Përmbyllet marshimi masiv në Tiranë, thirrjet për dorëheqje nuk ndalen – paralajmërohet rikthim i fortë

Shqipëria

Përmbyllet marshimi masiv në Tiranë, thirrjet për dorëheqje nuk ndalen – paralajmërohet rikthim i fortë

Më: 21 qershor 2026 Në ora: 09:33 Përditësuar në ora: 23:13 më 21.06.2026
Protesta në Tiranë

“Poshtë komunizmi”- Marshimi ndal te Sheshi Demokracia para shtatores së Azem Hajdarit: Edi Rama ka mbaru

Marshimi masiv i të dielës kaloi nga Qyteti Studenti, ku u ndal edhe te sheshi Demokracia.

Mijëra vetë u bashkuan në kor me thirrjet “Poshtë komunizmi”, teksa u ndalën edhe para shtatores së Azem Hajdarit.

Protesta përmbylli edhe ditën e 22-të të saj teksa qytetarët kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe klasës së vjetër politike.

“Ju erdhi fundi”- Nis marshimi masiv kuqezi rrugëve të kryeqytetit: Rama në burg, Berisha në burg

Pas dy orëve tubim para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin masiv me ngjyra kuqezi në rrugët e kryeqytetit.

Një pjesë prej tyre qëndroi para Kryeministrisë, pasi siç lajmëruan dhe më parë ata nuk do largohen nga sheshi dhe do qëndrojnë 24 orë aty pa u larguar qeveria dhe kryeministri Rama.

“Ua kemi prishur gjumin dhe pazaret”/ Gazetari Stafa: Ata nuk lodhen duke na vjedhur, si të lodhemi ne

Gazetari Osman Stafa, ka lënë për pak çaste rolin e raportuesit duke u ngjitur në podiumin e protestës përpara Kryeministrisë, ku ka mbajtur një fjalim mjaft të fortë dhe emocional.

Stafa e cilësoi qëndresën qytetare si imazhin më të bukur të vendit dhe si një “algoritëm” që u ka prishur qetësinë dhe pazaret atyre që kanë pasur në dorë fatet e shqiptarëve në këto 35 vite.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos dorëzohen, duke bërë një krahasim me vullnetin e zyrtarëve për të abuzuar me pushtetin.

“Kjo është Shqipëria më e bukur e 33 viteve të jetës sime. Ky është kombi më i bukur në botë, ky është algoritmi më i çmendur i Shqipërisë në 35 vite se u ka prishur gjumin, ëndrrat, pazaret të gjithë atyre që për këto vite kanë pasur në dorë jetën tonë e të ardhmen tonë.

Ata nuk lodhen kaq vite duke na vjedhur, si të lodhemi ne për 22 ditë proteste?” u shpreh Stafa.

Më tej, gazetari denoncoi me shifra dhe raste konkrete gjendjen alarmante në sistemin shëndetësor publik, duke sjellë në vëmendje mesazhet që merr çdo ditë nga bluzat e bardha për mungesën e trajtimeve jetike për pacientët me kancer dhe ata me probleme neurologjike. Ai e vuri këtë realitet përballë jetës luksoze që bëjnë pushtetarët.

“Akoma më shkruajnë infermierë që ka mungesa mjetesh mjekësore, ilaçesh për ata që vuajnë nga kanceri. Te Neurologjia nuk ka trajtime për të shpëtuar jetën e atyre që kanë probleme.

Nuk ka ilaçe, nuk ka pajisje! Këta derdhen në luks, paguajnë verërat më të shtrenjta, paguajnë 10 mijë euro në muaj për të larë makinat!” deklaroi ai.

Në mbyllje të fjalës së tij, Stafa iu drejtua brezit të ri, duke nënvizuar se fati i kësaj lëvizjeje qytetare varet plotësisht nga angazhimi masiv i tyri në bulevard.

“Rinia është motori i kësaj proteste dhe nëse do që kjo të shkojë deri në fund, duhet të jetë në shesh çdo ditë e më shumë!” përfundoi gazetari.

Incidenti me flamurin e Izraelit, aktivisti distancohet: Ajo ngjarje s’ka lidhje me protestën!

Aktivisti Edison Lika sqaroi në protestën e 22-të incidentin e ndodhur mbrëmë pranë ambasadës së Izraelit, ku dikush hoqi prej aty flamurin e shtetit të Izrelit.

Lika tha se kjo nuk ka lidhje me protestën dhe se protesta distancohet prej këtij incidenti. Ai shton se protesta ka qenë një shembull qytetarie dhe dashurie.

Edison Lika: E kuptoni çfarë leksioni demokracie kemi dhënë. Në 22 ditë asnjë incident nuk ka ndodhur.

Mbrëmë, është tentuar që incident i ndodhur të lidhet me protestën. Është e pavërtetë. Kjo protestë ka qenë simbol dashurie dhe qytetarie. I themi çdokujt që ai incident nuk ka lidhje me protestën.

“Zgjidhja është në këtë shesh”/ Protestuesi: Vij nga Kanadaja, jemi me ju

Një shqiptar i diasporës tha se zgjidhja është në këtë shesh. Ai vjen nga Kanadaj dhe siguroi sheshin se Kanadaja është në mbështetje të plotë të protestës.

Shqiptari i diasporës: Vij nga Kanadaja e largët. Emocion i jashtëzakonshëm me qenë këtu.

Mijëra shqipytarë në Kanada janë mlbedhur në përkrahje të këtij sheshi. Kam menduar se zgjidhja për këtë vend vjen nga diaspora. Kam qenë gabim.

Zgjidhja është në këtë shesh. Zgjidhja është këtu, na përket. Diaspora është me ju. Jemi për tju përkrah. Zoti ju bekoftë të gjithëve.

Protestuesi thirrje Ramës: Bëhu burrë një herë në jetën tënde! Dorëhiqu

Pjesë e protestës masive kundër Edi Ramës në ditën e 22-të ishin dhe shqiptarët e diasporës të cilët u bashkuan të shumtë në numër para Kryeministrisë.

Një prej tyre që vinte nga Londra i bëri thirrje Ramës të bëhet burrë dhe të ndjekë shembullin e kryeministrin britanik Keir Starmer, i cili sipas raportimeve ka dhënë dorëheqjen nga posti.

Shqiptari nga Londra: Kryeministri britanik u dorëhoq. Edhe sa krime do bësh që të marrësh shembullin e kryeministrin britanik.

Bëhu burrë një herë në jetën tënde, dil para shqiptarëve i vetmi nder që të ka ngel t’u bësh këtyre njerëzve është të japësh dorëheqjen.

“Keni afat deri nesër të jepni dorëheqjen”- Protesta masive i jep ultimatum Ramës: Diaspora do qëndroj në shesh 24 orë nëse nuk largoheni!

Mijëra vetë u mblodhën edhe sot në ditën e 22-të të protestave masive kundër Edi Ramës.

Një përfaqësues i diasporës dha një ultimatum qeverisë dhe Edi Ramës të largohen nga pushteti, përndryshe diaspora nuk largohet nga Shqipëria dhe sheshi para Kryeministrisë.

Protestuesi: Deri nesër keni afat që të jepni dorëheqjen. Përndryshe diaspora ka vendosur që nuk do lëvizë nga ky shtet. Ky shesh këtu do rrijë dhe nuk do lëvizë më.

Për sa i përket rinisë, nënave motrave të tërë shqiptarëve, bashkohuni në shesh nëse këta nuk japin dorëheqjen. Nuk do ikim më, do rrimë këtu 24/24. Fitore Shqipëria.

“Kemi ves se biem në dashuri me partitë, janë grupe hajdutësh” – aktori Mehdi Malkaj merr mikrofonin para Kryeministrisë: Është turp i madh, hiqini!

Aktori i mirënjohur Mehdi Malkaj ka marrë fjalën përpara mijëra qytetarëve, duke përcjellë një mesazh të fortë dhe të drejtpërdrejtë kundër adhurimit ndaj forcave politike.

Malkaj u bëri thirrje protestuesve që të shkëputen nga ndikimet partiake dhe të bashkohen si qytetarë të lirë.

“Ne shqiptarët kemi një vesh të keq shumë, biem në dashuri me partitë.

Hiqini partitë! Është turp i madh!

Një filozof të madh kur e pyetën për partitë, tha se janë grupe të organizuara hajdutësh që vjedhin popullin e vet!” deklaroi aktori i mirënjohur mes duartrokitjeve të turmës.

“I bëj thirrje PS ta përjashtojë Edi Ramën nga Partia Socialiste”- Protestuesi: Përndryshe do reduktohen në një OJF

Mijëra vetë u mblodhën edhe sot në ditën e 22-të të protestave kundër qeverisë Rama.

Një prej protestuesve i bëri thirrje Partisë Socialiste të largojnë Edi Ramën nga partia përndryshe do kthehen në një OJF.

"I bëj thirrje PS ta përjashtojë Edi Ramën nga Partia Socialiste. Mos të mbajë mbi vetë mëkatet e Edi Ramës se do reduktohet në një OJF. Shqiptarët të mos bien pre e provokimeve.

Nuk jemi kundër SHBA, Izraelit. Jemi të gjithë këtu për të bërë një të mirë Edi Ramës, ta shpëtojmë nga sëmundja më e keqe që ekziston, despotizmi."

“Të ndjekim shembullin e Hungarisë”- Aktivisti në protestën masive kundër Ramës: Asnjë kryeministër më shumë se dy mandate

Aktivisti Edison Lika foli në protestën e 22-të masive kundër qeverisë Rama.

Ai propozoi që në Shqipërinë e së nesërmes të ndiqet shembulli i Hungarisë, pra një kryeministër nuk ka të drejtë të gëzojë më shumë se dy mandate.

Aktivisti: Ne kemi treguar si shtet dhe shoqëri që kemi problem me autokracinë.

Propozoj të ndjekim shembullin e Hungarisë dhe asnjë kryeministër të mos ketë më shumë se 2 mandate. Qoftë ai më i miri prej nesh. Asnjë mandat më shumë se dy. Autokracia nuk do ketë më vend në Shqipëri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat