vijojnë të mbeten në arrati Gugallja, Zoto dhe Mërtiri, për të cilët dyshohet se janë jashtë Shqipërisë.

Ja 10 të pandehurit dhe akuzat ndaj tyre

10 të pandehurit për djegësin e Elbasanit janë: biznesmenët, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja; ish-ministri i Mjedidit, Lefter Koka; ish-Sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako; Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit për dhënien e inceneratorit dhe ish-drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit; Bardhyl Çabiri, ish-anëtar i Komisionit nga Bashkia e Elbasanit; Etleva Kondi, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit; Jonida Zeqo, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit si dhe Serafin Papa, ish-anëtar i Komisionit.

Po ashtu, edhe dy kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. do të përfshihen në procesin gjyqësor. Ata akuzohen për veprat penale Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Inceneratori i Elbasanit, 330 mln lekë u dhanë për punë të pakryera

Në procedurën e ndjekur për dhënien e konçensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, procedurë kjo e cila nuk është një nga procedurat e parashikuara në ligj. Lidhur me këtë, Lefter Koka, Alqi Bllako, si dhe të pandehurit e tjerë, janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu nga kompania që ka përfituar koncesionin dhe shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit, janë pranuar fatura tatimore dhe kanë paguar detyrime financiare për punime që në të vërtete nuk janë kryer, në vlerën mbi 330 milionë lekë. Të pandehurit, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në bashkëpunim edhe me Lefter Kokën kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave.

Koka krijoi skemë fiktive përfitimi të parave nga kompanitë e inceneratorëve

Lefter Koka ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij.

Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat