Mbyllet dita 40 e tubimit para Kryeministrisë, thirrje për rrëzimin e qeverisë: Të shtunën protestë kombëtare

Shqipëria

Mbyllet dita 40 e tubimit para Kryeministrisë, thirrje për rrëzimin e qeverisë: Të shtunën protestë kombëtare

Më: 9 korrik 2026 Në ora: 08:26 Përditësuar në ora: 23:27 më 09.07.2026
Pamje nga protesta

Mbyllet dita 40 e tubimit para Kryeministrisë, thirrje për rrëzimin e qeverisë: Të shtunën protestë kombëtare

Prej 40 ditësh, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe gjithë klasës politike.

Në protestën e 40, në shënjestër ishte dhe kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, lidhur me review-t negative të bëra në masë në bizneset shqiptare, ku u identifikuan nga policia mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale.

Nga podiumi u denoncua edhe Policia e Kamzës, që sipas organizatorëve, ka ndaluar disa protestues.

Protestuesit theksuan se nuk do të largohen nga sheshi pa dorëheqjen e politikanëve, ndërsa njoftuan protestë kombëtare të shtunën.

Edhe protesta e 40 u mbyll me marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit. Thirrjet për dorëheqje shoqëruan protestuesit gjatë marshimit deri rreth mesnatës.

Revolta qytetare nuk ndalet! – Marshimi masiv pushton bulevardin “Zogu I”, protestuesit në kor: Arrestoni Ramën!

Vala e revoltës qytetare nuk po tregon asnjë shenjë ngadalësimi apo lodhjeje në këtë ditë të 40-të të qëndresës historike.

Pasi lanë pas godinën e Kryeministrisë, protestuesit po vijojnë me hapa të shpejtë dhe vrull të jashtëzakonshëm marshimin e tyre masiv nëpër akset kryesore të Tiranës, duke u zhvendosur aktualisht përgjatë bulevardit “Zogu I”.

Thirrjet e qytetarëve kanë shoqëruar çdo hap të marshimit, duke krijuar një kor kumbues që ka përfshirë qendrën e kryeqytetit. “Arrestoni Ramën!” dhe “Rama jep dorëheqjen!” janë dy nga thirrjet kryesore që dëgjohen më së shumti nga rreshtat e gjatë të protestuesve, të cilët kërkojnë largimin e menjëhershëm të kreut të qeverisë dhe mbajtjen e përgjegjësisë për skandalet e fundit me pronat dhe fondet publike.

Protesta e 40-të kundër qeverisë/ “Parlament i krimit”, qytetarët vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës: Edi Rama jep dorëheqjen

Protestuesit vijojnë marshimin në akset kryesore të kryeqytetit, duke vijuar tubimin e tyre në ditën e 40-të të protestave kundër qeverisë së Edi Ramës.

Qytetarë të shumtë janë bërë bashkë dhe janë zhvendosur në rrugët e Tiranës, me thirrje kundër qeverisë.

Me pankarta në duar, simbolet e flamingove dhe mesazhet që janë kthyer në simbol të kësaj lëvizjeje qytetare, protestuesit kanë përcjellë kërkesat e tyre për ndryshim, transparencë dhe llogaridhënie.

Thirrjet e protestuesve janë dëgjuar në disa prej pikave kryesore të qytetit, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë deklaruar se qëndresa do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Marshimi i sotëm është pjesë e protestave të zhvilluara gjatë javëve të fundit, ku qytetarë dhe mbështetës të opozitës kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë dhe situatës politike në vend.

Protestuesi i drejtohet Ramës: Mos bëj gangsterin me popullin, jep dorëheqjen ose do të largojmë ne

Në ditën e 40-të të protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, një prej qytetarëve që mori fjalën para protestuesve lëshoi akuza të forta ndaj kreut të qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe ndryshim politik në vend.

Gjatë fjalës së mbajtur, ai deklaroi se pas 13 vitesh në pushtet, qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për, sipas tij, dështimet dhe aferat korruptive.

“Për të 40-tën ditë themi: arresto Ballukun, jep dorëheqjen. Të ka ardhur fundi. Në 13 vite ne i dimë të gjitha dështimet e tua.”

Protestuesi u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar, ndërsa iu drejtua edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, duke i ftuar të mendojnë rikthimin në Shqipëri.

“Europa ka marrë gjithmonë më të mirët tanë. Çdo shqiptar ta mendojë kthimin në atdhe, kjo është toka jonë.”

Në vijim të fjalës së tij, ai akuzoi drejtuesit politikë për korrupsion dhe kërkoi që të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë.

“Nuk mund të lejojmë një kryeministër të korruptuar dhe një ish-kryeministër të korruptuar të vazhdojnë. Rama në burg, Berisha në burg.”

Në fund të fjalimit, protestuesi iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Rama me një apel për dorëheqje.

“Mos e bëj gangsterin si kryeministër, sepse nuk bëhesh dot kurrë i fortë me popullin. Me këtë popull kaq të bukur dhe të mrekullueshëm. Rama jep dorëheqjen, se po nuk e dhe do të heqim ne. Kjo është shtëpia jonë, ne vendosim.”

“PD të mbajë duart larg nga autorësia e protestës”- Arbër Lleshi: PS me mln euro po blen biletat e një këngëtari nazist, t’ua ndajë patronazhistëve

Vijoi edhe sot në ditën e 40-të protesta kundër qeverisë Rama.

Aktivisti Arbër Lleshi i bëri thirrje protestuesve të qëndrojnë të bashkuar, teksa shtoi se PD-ja duhet të mbajë larg duart nga autorësia e protestës.

Sakaq, tha se PS-ja po blen biltetat e koncertit të Kanye West me mln euro, për t’ua ndarë patronazhistëve.

Arbër Lleshi: E majta dhe e djathta s’kanë mbjellë asgjë përveç përçarje. Këta nuk janë as të majtë a të djathtë më. Të majtët shqiptarë i keni në të majtët të këtij sheshi, dhe të djathtët shqiptarë në të djathë të këtij sheshi. Bashkimi do i tregojë Europës dhe botës se ne jemi të ndershëm dhe të dinjitetshëm njëlloj si e gjithë bota. prandaj, PD e cila e mban veten si opozitë ti mbajë larg duart për të marrë autorësinë e kësaj proteste. Kjo protestë është e shqiptarëve.

Ndërsa partia në pushtet që merret me mln euro për të blerë biletat e një këngëtari nazist. Merret duke lujt bixhoz në Stratsburg. Merren me pakënaqësitë e klientëve që shkojnë te Gjergj Luca apo një oligark tjetër. Mediat që shplajnë këtë pisllëk duek quajtur protestuesit korba, do i themi këtu sheshi është i mbushur me shqiponja e ju në qeveri sjeni veçse skiftera. Ajo që nga bashkon është më e madhe se ajo që na ndan. Na bashkon aspirata për liri demokraci. Shqiptarët e kërkuan që në 90 dhe nuk kanë më durim të presin.

“S’ka bisedime, vetëm dorëheqje!”- Protestuesi: Palaço kryeministër! Kush ulet të bëj marrëveshje me Ramën, do përballet me zemërimin e popullit!

Një protestues ka mbajtur një fjalim gjatë protestës së 40-të para Kryeministrisë, ku ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ka kundërshtuar çdo mundësi për dialog me qeverinë.

“Nuk duhet të ketë marrëveshje me të, nuk duhet të ulet askush me të. Kush do të marrë guximin, në emër të popullit dhe aq më tepër të bëjë marrëveshje me të, do të përballet me zemërimin e popullit. Nuk ka bisedime, vetëm dorëheqje”, tha ai, ndërsa bëri edhe thirrje për arrestmini e Belinda Ballukut.

Më tej, protestuesi ka kritikuar ashpër kryeministrin, duke e cilësuar si “palaço kryeministër, delirant, drogaxhi,  paburrë, i pamoralshëm, pisanjos e tradhtar”.

“Ai nuk e meriton dhe nuk ka nderin të ecë krah nesh, aq më pak të na përfaqësojë ne. Ka ardhur koha t’i dalim zot vatanit, familjes. Nuk mund t’ia lëmë duart tona në dorë të tij. Ky piktor dështak nuk duhet lejuar asnjë sekondë t’ia nxijë fytyrën Shqipërisë“, tha ai.

Protestuesi: Para se të filloj, dua të them që për fjalën që flas mbaj përgjegjësi morale dhe ligjore.

Si fillim, duke parë interesimin e madh që ka policia, partia, sufllaqja, bashkia, për të ditur se kush e organizon protestën, unë kam vendosur të kallëzohem, t’ua heq nga mendja. Protestën e financon dhe organizon një burrë i madh, i cili ka paguar me gjakun e tij dhe të familjes së tij para 500 vitesh. Ai është Gjergji, i biri i Gjonit, Gjergj Kastrioti.

Kalojmë te hallet tona. Kur halli ynë më i madh është ky palaço kryeministër, i cili ditë pas dite po na e merr edhe atë pak fytyrë që na ka mbetur para botës.

Por kryesorja, po na merr shpirtin dhe po na pi gjakun, pa e kuptuar. Ky delirant, drogaxhi dhe i paburrë, i pamoralshëm, pisanjos e tradhtar, që ka 30 vite në pushtet duke u tallur me popullin, kjo është më shumë për fajin tonë.

Si fillim, të atyre që e kanë votuar, por më shumë të atyre që kanë ndenjur në heshtje përballë çdo padrejtësie që i është bërë. Ka ardhur koha t’i themi atë që meriton dhe t’i ndajmë rrugët me të.

Ai nuk e meriton dhe nuk ka nderin të ecë krah nesh, aq më pak të na përfaqësojë ne. Ka ardhur koha t’i dalim zot vatanit, familjes.

Nuk mund t’ia lëmë duart tona në dorë të tij. Ky piktor dështak nuk duhet lejuar asnjë sekondë t’ia nxijë fytyrën Shqipërisë së Gjergjit, Ismail Qemalit, vëllezërve Frashëri, Adem Jasharit, Isa Boletinit dhe shumë e shumë të tjerëve që kanë dhënë jetën për shqiptarinë.

Nuk duhet të ketë marrëveshje me të, nuk duhet të ulet askush me të. Kush do të marrë guximin, në emër të popullit dhe aq më tepër të bëjë marrëveshje me të, do të përballet me zemërimin e popullit. Nuk ka bisedime, vetëm dorëheqje. Arrestoni Ballukun

Ironia e të rinjve në ditën e 40 të protestës, shpërndajnë hallvë

Sot shënohet dita e 40-të e protestave kundër qeverisë Rama dhe klasës së vjetër politike. 

Sakaq, për të festuar këtë ditë proteste, disa studentë kishin zgjedhur në mënyrë simbolike të sillnin hallvë në protestë.

Ata thanë se me hallvën duan të tregojnë se kanë 40 ditë që kanë vrarë frikën dhe mund të dalin të protestojnë në shesh për atë që ata mendojnë se duhet të dalin.

Studentët shkuan për të ndarë hallvë përveç protestuesve edhe me punonjësit e policisë së shtetit, por asnjë prej tyre nuk mori nga hallva e studentëve.

‘Rama jepe dorëheqjen’/ 40 ditë protestë, qytetarët nuk tërhiqen, nis marshimi drejt Kryeministrisë

Për 40 ditë radhazi, mijëra qytetarë kanë dalë në shesh për t’i kërkuar kryeministrit Edi Rama largimin nga detyra.

Qytetarët janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej”, më pas kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë.

Me pankarta dhe thirrje për ndryshim, protestuesit mbushën bulevardin përpara godinës së qeverisë, ku qytetarë të ndryshëm marrin fjalën dhe denoncojnë atë që e konsiderojnë keqqeverisje, korrupsion dhe largimin e qeverisë nga shqetësimet e njerëzve.

Thirrja për dorëheqjen e Edi Ramës është kthyer në mesazhin kryesor të çdo mbrëmjeje proteste.

Protesta e 40-të historike dëshmon këmbënguljen e mijëra qytetarëve, të cilët deklarojnë se do të vijojnë të jenë në shesh deri në realizimin e kërkesës së tyre për ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit nga detyra.

Historike/ 40 ditë protestë, mijëra qytetarët rikthehen sot para Kryeministrisë: Rama jepe dorëheqjen

Për të 40-ën ditë radhazi, mijëra qytetarë pritet të mblidhen sot para Kryeministrisë në Tiranë, duke vijuar protestën maratonë me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e qeverisë teknike për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Protesta, e cilësuar tashmë si një nga lëvizjet më të gjata qytetare të dekadave të fundit, ka bashkuar qytetarë nga Tirana, rrethet dhe diaspora, të cilët çdo mbrëmje kanë ngritur zërin kundër korrupsionit, kapjes së shtetit dhe varfërisë në rritje.

Organizatorët bëjnë me dije se tubimi i sotëm do të vijojë me të njëjtin mesazh: largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe rikthimin e llogaridhënies politike, duke paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Protestuesit nisin organizimin në sheshin “Skënderbej”

Ka nisur organizimi i protestuesve në sheshin “Skënderbej”.

Sot protesta qytetare hyn në ditën e saj të 40-të, duke u kthyer në një nga lëvizjet më të gjata qytetare që ka njohur Shqipëria në vitet e fundit.

Për 40 ditë me radhë, qytetarët janë mbledhur çdo mbrëmje para Kryeministrisë me të njëjtat thirrje që dëgjohen që prej ditës së parë: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Shqipëri e Re”.

Edhe mbrëmjen e djeshme, si në 38 ditët e tjera, pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshuan në rrugët e Tiranës, ndaluan para Kuvendit dhe më pas përpara selisë së Partisë Demokratike, ku brohoritën “Opozitë e shitur”, duke akuzuar opozitën se është bërë pjesë e të njëjtit sistem që qytetarët kërkojnë të rrëzojnë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat