“Rama jep dorëheqjen!” - Përfundon protesta e 26-të kundër qeverisë, mijëra qytetarë mbyllin marshimin para Kryeministrisë

Shqipëria

“Rama jep dorëheqjen!” - Përfundon protesta e 26-të kundër qeverisë, mijëra qytetarë mbyllin marshimin para Kryeministrisë

Më: 25 qershor 2026 Në ora: 12:26 Përditësuar në ora: 23:27 më 25.06.2026
Protesta në Tiranë

Përfundon protesta e 26-të kundër qeverisë, qytetarët mbyllin marshimin para Kryeministrisë: Rama jepe dorëheqjen!

Ka përfunduar protesta e 26-të radhazi kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, e zhvilluar mbrëmjen e sotme në Tiranë.

Ashtu si në ditët e mëparshme të protestës, pas fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit. Mijëra protestues janë drejtuar fillimisht drejt qendrës së Tiranës dhe më pas kanë vijuar marshimin pranë godinës së Parlamentit, ku janë ndalur për disa minuta.

Gjatë qëndrimit pranë Parlamentit, qytetarët kanë hedhur thirrje kundër institucionit, duke brohoritur: “Parlamenti i krimit!” dhe “Parlament analfabet!”

Më pas, marshimi ka vijuar në drejtim të rrugës së Elbasanit dhe më tej drejt stadiumit “Air Albania”, ku protestuesit kanë vijuar thirrjet kundër kryeministrit dhe klasës politike. “Rama jep dorëheqjen!”, “Ju erdhi fundi!”, “Rama në burg, Berisha në burg” ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë marshimit.

Protestuesit u kanë bërë thirrje edhe qytetarëve të tjerë që t’u bashkohen, duke brohoritur: “Bashkohuni me ne!”

Nga zona e stadiumit “Air Albania”, turma është rikthyer sërish drejt godinës së Kryeministrisë, aty ku ka përfunduar edhe protesta e sotme.

Në mbyllje të marshimit, qytetarët kanë përsëritur thirrjet kundër kryeministrit, mes tyre edhe: “Rama, Rama, f*ck you”, duke iu referuar deklaratës së bërë më herët nga Edi Rama.

Kërkesa kryesore dhe e panegociueshme e protestuesve vijon të jetë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij.

Protestuesit marshojnë dhe ulen para godinës së seancave plenare: Parlament analfabet!

Gjatë kalimit pranë Parlamentit, qytetarët kanë hedhur thirrje kundër institucionit dhe klasës politike, duke shprehur pakënaqësinë e tyre përmes sloganeve.

“Parlamenti i krimit!”, “Parlament analfabet!” dhe “Ju erdhi fundi”, ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan nga protestuesit gjatë marshimit.

Qytetarët kanë vijuar lëvizjen në rrugët e kryeqytetit me pankarta dhe mesazhe politike.

Ndërsa kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama

Protestuesit nuk e kursejnë kryeministrin gjatë marshimit nëpër Tiranë: Rama, Rama, f*ck you! Ju erdhi fundi!

Protestuesit vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës në kuadër të protestës së 26-të radhazi, duke shoqëruar lëvizjen e tyre me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama.

Turma, e cila është shtrirë në një gjatësi kilometrike, po lëviz nën monitorimin e forcave të rendit dhe me thirrje të vazhdueshme për dorëheqjen e kreut të ekzekutivit.

Gjatë marshimit në kryeqytet, qytetarët kanë brohoritur njëzëri: “Rama, Rama, f*ck you!” dhe “Ju erdhi fundi!”, duke iu referuar deklaratës së bërë më herët nga kryeministri në një intervistë për “Financial Times”, ku tha se kritikëve i përgjigjet me “f*ck you”.

Image
Protesta në Tiranë

Thirrjet kundër qeverisë, ashtu si tre javë tashmë, kanë shoqëruar protestuesit edhe mbrëmjen e sotme në disa akse të Tiranës, ndërsa mesazhi kryesor i tyre vijon të jetë kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit.

Protesta e 26-të për largimin e kryeministrit, mijëra qytetarë nisin marshimin nëpër Tiranë me thirrjen kryesore: Rama jepe dorëheqjen!

Pas disa orësh qëndrimi dhe fjalimesh para godinës së Kryeministrisë, mijëra protestues kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës.

Mijëra qytetarë janë larguar nga sheshi para zyrës së kryeministrit dhe kanë vijuar lëvizjen në akset kryesore të kryeqytetit, të shoqëruar nga thirrjet kundër qeverisë.

“Rama jep dorëheqjen!” ka qenë thirrja kryesore që ka shoqëruar marshimin e protestuesve, si edhe thirrja: “Ju erdhi fundit”, thirrje me të cilën i drejtohet në gjithë klasës politike.

Gjatë ditës, qytetarët kanë zhvilluar fjalime dhe kanë shpalosur pankarta me mesazhe politike, ndërsa kanë përsëritur kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Të gjitha qytetet bashkohen në Tiranë”, thirrja e fuqishme para Kryeministrisë: Nesër më shumë, të shtunën protestë kombëtare!

Sheshi përpara Kryeministrisë ka dëgjuar sot një tjetër thirrje të fuqishme që synon të ndezë edhe më shumë revoltën popullore në vend.

Gjatë fjalës së saj përpara mijëra qytetarëve, një prej protestueseve ka shpallur organizimin e një proteste kombëtare që pritet të bllokojë kryeqytetin këtë të shtunë.

Ajo kërkoi nga qytetarët që të mos rreshtin së zbrituri në rrugë, duke parashikuar një pjesëmarrje masive dhe mbarëkombëtare për fundjavën, ku të gjitha rrethet e Shqipërisë do të derdhen drejt Tiranës.

“Nga ky shesh kërkojmë një Shqipëri të Re, prandaj nesër më shumë! Të shtunën të gjitha qytetet bashkohen në Tiranë! Në protestë kombëtare për të kërkuar dhe ndërtuar një Shqipëri të Re!” deklaroi ajo mes brohoritjeve të turmës së vendosur.

“Studentët e Akademisë u helmuan 2 herë brenda 2 muajsh”, protestuesi thirrje policisë: Arrestoni Ramën!

Një prej qytetarëve që mori fjalën në protestën e zhvilluar në Tiranë bëri thirrje për mbrojtjen e interesit kombëtar.

Në vijim të fjalës së tij, protestuesi deklaroi se kishte marrë mesazhe nga studentë të Akademisë së Policisë, duke bërë një pretendim për helmime të përsëritura. Ai u bëri thirrje institucioneve që të ndërmarrin veprime ndaj kryeministrit.

“Ka momente ne historinë e një kombi kur pyetja nuk është kush është qeveria por kush jemi dhe çfarë Shqipëria do t’u lëmë brezave. Sot rrezikojmë lidhjen që kemi me toklën, që e kemi trashëguar dhe është larë me gjak. Sot kemi detyrim ta ruajmë për nipërit dhe fëmijët tanë. Flasin për ligje procedura dhe investime, por nëse toka shqiptare nuk mbetet në duart e shqiptarëve, çdo të na mbesë. Kombi ynë i ka mbijetuar pushtimeve dhe nuk e braktisën Atdheun. Atdheun nuk e masim me metra katrorë por me dashurinë që kemi për të dhe gatishmërinë për të luftuar për të. Rroftë Shqipëria!

Sot kam marrë mesazhe nga studentët e Akademisë së Policisë që janë helmuar 2 herë brenda 2 muajsh. Kjo polici nuk mbron dot studentët e saj, sot të marrin vendimin të arrestojnë Ramën”, tha ai.

“Ne flasim për hallet, Rama poston flamingo”, pankartat që shoqëruan protestën e 26-të

Protesta e 26-të qytetare u shoqërua me pankarta të shumta, ku qytetarët shprehën përmes ironisë, kritikave dhe thirrjeve të drejtpërdrejta pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Një nga pankartat më të komentuara mbante mbishkrimin: "Na keni thënë: 'S'ka alternativë'. Ne po ju themi: S'ka durim më!", duke iu referuar zhgënjimit të qytetarëve ndaj situatës politike në vend.

Një tjetër pankartë ironizonte ndryshimin e fotografisë së profilit të kryeministrit në rrjetet sociale, ku ai kishte vendosur flamingot, simbol i protestave. Në të shkruhej: "Ne flasim për hallet. Rama poston flamingo. Realiteti nuk fshihet me kartolina".

Image

 

Mes mesazheve u shfaqën edhe pankarta me kritika për procesin e integrimit europian. Në njërën prej tyre lexohej: "Nuk shkohet në Europë me hajdut!", ndërsa një tjetër shkruante: "O Ramë, në Europë nuk shkohet duke u sjellë si Putin, Xi dhe Erdoğan".

Protestuesit mbajtën gjithashtu pankarta që lidhnin protestën me çështje të debatueshme të muajve të fundit. Në një prej tyre thuhej: "Imazhin e Shqipërisë nuk e prish populli, por lubitë që e zhvasin!", ndërsa një tjetër krahasonte situata të ndryshme përmes fotografive dhe mesazheve kritike ndaj qeverisë.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu!

Nisin fjalimet para Kryeministrisë, qytetarët përsërisin 5 kërkesat: Duam qeveri teknike

Ka nisur në kryeqytet dita e 26-të e protestës qytetare.

Protestuesit u grumbulluan në sheshin ‘Skënderbej’, për të vazhduar më pas marshimin në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe për t’u stacionuar para Kryeministrisë aty ku po mbajnë edhe fjalimet.

Disa nga pjesëmarrësit kanë propozuar që protestat të shtrihen edhe gjatë paradites, propozim ende i pakonfirmuar, ndërkohë që gjatë fjalës së tyre kanë përsëritur sërish 5 kërkesat.

Kërkesat:

1.Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.

2.Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

3.Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:

Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;

Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4.Paralelisht, kërkojmë:

Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;

Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;

Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;

Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.

5.Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

“Kam dy fjalë për ‘Mister hajdutin’”/ Vogëlushja nga Shkupi në protestë: Rama jashtë! Fitorja është me ne

Një vogëlushe nga Shkupi i është bashkuar protestës së 26 që po mbahet sot para Kryeministrisë ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës.

11-vjeçarja e quajti kryeministrin “Mister hajduti” ndërkohë që iu shpreh: Rama përjashtë!

“Jam 11 vjeç dhe këtu jam për të suportuar të gjithë shqiptarët.

Kam lindur dhe jam lindur në Shkup dhe dua t’i them diçka mister hajdutit më të madh në ekzistencën shqiptare: 1 2 3 fitorja është me ne, 4 5 6 Rama përjashtë, 7 8 9 Nartën s’jua lëmë. Dhe këto fjalë ti mbajë mend sa të jetë gjallë”, u shpreh ajo.

Protestuesi: Kam ardhur nga Londra, t’i japim shkelmin e fundit Ramës! Diaspora së shpejti do ju bashkohet

Sot mbahet protesta e 26 kundër kryeministrit. Shqiptarët njëzëri kërkojnë largimin e tij.

“Kam udhëtuar nga Londra , kam udhëtuar t’i japim shkelmin e fundit Edi Ramën. Na kanë vjedhur. Ky na shiti gurët, detin, na shet malet tani.

Nuk do ta lejojmë….Diaspora në Londër, Francë, Belgjikë, kudo është me ju.

Së shpejti do ju bashkohen për t’i dhën shkelmin këtij hajduti”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat